Rreth 20 protestues u grumbulluan paraditen e 2 shtatorit 2021 në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, të cilët zëshëm kundërshtonin vendimin e Qeverisë së Kosovës për bartje të maskës, por edhe kërkesat e vazhdueshme të autoriteteve për vaksinim, përderisa në të njejtën ditë mbi 20 mijë qytetarë gjithandej vendit, duke pritur në radhë dhe pa bërë zhurmë u imunizuan kundër COVID-19.
Interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar në ditët e fundit të sezonit veror vetëm sa po rritej, pasi që në shtetin e vogël të Evropës me rreth 1.8 milionë banorë, varianti Delta i COVID-19 kishte disa ditë që po bënte “kërdinë”, përderisa numri i viktimave nga ky virus vdekje prurës më 2 shtator kishte arritur në 32 dhe mbi 1600 veta ishin infektuar.
Shifër edhe më e lartë e viktimave të COVID-19 u shënua katër ditë më herët, përkatësisht më 29 gusht 2021, kur Kosova kishte regjistruar më së shumti viktima në botë nga COVID-19 për 1 milionë banorë në 24 orëshin e fundit, duke lënë mbrapa Gjeorgjinë, Maqedoninë e Veriut, Tunizinë dhe Xhamajkën. Në këtë ditë 36 kosovarë humbën betejën me Coronavirusin.
Megjithë numrin e lartë të vdekjeve (rreth 3000 që nga fillimi i pandemisë) dhe infeksioneve (mbi 160 mijë), Kosova ende radhitet në mesin e shteteve të Ballkanit Perëndimor me më së paku qytetarë të vaksinuar kundër këtij virusi, ku dy dozat e vaksinave deri më tani i kanë marrë vetëm rreth 30 % e qytetarëve.
Situatë alarmante me vaksinim mbretëron në mesin e komuniteteve joshumicë në Kosovë, përkatësisht atij RAE, ku statistikat e qytetarëve të imunizuar deri më tani kundër COVID-19 janë njëshifrore.
***
Në Kosovë vaksinimi ende nuk është bërë i obligueshëm, përderisa nga 3 shtatori 2021 Qeveria ka marrë vendim që nëpunësit shtetëror mos të lejohen të punojnë pa dëshminë e vaksinimit ose pa prezantuar testet përkatëse. Kjo për faktin se ende ka hezitim mes qytetarëve për vaksinim dhe me një kufizim të tillë synohet rritja e qytetarëve të imunizuar.
Përdallim nga Kosova, shtete të ndryshme të Evropës dhe të botës po e bëjnë vaksinën kundër COVID-19 të obligueshme.
***
Jo pak qytetarë të Kosovës ende kanë rezervat e tyre për ekzistimin e virusit, mes të cilëve ka edhe figura publike.
Në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë përpos që është vonuar me vaksinim, proces ky që ka filluar në qershor të këtij viti, ka dështuar edhe nëpërmjet fushatave vetëdijësuese t’i bind qytetarët për domosdoshmërinë e vaksinimit dhe t’ua heqë dilemat shumë skeptikëve të virusit se vaksinat nuk kanë “çip”.
Se vaksinat nuk kanë “çip” dhe janë të sigurta për shëndetin e qytetarëve të Kosovës është detyruar ta bëj një njoftim në ueb faqen e saj zyrtare edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.
Derisa skeptikët e tillë ekzistojnë dhe statistikat e të vaksinuarëve plotësisht ende janë të ulëta në Kosovë, obligimi i qytetarëve për t’u vaksinuar kundër COVID-19 është thënë se shkel të drejtat e njeriut, prandaj edhe autoritetet vetëm apelojnë për vaksinim.
Se ku është kufiri në mes të kujdesit të shëndetit të qytetarëve dhe shkeljes së të drejtave të njeriut, ekspertë amerikan që janë angazhuar në hartimin e Ligjeve për Shëndetësi kanë argumentuar vazhdimisht se zgjedhja që bën një person ndikon në shëndetin e njerëzve të tjerë dhe publikut në përgjithësi, prandaj njerëzit nuk kanë të drejtë themelore ta refuzojnë vaksinimin.
Madje ata kanë bërë edhe një krahasim interesant mes vaksinës dhe kufijve të shpejtësisë së automjeteve. “Një person mund të dëshirojë të ngasë veturën 100 km/h në një rrugë banimi. Ata mund të mos besojnë në kufijtë e shpejtësisë, por prapëseprapë atyre u kërkohet ta respektojnë kufizimin për hir të njerëzve që mund të kalojnë rrugën ose duhet të tërhiqen nga rrugët e tyre”. Kjo premisë e drejtë, që ruan edhe shëndetin publik, do të mund ta arsyetojë një politikë të tillë: “Pa vaksinë, s’ka punë”.
Opinioni u botua në platformë okruzenje.net