Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka takuar tri ish-presidentët, Fatmir Sejdiu, Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli.
Ajo tha se përvoja e secilit prej tyre është e rëndësishme për rrugëtimin që do ta ndjekë ky institucionin.
Osmani shtoi se ata u pajtuan që vazhdimisht të konsultohen për çështje në interes të vendit.
“Mendimi i tyre i vlefshëm do të respektohet”, tha ajo.
“Kultura e mirëfilltë shtetërore ndërtohet vetëm duke e njohur dhe respektuar traditën institucionale dhe duke e shndërruar atë në përvojë të vyer, së cilës mund t’i referohemi dhe nga e cila mund të mësojmë vazhdimisht.
Për këtë qëllim, sot pata kënaqësinë t’i pres dhe të bashkëbisedoj me ish-presidentët e Kosovës, Prof.dr. Fatmir Sejdiu, znj. Atifete Jahjaga dhe z. Behgjet Pacolli. Përvoja e secilit prej tyre është e rëndësishme për rrugëtimin që do ta ndjekë institucioni ynë, por edhe mundësi për të krijuar një frymë të re në jetën tonë institucionale, atë të këshillimit të vazhdueshëm me ish-presidentët, si njerëz të cilët kanë bartur mbi supe barrën e udhëheqjes së institucionit më të lartë të vendit në periudha të ndryshme.
Bashkërisht u pajtuam që vazhdimisht të konsultohemi për çështje në interes të vendit. Mendimi i tyre i vlefshëm do të respektohet, ndërsa ne do t’i inkurajojmë ata që në cilësinë e ish-presidentëve ta vazhdojnë përkushtimin ndaj Kosovës, duke e shpërndarë imazhin e vendit të tyre gjithandej botës, nëpër forume të ndryshme politike e përfaqësuese”, shkroi ajo./Front Online/
https://www.facebook.com/VjosaOsmaniMP/posts/299111911573355