Katër muaj para përfundimit të vitit 2021, mund të konstatohet, me një qëndrueshmëri të madhe, që ky vit, do të mbahet në mend në Botë si viti kur u mblodhën në një vend, paqartësitë dhe pasiguritë më të mëdha, që prej përfundimit të Luftës së Ftohtë, në vitet 1989-1990, e deri më sot.
Pra, Bota e sotme, në aspektin global, reflekton pasiguri të madhe, e cila si e tillë, sipërfaqëson një shpërputhje të madhe të organizimit ndërkombëtar në përballje me rrethanat e reja politike dhe natyrore në të katër anën e Rruzullit tokësor. Mbase, përshkrimi më i mirë për zhvillimet në Botë që shquhen me të panjohura të shumta, gjithsesi kërcënuese, është ai që i kthehet parashikimeve për rrjedhat politike, ekonomike dhe financiare në Britaninë e Madhe, pas Brexit-it. Thuhej, atëbotë, që Britania e Madhe po hynë në ‘Uncharted Territory’ (‘Territor të panjohur’), në vijim të Brexit-it. Ky konstatim vlenë qind për qind edhe për gjithë Botën, prej këtij viti e tutje. Në dy vitet e fundit (2020, 2021), kanë ndodhur dy zhvillime dramatike në atë marrëdhënien në mes të Njeriut dhe natyrës, të cilat kanë kthyer mbrapsht qëndrimet dhe bindjet mbizotëruese për këtë relacion, apo, kanë tronditur me themel njerëzimin.
Pandemia e cila po vazhdon tuje, duke hyrë së shpejti (në nëntor), në vitin e tretë të saj, ishte goditja e parë. Mbi 4.5 milionë veta kanë humbur jetën në Botë, dëmet financiare dhe ekonomike janë të pallogaritshme, kthimi në një normalitet të mirëfilltë, i paralajmëruar shumë herë që nga pranvera e vitit të kaluar, duket aktualisht i paaritshëm brenda disa muajve, a më shumë.
Koncepti i tejkalimit të kërcënimit të Covid-19, i cili supozohej që do të arrihej me një vaksinim masiv, duket se po i lë vend një bindjeje tjetër të bashkëjetesës me te, duke shpresuar që në një të ardhme të afërt, fuqia e këtij virusi do të bie, si në rastin e të gjithë virusëve pararendës.
Ama çfarë ka qenë e pritshme dhe e logjikshme për virusët e tjerë, nuk ka pasur vlerë, së paku deri më tash, për Covid-19.
Ky vlerësim vetëm sa shton pastaj dyshimet për origjinën e tij të njëmendtë, dhe paralajmëron, për më shumë dhe për më keq, çfarë mund të na ndodhë në vitet dhe deceniet në vijim.
Goditja e dytë është paralajmëruar tash e dhjetëra vjet nga ambientalistët, teksa është përkrahur vetëm pjesërisht prej politikanëve.
Çfarë pasojash për klimën dhe për të gjithë ne ka në të vërtetë ‘Ngrohja globale’, si asnjëherë më parë është kuptuar gjatë këtij viti, me kombinimin e temperaturave më të larta të shënuara për dhjetëra vjet, me vërshimet në të gjitha anët e Botës. Duket që pakkush, pas këtyre lëvizjve të mëdha klimatike të këtij viti, mund ta vë në dyshim supozimin për përkeqësimin e mëtejmë të kushteve të jetesës për gjithë njerëzimin. Teksa këtu, në këtë sprovë për të gjithë ne, deri sivjet ka mbizotëruar vlerësimi që disi mund të ketë bashkjetesë, por jo edhe tejkalim të kërcënimit të ‘Ngrohjes globale’, duket që tash e tutje, synimi duhet të jetë tek tejkalimi i tij, për të cilin kërkohen dhjetëra vjet të një pune të përbashkët në të katër anët e Botës.
Në te dy raste, si në Pandemi, ashtu edhe në ‘Ngrohjen Globale’, kemi të bëjmë me fenomene globale, të cilat nuk e kursejnë askënd, asnjë kontinent, asnjë shtet, asnjë popull, asnjë anë të Botës.
Në shikim të parë pra, kur rreziqet e këtij lloji janë universale dhe gjithpërfshirëse, do të duhej të ishte parimisht më lehtë (se në rastet tjera, kur këto rreziqe nuk janë të këtij soji), për të organizuar një përgjegje që i ka të njejtat veçori, pra që është universale dhe gjithpërfshirëse.
Por, diçka e tillë nuk ka ndodhur në dy vitet e fundit me Pandemi, dhe nuk ka shenja që do të mund të konstatohet edhe në këtë përballjen me ‘Ngrohjen Globale’. Është e vërtetë që Pandemia dhe ‘Ngrohja Globale’ nuk shkaktojnë dëme të njejta, kudo në Botë. Por suksesi në ballafaqimin me to, kërkon një organizim të përgjithshëm, i cili nuk shihet kund në horizont.
Goditja e tretë që e ka bërë Botën të pasigurtë, vjen nga politika dhe jo nga natyra, megjithëse në të tri rastet, burimi kryesor i tyre është vet njeriu.
Pamjet e tërheqjes të forcave amerikane nga Kabuli, kryeqyteti i Afganistanit, e cila u mbyll me 30 gusht, megjithëse e tëra kjo ka qenë e ditur për vite, dhe e paralajmëruar sakt prej dy Administratave të fundit të Presidentëve Trump dhe Biden, janë shenjë e qartë që Bota e tashme, në këtë dimensionin politik, nuk ka gjë të përbashkët me atë që u shfaq pas rrëzimit të Murit të Berlinit, me 9 nëntor të vitit 1989.
Në Berlin dhe në atë Evropën e atyre viteve, ndodhi fitorja e Perëndimit dhe e Demokracisë Liberale.
Kjo ishte pika më e lartë e Qytetërimit Perëndimor, fakt ky që dhjetë vjet më pas, në vitin 1999, do të ketë rëndësi vendimtare për çlirimin e Kosovës.
Tani, ndodhemi në pikën më të ulët politike të Perëndimit, në një Botë që duket do të jetë shumë-polare, pas atij 45 vjetëshit të Botës bi-polare (me SHBA-në dhe Bashkimin Sovjetik si kryeprotagonistë), dhe këtij 30 vjetëshit (a më pak, madje), të Botës uni-polare (me SHBA-në si prijëse në Botë).
Vendi i Kosovës në këtë Botë është i qartë, i përcaktuar me raportet tona me SHBA-në, me Evropën, me Perëndimin në Përgjithësi.
Fati i ynë është i ditur.