Ministria e Mbrojtjes ka nënshkruar një kontratë në vlerë 128 mijë euro me kompaninë Eco Cleaning.
Kompania do të bëjë pastrimin e rrobave të ushtarëve dhe mbulesave të tyre, thuhet në Dosjen e Tenderit, të cilën e ka parë Front Online.
Shuma, për të cilët ranë dakord palët, mund të mos harxhohet e tëra.
Kontrata është publike kornizë, që nënkupton se ministria paguan vetëm për aq pastrime të rrobave e mbulesave sa bën tek kompania brenda 36 muajve.
Njoftimi për kontratë ishte bërë në shkurt të këtij viti, megjithatë procesi tenderues u finalizua tek në gusht, shkaku i pezullimit të disahershëm të tenderit si rezultat i ankesave të kompanive pjesëmarrëse, raporton Front Online.
Vonesat siç duket shkaktuan telashe në punën operacionale të FSK-së.
Kjo për arsye se Ministria e Mbrojtjes kishte shkurtuar afatet kohore për dorëzim te tenderit me qëllim që ujdia të finalizohej sa më shpejt që ishte e mundur, ngase e konsideronte si alarmante gjendjen me pastrimin e mbulesave dhe rrobave në shërbimet e brendshme në njësitë e FSK-së, raporton Front Online.
Kërkesa e Departamentit të Prokurimit në Ministri ishte aprovuar nga Agjencia Qendrore e Prokurimit.
Në procesverbalin e hapjes shihet të kenë garuar për kontratë dy kompani.
Fjala është për A.L Dushi, e cila ofertoi me një çmim prej 128 mijë e 560 euro dhe Eco Clean Corporation që konkurroi me një çmim prej 128 mijë e 30 euro, raporton Front Online.
Kompania Eco Clean e fitoi kontratën, shkaku që ofertoi për 530 euro më lirë se biznesi konkurrent, A.L Dushi, në tenderin ku kriter kryesor ishte tenderi i përgjegjshëm.
Tenderi ishte pezulluar fillimisht më datën 8 mars 2023, shkaku se Zyra e Prokurimit në Ministrinë e Mbrojtjes kishte ankesë nga një operator ekonomik për shkelje në njoftimin e kontratës.
Ministria pas kësaj kishte bërë korrigjimet e nevojshëm në njoftimin për kontratë.
Pezullimi i aktivitetit të prokurimit ndodhi edhe më 12 prill, tash shkaku i ankesës së një operatori garues, i cili pretendonte se janë bërë shkelje në njoftimin për vendim të Ministrisë.
Ministria e Mbrojtjes kishte planifikuar 210 mijë euro për këtë kontratë. /Front Online