
Një 26 vjeçar nga Komuna e Gjilanit ka humbur dje jetën në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, 24-orë pas vendosjes së tij në karantinë. Ndonëse ende nuk dihen arsyet se pse tashmë i ndjeri e ka kryer këtë veprim, sipas psikologëve, izolimi, karantinimi dhe mungesa e jetës sociale ka ndikuar që të rritet monotonia dhe disponimi duke ndikuar kështu edhe tek psikologjia e njerëzve.
Psikologu Besnik Peci i ka thënë portalit “Front Online”, se Coronavirusi ka ndryshuar mënyrën e të menduarit dhe të funksionarit në përgjithësi.
“Virusi COVID-19 ka ndryshuar shumë mënyrën e të menduarit dhe funksionimin tonë në përgjithësi. Unë besoj se pas karantinës do të mendojmë ndryshe se si ne e projektojmë të ardhmen, si e zhvillojmë të tashmen, sa kohë kalojmë me familjen, rrethin tonë shoqërorë etj. Ky proces i ristrukturimit të mendimit dhe sjelljes merr energji dhe kërkon forcë fizike e më shumë durim e forcë psikologjike”, ka thënë ai.
Duke folur mbi dukurinë e vetëvrasjeve, Peci ka theksuar se mbi 90% e tyre janë si rezultat i akumulimit të energjisë negative për mbi 6 muaj.
“Megjithatë pavarësisht ekzistencës së vetëvrasjeve impulsive mbi 90% e vetëvrasjeve vijnë si rezultat i mungesës së shpresës, vijnë si rezultat i akumulimit të energjive negative mbi 6 muaj kohë e që vijnë si rrjedhojë e dështimit apo e frikës nga dështimi. Mungesa e ndihmës sistematike e ulë pragun e durimit dhe çon drejt akteve të tilla”, ka theksuar ai.
Psikologu Besnik Peci ka thënë për “Front Online”, se çdo personi të karantinuar duhet t`u ofrohen shërbime mjekësore e psikologjike.
“Karantinimi po bëhet për sigurinë e personave të karantinuar dhe sigurinë e familjarëve të tyre. Secilit person duhet ti ofrohet qasje për shërbime psikologjike e mjekësore falas. Për sukses nevojitet Bashkëpunimi dhe iniciativa reciproke klient – psikolog”, ka pohuar ai për “Front Online”.
Ndihmesë në këtë periudhë, Peci e ka parë edhe linjën telefonike të ndihmës nga Ministria e Shëndetësisë.
“Linjat telefonike e ndihmës ndihmojnë shumë duhet të shfrytëzohen maksimalisht. Linja të tilla I inkurajoj organet gjegjëse t`i mbajnë aktive vazhdimisht me qëllim të mbrojtjes së qytetarëve nga stimujt negativ që prekin shëndetin mendor të popullatës”, ka thënë ai./Front Online
Peci: 90% e vetëvrasjeve, rezultat i akumulimit të energjisë negative për mbi 6 muaj