Oda e Afarizmit të Kosovës ka kërkuar nga Agjencia e Statistikave që të bëjë publikimin e statistikave me Anketën e Fuqisë Punëtorë në vend.
Sipas OAK-së, mospublikimi i statistikave në kohë për gjendjen reale në vend po vështirëson çasjen dhe vlerësimin e gjendjes. Për këtë arsye Oda e Afarizimit të Kosovës (OAK) kërkon nga Agjencia e Statistikave të Kosovës që publikimi i raporteve për vlerësimin e gjendjes në vend të bëhet në kohë reale dhe pa vonesa. Në të kundërtën mungesa e informacioneve për statistikat në kohë reale po vështirëson punën e bizneseve, qytetarëve dhe institucioneve.
“Aktualisht, nuk janë ende të publikuara statistikat e Anketës së Fuqisë Punëtore për TM4-2020, përderisa në vitin 2020, statistikat e TM4 për vitin 2019 janë publikuar më 19 mars 2020, kurse tani jemi në muajin qershor dhe të dhëna të tilla janë ende të padisponueshme”, thuhet në reagimin e Odës së Afarizmit të Kosovës.
Gjithashtu ka pasur vonesa në publikimin e statistikave për tremujorin dytë dhe të tretë të vitit të kaluar dhe vetëm pas përfundimit të zgjedhjeve, këto raporte mbrenda një jave janë publikuar.
“Ne si Odë e Afarizmit të Kosovës (OAK), kërkojmë që mos të ketë vonesat të tilla në publikim të raporteve, pasi të njëjtat po vështirësojnë punën e bizneseve, qytetarëve dhe vetë institucioneve si dhe vlerësimi i gjendjes reale në vend po është pothuajse i pamundshëm”, thuhet më tutje në reagim.
Sipas OAK-së, vonesa të tilla nuk kanë pasur vendet e rajonit përfshirë këtu Shqipërinë dhe Maqedoninë, as gjatë kohës së ballafaqimit me pandeminë kur vlerësimi i gjendjes dhe grumbullimi i të dhënave përbënte problem në vete për shkak të masave restriktive të vendosura për mbrojtje nga Covid-19 në gjithë botën./FrontOnline