×
  • Opinione
  • Opinione

    Nxitja e kërkesës për aftësi teknologjike dhe shteti

    Fadil Sahiti
    28 Qershor 2024

    Është thelbësore që politikëbërësit dhe prodhuesit kosovarë të kuptojnë se pa koordinim të punës nuk mund të ketë progres. Gjithashtu, është iluzore të priten rezultate të shpejta, pasi zhvillimi i aftësive teknologjike është një proces kumulativ, evolutiv dhe mbi të gjitha është funksion i ‘të mësuarit’. Vizioni i përbashkët dhe angazhimi i sinqertë si nga ana e shtetit dhe nga ana e sektorit privat, është një hap thelbësor në drejtimin e duhur…

    Fadil Sahiti

    Natyrisht, shteti nuk mund të jetë bartësi kryesor i zhvillimit të aftësive teknologjike industriale të një ekonomie. Kompanitë industriale janë bartëse të këtij zhvillimi. Ajo që shteti mund dhe duhet të bëjë është të stimulojë rritjen e kërkesës së tregut për aftësi teknologjike. Kjo ndodh kur kompanitë kuptojnë se avantazhi konkurrues në treg rritet duke rritur nivelin e aftësive teknologjike. Nëse avantazhi konkurrues i firmave në treg fitohet përmes lidhjeve politike, përmes korrupsionit, monopoleve apo oligopoleve dhe sjelljeve të tjera antikonkurruese, atëherë pse të shpenzohen para për zhvillimin e njohurive dhe aftësive teknologjike industriale?

    Të gjeturat nga anketat me prodhuesit kosovarë sugjerojnë se tregu ynë vuan nga shumë dështime. Menaxherët e firmave industriale kosovare e konsiderojnë konkurrencën e pandershme si një nga faktorët kryesorë që ndikon në (mos)zhvillimin e firmave që ata menaxhojnë. Prandaj, hartimi dhe veçanërisht zbatimi i ligjeve dhe rregulloreve që mbështesin lojën e lirë dhe të ndershme në tregun vendas është premisa bazë për rritjen e kërkesës për aftësi teknologjike. Por përveç ligjeve që mbështesin tregun e lirë, institucionet tona duhet të hartojnë politika që mbështesin sektorë dhe kompani të veçanta industriale. Kjo nuk mund të bëhet lehtë dhe pa rreziqe. Bazuar në përvojën e vendeve të industrializuara rishtaz, studiues të ndryshëm kanë nxjerrë përfundime të cilat në formën e fakteve të stilizuara mund të përmblidhen si më poshtë.

    Së pari, masat promovuese dhe mbështetja institucionale duhet të jetë shumë selektive. Duhet të promovohen firmat që kanë potencial të qartë për eksport, veçanërisht ato firma prodhuese që kanë potencial të qartë për të arritur efikasitet të prodhimit të klasit botëror. Qëllimi i mbështetjes duhet të jetë krijimi i llojit të ‘firmave model’. Në kontekstin kosovar, një mbështetje e tillë mund t’u ofrohet, për shembull, prodhuesve të pijeve si Frutex (Golden Eagle), Birra Peja, apo prodhuesve të produkteve të drurit si Binni. Mbështetja duhet të fokusohet në nevoja specifike, si rritja e aftësive prodhuese dhe informacioni teknik, rritja e strukturës industriale, etj.

    Së dyti, mbështetja institucionale duhet të jetë e kufizuar në kohë. Kur firmat arrijnë një nivel të caktuar pjekurie, ato duhet të motivohen të mësojnë të përballen vetë me konkurrencën globale, pa mbështetje institucionale.

    Së treti, firmat e promovuara duhet të inkurajohen që të fillojnë të eksportojnë herët një pjesë të konsiderueshme të prodhimit të tyre. Kjo është mënyra e vetme ku firmat mësojnë se çfarë u nevojitet për të arritur standardet ndërkombëtare të prodhimit – rritjen e cilësisë së produktit, rritjen e efikasiteti të prodhimit, etj.

    Së katërti, rritja e efikasitetit të prodhimit shpesh varet nga furnitorët e lëndës së parë dhe faktorët specifikë të prodhimit. Për shembull, nëse firma prodhuese ka nevojë për një lloj specifik të aftësive inxhinierike, në vend që të vazhdojë të mbrojë prodhuesin, qeveria duhet të sigurojë që institucionet arsimore të vendit ta krijojnë atë aftësi. Ose, në rastet kur efikasiteti produktiv varet nga efikasiteti i furnitorëve, atëherë shteti duhet të promovojë si furnitorët ashtu edhe prodhuesit.

    Si përfundim, idetë e parashtruara më lart nuk pretendojnë të jenë ‘panacea’ për të gjitha problemet e sektorit industrial në Kosovë. Por, është thelbësore që politikëbërësit dhe prodhuesit kosovarë të kuptojnë se pa koordinim të punës nuk mund të ketë progres. Gjithashtu, është iluzore të priten rezultate të shpejta, pasi zhvillimi i aftësive teknologjike është një proces kumulativ, evolutiv dhe mbi të gjitha është funksion i ‘të mësuarit’. Vizioni i përbashkët dhe angazhimi i sinqertë si nga ana e shtetit dhe ai i sektorit privat, është një hap thelbësor në drejtimin e duhur.

    /Autori është profesor i menaxhmentit dhe ndërmarrësisë në Universitetin RIT të Kosovës (AUK). Së fundmi ka botuar: “Industrial Policies for Technological Upgrading in Western Balkan Countries: Economic Growth and Development”, Springer, Palgrave Macmillan, 2024

    Nga Rubrika
    Opinione09 Janar 2025
    Shkruan: Christiaan Alting Von Geusau Duket se arritja legjislative më e spikatur e Bashkimit Europian në vitin 2024 ka qenë detyrimi që...
    Opinione08 Janar 2025
    Kushtëzimi i certifikimit të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet dhe institucionet e Kosovës me njohjen e shtetit, simboleve dhe dokumenteve të...
    Opinione07 Janar 2025
    Nga Adri Nurellari  Vendimi për të ndaluar “TikTok”-un në Shqipëri është një shfaqje e ludite e ngutshme dhe e cekët, që shmang...
    Të tjera
    Vip11 Janar 2025
    Banorja e edicionit të tretë të Big Brother VIP Kosova, Sara nuk është tërhequr nga ajo që i ka thënë Gresës ditë...
    Lajme11 Janar 2025
    Lidhja Demokratike e Kosovës do të nis fushatën zgjedhore në ora 17:00 në Pallat të Rinisë. Mbrëmë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku,...
    Lajme11 Janar 2025
    Zyrtarët policorë në koordinim me Prokurorinë Themelore–Ferizaj, më 10.01.2025, në orët e pas ditës në Ferizaj, në zbatim të një plani operativ,...
    Bota/Rajoni11 Janar 2025
    Pesë vjet më parë, një virus i panjohur deri atëherë e zhyti njerëzimin në një krizë të paprecedentë: më 11 janar 2020...
    Lajme11 Janar 2025
    Albin Kurti, kandidati për kryeministër i Vetëvendosjes, ditën e parë të fushatës zgjedhore e nisi në Gjakovë. Në një postim në Facebook,...
    Lajme11 Janar 2025
    Altin Krasniqi, kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), së bashku me kandidatët e tjerë për Kuvendin e Kosovës, zhvilluan...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.