Një zjarr ka shpërthyer në një qendër tregtare që po ndërtohet në Bejrut. Ky është zjarri i tretë brenda një jave në qytetin që ende po i vuan pasojat e shpërthimit shkatërrues të gushtit.
Zjarrfikësit ia dolën që shpejt ta shuajnë zjarrin që e dëmtoi një kënd të qendrës tregtare. Nuk ka raporte për persona të lënduar dhe shkaktari i zjarrit nuk dihet ende.
Kjo ndërtesë është dizajnuar nga arkitektja e ndjerë, Zaha Hadid. E lindur në Bagdad, Hadid e studioi matematikën në Universitetin Amerikan të Bejrutit, ku më vonë e hartoi planin për një ndërtesë që përfundoi së ndërtuari më 2014.
Një ndërtesë tjetër e famshme e dizajnuar prej saj është Shtëpia e Operës në Guangzhou të Kinës, shkruan BBC.
Qendra tregtare që u përfshi nga flaka ndodhet afër portit të qytetit, ku gjashtë javë më parë vdiqën rreth 200 persona nga një shpërthim i fuqishëm.
Fatkeqësia ndodhi kur 2,750 tonë nitrat të amonit morën flakë dhe shkaktuan shpërthim shumë të fuqishëm, që u dëgjua edhe në shtetet fqinje.