Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka filluar hetimet ndaj një polici i cili ka dënuar qytetarët në Rahovec për mosvendosje të maskës, derisa vetë nuk po e bartte një të tillë.
Drejtori Lumni Graishta ka thënë se janë marrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për verifikimin e informatës së shpërndarë në media.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, referuar artikullit të publikuar në media, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për verifikimin e informatës dhe identifikimin e zyrtarit policor të paraqitur në videon e publikuar”, ka deklaruar Graishta.
Graishta bëri të ditur se ndaj zyrtarit policor është iniciuar procedurë për hetime të brendshme.
“Ndaj zyrtarit policor është iniciuar procedurë për hetime të brendshme, për zhvillimin e së cilës është autorizuar Stacioni Policor në Rahovec ndërsa masa disiplinore për këtë lloj shkeljeje mund të mos kufizohet vetëm në ndalesë në pagë apo edhe masa tjera disiplinore”, ka thënë Graishta për Express.