Me datën 16 tetor 2020, në orën 11:10 Policia e Kosovës ka pranuar informatë se në fshatin Plemetin të Obiliqit ka ndodhur një rast, ku disa të dyshuar meshkuj shtetas të Kosovës të nacionalitetit serb, dyshohet se kanë sulmuar një të ri mashkull kosovar, të moshës së mitur.
Bazuar në informacionet e deritanishme të policisë, dyshohet se shkak i incidentit, rrahjes së ndodhur jashtë objektit të shkollës, në afërsi të hekurudhës, ka qenë një mosmarrëveshje verbale në mes tyre.
Njësitë policore menjëherë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore dhe në vendin e ngjarjes kanë arritur të sigurojnë informacione se viktima mashkull shtetas i Kosovës i nacionalitetit shqiptar (i mitur), nxënës i shkollës fillore në Plemetin, ishte sulmuar nga disa të dyshuar (po ashtu të mitur), nxënës të shkollës fillore “Shën Sava” në Plemetin.
Njësitë policore kanë arritur të identifikojnë dy të dyshuarit shtetas të Kosovës të nacionalitetit serb, të cilët dyshohet se kanë sulmuar fizikisht viktimën. Të gjitha veprimet e mëtutjeshme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
Policia e Kosovës do të vazhdojë të jetë e angazhuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe ofrimit të sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallime.