Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) më 11 mars 2020, njoftoi opinonin publik se virusi COVID-19 zyrtarisht shpallet një pandemi, pasi përfshiu 114 vende të Botës.
Sipas “Worldometers” nga data 31 dhjetor 2019 deri më 25 qershor 2020 janë raportuar gjithsej 9.456.036 raste të COVID-19 dhe 483.247 raste të vdekjes, përcjellë Klan Kosova.
Pasojat Ekonomike nga pandemia COVID-19, kanë ndikuar edhe në ekonominë e Kosovës. Banka Botërore ka paraparë rënie të ekonomisë në Kosovë prej 4.5 për qind në vitin 2020, por që do të rikthehet me trende pozitive gjatë vitit 2021. Kjo rënie ekonomike në Kosovë ndikoj edhe në uljen e eksportit në muajin Prill për 4.4 milionë euro.
Burim Piraj, një nga prodhuesit kryesor të produkteve të përpunuara të mishit, tha se tash janë në një situatë të vështirë. “Ndryshimi është shumë i madh, prodhimet që i kemi eksportuar janë prodhime të lidhura me gastronomi kryesisht me piceri dhe pasi që piceritë në Shqipëri kanë qenë të mbyllura” edhe aktivitet ynë ka rënë dukshëm. Tutje ka shtuar se kanë pasur reduktim të vlerës së eksportit. “Si pasojë e pandemisë të shkaktuar nga COVID-19, kemi bërë një eksport shumë të reduktuar në vlerën 10% të vlerës së rregullt”, u shpreh ai.
Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganën e Kosovës, deklaroi për Epoka e Re, në muajin prill kishte rënie të vlerës së eksportit në shumën prej 4.4 milionë eurosh (nga 34 milion Euro në 28,5 milionë) në krahasim me të njëjtin muaj të vitit 2019. “Gjatë muajit mars 2020 eksporti nuk ka pësuar ndryshime, pasi ruajtur trendin e njëjtë, pra kemi pasur 28.5 milionë eksport që krahasuar me marsin 2019, kur kemi pasur 27.1 milionë. ka thënë Adriatik Stavileci.
Lidhur me këtë, profesori i ekonomisë Muhamet Mustafa nga Instituti Riinvest, ka deklaruar se bazuar në rrethanat pandemike këto trende të eksportit kanë qenë të pritshme. “Zvogëlimi prej 13% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2019, nuk është për t’u habitur kur kemi parasysh kushtet në të cilat kanë punuar eksportuesit tanë, do të mund të pritej një rënie edhe më e madhe. Megjithatë trendët mujore të eksportit njohin oscilime për arsye të ndryshme, prandaj për të dhënë vlerësime më të plota ndoshta duhet të shohim edhe muajin maj, apo të paktën edhe një tremujor. Kam frikëse pengesat e shumta logjistike do të mund të thellojnë edhe më tutje këtë rënie”, ka thënë Mustafa.
Sektori i eksportit që derivion nga industria përpunuese duhet ta këtë kujdesin e duhur të qeverisë. “Në përgjithësi eksportuesit kanë nevojë për mbështetje sistematike, e me kryesore qeveria duhet të ndihmojë më masa indirekte në rritjen e aftësive konkurruese, stadardeve të certifikimit dhe standardeve të cilësisë. Nuk ka diçka tjetër në krahasim me afaristët tjerë, por sektori i prodhimit, e në kuadër të tij eksportet duhet të kenë kujdesin e merituar dhe të trajtohen me kujdesin e duhur”, u shpreh Mustafa.
Ndërsa kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiq, ka thënë për gazetën Epoka e re, se rënia e eksporti është e pritshme edhe më tutje për shkak të rënies së kërkesës globale, gjë që sipas tij, kjo do të ketë impakt edhe tek ne. “Rënia e eksportit është e pritshme për shkak të rënies së kërkesës në tregjet globale.
Eksportet do të jenë të dëmtuara dhe për ne kjo ka impakt të madh. Sado pak që kemi eksportuar, kjo ka pas rëndësi për ne, sidomos për disa sektorë që sapo e kanë filluar një rritje të lehte të prodhimit dhe eksportit. Që të mbahen në loje dhe të mbijetojnë këta sektorë dritare e veçantë e fondit për rimëkëmbje duhet të jetë eksporti”, u shpreh Rukiqi.
Një fond i veçantë për mbijetesën e eksportuesve nga pasojat e COVID-19
Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Kosovës, Nexhat Hasani, ka thënë bazuar në rrethanat pandemike eksportuesit në Kosovës do të përballën më gjendje të rënduar ekonomike.
Ai ka apeluar tek Qeveria e Kosovë që të ketë një fond të veçantë për eksportuesit. “Bazuar në rrethanat pandemike është reale rënia e eksportit dhe padyshim që do të kalojnë pesë apo gjashtë muaj deri në rimëkëmbje. Jemi në krizë ekonomike, për mos të thënë në kolaps, dhe do të jetë problem të marrim vetën pas kësaj katrahure. Mirëpo, pa ndihmën institucionale është problem që prodhuesit do ta rimarrin vetën dhe do të ketë rimëkëmbje ekonomike. Qeveria e Kosovës, duhet ta këtë një fond të veçantë për eksportuesit, pasi pakoja emergjente është e mirëpritur, por jo e mjaftueshme për rimëkëmbje të prodhuesve dhe eksportueseve. Pakoja e Qeverisë është e mirëseardhur, por ndihma është e vogël, ne edhe ashtu kemi qenë në krizë pa këtë pandemi, gjë që kjo pandemi do ta thelloj dhe më shumë krizën ekonomike. Prandaj, qeveria duhet të ndaje më shumë mjete për prodhuesit, sidomos për eksportuesit”, u shpreh ai.
Hasani: Shteti italian nga ndihma prej 400 miliardë eurosh, 200 miliardë ka ndarë për eksport.
Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Kosovës, Nexhat Hasani, ka përmendur rastin e Italisë si shembull të ndihmës që u është ofruar eksportuesve, ku nga shume e ndarë prej 400 miliardë eurosh, 200 miliardë i janë dedikuar eksportit.
”Pa dashur ta krahasoj Kosovën me Italinë, pasi ne jemi vend i vogël, porse vetëm dua ta marr si paralele. Në Itali janë ndarë 400 miliardë euro për krizë ekonomike, kurse 200 miliardë janë ndarë vetëm për eksportuesit. Prandaj them se institucionet duhet të bëjnë edhe më tepër për ta ndihmu ekonominë, është situatë edhe më e rëndë për ata që janë të papunë, andaj më anë të ndihmës ata do të mund të kyçeshin në tregun e punës ose të hapnin biznese të vogla ose me fonde të Qeverisë, ose nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore të marrim mjete për t’i investuar në ekonominë e Kosovës në mënyrë që të dalim nga kriza. Fond i veçantë për eksportuesit, është një prej parametrave kyçe që ndikon në zhvillim ekonomik, përjashto investimet e drejtpërdrejta kapitale”, u shpreh ai.