×
  • Opinione
  • Opinione

    Online “patriotët”

    FrontOnline
    26 Janar 2022

    Kur ua kritikon të adhuruarit e tyre, online “patriotët” nuk përtojnë të nxjerrin “armët” dhe të shajnë, fyejnë, kërcënojnë e linçojnë. Të dhimbsen për mendësinë e tyre, për mjerimin e tyre. Të vjen keq në çfarë iluzionesh jetojnë.

    Njëri kërcënon me “plumb në ballë”, tjetri me shfarosje “tënden dhe të familjes”, i treti shan me nënë, i katërti shan me “listë shpie”, i pesti të ofendon me terma denigrues e kështu me radhë. Kjo është mënyra sesi online “patriotët” sulmojnë të gjithë ata që shprehin kritikë a mospajtim kryesisht me ndonjërin nga politikanët e tyre të preferuar.

    Për këtë soj patriotësh nuk është hiç me rëndësi se çfarë ke thënë, a ke pasur ose jo të drejtë, për çfarë është përgjegjës idhulli i tyre. Për ta mjafton që ke guxuar “të shash” atë që ata e konsiderojnë të shenjtë, të pagabueshëm e të paprekshëm. Për ta ti je automatikisht i keqi, i ligu, ai që duhet sharë, sulmuar e vrarë, sepse ke guxuar të debatosh me atë që ata e konsiderojnë të rëndësishëm, më të rëndësishmin, baba politik të tyre.

    Nuk kishte si të ndodhte ndryshe as pas debatit me deputetin Sali Berisha në “Debat Plus”. Mijëra komente fyese, qindra mesazhe kërcënuese e çka jo tjetër. Njerëz pa pikën e arsyes, njerëz që nuk iu intereson kush ka të drejtë, njerëz që nuk duan të kuptojnë si është puna vërtet, të atillë që symbyllazi ndjekin pas atë që i deh me deklarata të zjarrta, atë që sipas tyre nuk gabon asnjëherë, atë që ua ushqen iluzionet me fjalë boshe e premtime kot.

    Një mendje racionale nuk i kupton të tillët dhe reagimet që ata kanë. Sepse, është e çuditshme dhe e paarsyeshme që ata të mos zgjedhin formë e mjete për të mbrojtur idhullin e tyre e për t’i sulmuar ata që e kritikojnë ose debatojnë pak më hapur dhe më drejtpërdrejt me të. Por, në të tillët nuk ka asgjë racionale. Arsyeja nuk iu funksionon, iu funksionojnë veç gishtat për të shkruar në rrjete sociale kërcënime që shpesh nuk kuptohen, sepse janëtë shkruara dobët dhe pa sens. Iu funksionon edhe goja që të shajnë e kërcënojnë në telefon.

    * * *

    Kur merresh një kohë të gjatë me një aktivitet publik, është e natyrshme të vihesh shpesh në situata të tilla. Aq shpesh sa e shfaq një mendim, e nxjerr një deklaratë dhe kritikon dikë. Së pari provojnë të të ndërlidhin me parti politike, njerëz të partive, grupe të caktuara të interesit e të tjera. Kur kjo nuk iu ec, atëherë provojnë të denigrojnë me thashetheme e shpifje të paskrupullta. Provojnë të vendosin në taborrin e të paguarve nga dikush që është armik i idhujve të tyre dhe i vendit në përgjithësi, provojnë ta mveshin epitetin e një bashkëpunëtori të shërbimeve të huaja, nxisin urrejtje e mosdurim, sulmojnë e linçojnë.

    Po të lexosh ”argumentet” e atyre që shajnë e përgojojnë (natyrisht, në plot raste nëse e merr vesh çfarë kanë shkruar e çfarë kanë dashur të thonë), vëren se nuk kanë fare të bëjnë me ato që janë thënë në debat ose ato që janë shkruar. Në fakt, këta “patriotë” që shesin pseudopatriotizëm në Facebook dhe rrjete të tjera sociale as që e kanë dert thelbin e debatit, thelbin e kritikës. Për ta ti automatikisht je i keqi, rrenci, shpifësi, ndërkaq, idhulli i tyre është i miri, i dituri. Për ta je i shitur, i blerë, i porositur, i dërguar nga qarqe të dyshimta, kurse i adhuruari, i preferuari i tyre është i pafajshëm, engjëll, i pastër, pa të metë.

    Krekosja e këtyre online “patriotëve” shkon flakë në Facebook. Shumë syresh jetojnë diku në Europën Perëndimore ose përtej Atlantikut dhe hiç nuk përtojnë, madje e kanë “sport” të preferuar të shajnë e të fyejnë. Po të shohësh komentet e tyre të mbushet mendja se janë trima shkuar trimash, por nuk janë gjë tjetër veç ca mjeranë që aq dinë, aq flasin.

    * * *

    Vetëm mund të supozohet se çfarë bluajnë në mendje shumë nga ata që vërshojnë me sharje e kërcënime. Të vjen turp të publikosh ato çfarë shkruajnë privatisht – jo aq për përmbajtjen e pistë, sa për nivelin e shkrimit, shprehjes, logjikës. Të vjen çudi se si te shumica nga ta nuk ka ndikuar fare, asnjë grimë të jetuarit në vende perëndimore, në shoqëri demokratike, shoqëri normale. Të vjen keq sa të mjerë, sa idiotë e të pagdhendur janë shumë nga ta.

    Dhe, po, është e kotë të merresh me ta seriozisht, aq më pak të provosh t’u sqarosh diçka ose t’ua argumentosh të kundërtën. Sepse, ata kanë të tjera qëllime – të shfaqen trima, të rrahin gjoks e të shesin kinse patriotizëm. Duke mos i harruar sharjet “me rob shpije” e plumbin në ballë. Por duke harruar sa mjeranë, sa kotësira janë.

    Nga Rubrika
    Opinione03 Janar 2025
    Nga Richard Kemp: Ndërsa viti 2025 ka filluar, pesimizmi për fatin e Ukrainës rri pezull në ajër, ndërsa kutërbimi i paqësimit ndihet...
    Opinione02 Janar 2025
    Ekipi i sapozgjedhur i BE në Bruksel në 2024 ka shumë për të bërë. Si mund të arrihet kjo pa një tandem...
    Opinione01 Janar 2025
    Shkruan: Blerim Shala Viti 2025, i cili tashmë i ka hapur portat për të gjithë ne, do të jetë politikisht një vit...
    Të tjera
    Vip03 Janar 2025
    Drenusha ka folur për fazën e depresionit të cilën e ka përjetuar pas ndarjes nga ish bashkëshorti, Atilla. Krejt kjo sipas saj,...
    Lajme03 Janar 2025
    Kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës, nga radhët e PDK-së, Ilir Tahiri ka njoftuar se ka vizituar sonte Reçakun. Tahiri thotë...
    Lajme03 Janar 2025
    Këtë të premte një person është plagosur në lagjen Arbëria në Prishtinë. Ai është dërguar në QKUK në gjendje të rëndë si...
    Vip03 Janar 2025
    Xheneta është deklaruar pasi familja e Gjestit nuk e përmendi, gjersa ishin duke biseduar më këtë të fundit. Ajo thotë se është...
    Vip03 Janar 2025
    Gjatë ‘Prime’, Xheneta ka folur për mashkullin të cilin la një njohje jashtë. Në momentin kur ajo filloi të flasë për këtë...
    Lajme03 Janar 2025
    Me depërtimin e frontit të ftohtë, të shtunën parashikohet që gjatë orëve të para të 24-orëshit e deri në mëngjes të ketë...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.