×
  • Opinione
  • Opinione

    “Normalizimi” i Kurtit

    FrontOnline
    25 Qershor 2021

    Albin Kurti ka arritur fitore bindëse duke kritikuar pushtetet e kaluara dhe duke proklamuar zgjidhje ideale për gjithçka. Tash, si kryeministër, ai po sillet dhe po vepron ndryshe nga sa ka qenë në opozitë. Pushteti e ka “normalizuar” dhe e ka bërë më racional. Ai duhet të tregojë nëse ka qenë i vërteti ai i opozitës, apo është ky i pushtetit.

    Kundër dialogut, kundër zotimeve të Ëashingtonit, kundër nepotizmit, kundër mini Schengenit, kundër Asociacionit… kundër gjithçkaje. Ky ishte Albin Kurti i opozitës, Albin Kurti që kundërshtonte thuajse gjithçka që bënin pushtetet e kaluara.

    Atëbotë për të dhe Vetëvendosjen nuk duhej të ndodhte dialogu me Serbinë, thuajse të gjitha marrëveshjet ishin të dëmshme. Atëbotë për të dhe Vetëvendosjen emërimet politike ishin të njëjta si punësimet politike. Por, gjërat po ndryshojnë prej se Kurti është në karrigen e kryeministrit për herë të dytë. Ai çdo ditë e më shumë po “normalizohet”, po bëhet ma racional dhe po e zhvesh petkun e opozitarit të pandreqshëm.

    Sa ishte në opozitë Kurti thoshte se kur të vijë në pushtet nuk do të pranonte të ulej në një tavolinë me Alesandër Vuçiqin nëse ai nuk kërkon falje për krimet që ka kryer Serbia në Kosovë. Por takimi i parë ndodhi, muajin tjetër ndodh edhe i dyti, kërkimfalja nga ana e Vuçiqit nuk ka ardhur ende, kurse Kurti po e vazhdon dialogun.

    Sa ishte në opozitë Kurti e Vetëvendosja kritikonin partitë në pushtet për punësime e emërime partiake e familjare. Tash në pushtet emërimet partiake e familjare, si dhe punësimet në institucione po dalin të jenë “në rregull”, sepse u bëka fjalë për profesionistë.

    Në opozitë Kurti dhe Vetëvendosja flisnin për reciprocitet me Serbinë, por tash në pushtet po gjejnë arsye që atë të mos e vendosin.

    Në opozitë Kurti fliste për një pozicion ideal të Kosovës, që pushtetet e kaluara kishin dështuar ta arrijnë, por tash në pushtet ai po flet gjithnjë e më shumë nga një pozicion real, me pritje racionale.

    * * *

    Albin Kurti ka arritur të fitojë më shumë se gjysmën e votave duke kritikuar pushtetet e kaluara dhe duke proklamuar zgjidhje ideale për gjithçka. Keqqeverisja, korrupsioni, nepotizmi dhe të tjera fenomene si këto atij i kanë ndihmuar që të arrijë qëllimin e tij – që t’i fitojë “krejt”, siç edhe proklamonte.

    Tash në pushtet, Kurti duhet ta ketë kuptuar doemos se gjërat nuk janë aq të lehta për t’u realizuar, pavarësisht premtimeve dhe pavarësisht numrave që i ka në parlament. Duke filluar që nga gjërat më të thjeshta, që kanë të bëjnë me qeverisjes përbrenda e deri tek ato të vështirat, që kryesisht kanë të bëjnë me dialogun me Serbinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, Kurti dita-ditës po përshtatet me realitetin që dikur e kritikonte me të drejtë.

    Është e vështirë të bësh ndryshime brenda një sistemi të ndërtuar ndër vite por, po ashtu, është sfidë e madhe të mos ndryshosh qëndrimet e shndërruara në kauza, që të kanë ndihmuar për të ardhur në pushtet. Andaj, nuk është e lehtë të qeveriset ndërmjet këtyre dy narracioneve që përjashtojnë njëra-tjetrën. Nuk është e lehtë t’ua sqarosh votuesve për çfarë arsye ke ndryshuar në pushtet, ndërkohë që ata presin realizimin e zotimeve të dhëna si një opozitar.

    * * *

    Njëqind ditët e para të qeverisjes së Albin Kurtit kanë kaluar duke u përshtatur në ambientin e ri të pushtetit. I fokusuar në përpjekjet për përmirësimin e sundimit të ligjit, gjatë kësaj kohe është shfaqur edhe arroganca e fuqisë që ia ka dhënë vota e qytetarëve, arroganca e numrave.

    Përtej dëshirës dhe vullnetit për të ndryshuar diçka, qeveria duhet ta kuptojë se demokracia është edhe procedurë. Andaj veprimet e ngutshme, të çfarëdo natyre qofshin, mund të kthehen bumerang.

    Albin Kurti e ka për detyrë që qytetarëve t’u jep përgjigje në plot dilema, që kanë të bëjnë me zotimet e tij, me kauzat e tij. Duhet t’u përgjigjet për dialogun me Serbinë, për emërimet e punësimet partiake, për planet që ka për zhvillimin ekonomik, arsimin e shëndetësinë. Plani qeverisës jep pak, shumë pak përgjigje në shumë sfida, me të cilat ballafaqohen qytetarët.

    Albin Kurti duhet t’iu jep përgjigje qytetarëve nëse ka qenë i vërteti ai i opozitës, apo është ky i pushtetit.

    Nuk mjafton që të kalosh njëqind ditë duke përmendur fitoren e 14 shkurtit, por duhet çuar përpara zotimet e bëra. Nuk mjafton të përsëritësh bëmat e atyre që kanë qenë në pushtet, sepse për to ata janë ndëshkuar më 14 shkurt. Njerëzit presin veprime dhe punë konkrete për realizimin e premtimeve që Kurti ka bërë ndër vite.

    Gjuha e ashpër dhe veprimet radikale sa ka qenë në opozitë duhet të “përkthehen” në punë konkrete. Sepse të qenit në pushtet ka të tjera përgjegjësi dhe Kurti nuk mund ta fshehë se ka ndryshuar që nga koha kur ka qenë opozitar.

    Nga Rubrika
    Opinione25 Nëntor 2024
    Shkruan: Ben Blushi 116 vjet më parë, në vitin 1908, aty nga ora 12 paradite, e datës 20 nëntor, që binte e...
    Opinione22 Nëntor 2024
    GJNP ka nxjerrë urdhër-arreste kundër kryeministrit të Izraelit Netanjahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Gallant. Çfarë do të thotë kjo dhe çfarë pasojash...
    Opinione21 Nëntor 2024
    Nga Hisen Berisha: Kështu veprojnë tradhtarët e të shiturit tek armiqtë e vendit. Në një shtet të konsoliduar me sistem juridik të...
    Të tjera
    Lajme25 Nëntor 2024
    Në Ministrinë e Punëve të Brendshme është mbajtur takimi i parë i grupit punues për hartimin e Strategjisë Kombëtare Kundër Krimit të...
    Lajme25 Nëntor 2024
    Sekretari i përgjithshëm i Forumit të Rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Egzon Pacolli ka publikuar një tjetër video, ku thotë se...
    Lajme25 Nëntor 2024
    Bashkëpunimi i autoriteteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian në luftimin e imigrimit ilegal është një prej prioriteteve më të...
    Lajme25 Nëntor 2024
    Gjatë ditës së sotme pjesëtarë të Policisë së Kosovës bashkë me ata të KFOR-it dhe Eulexit kanë realizuar një trajnim të përbashkët...
    Lajme25 Nëntor 2024
    Presidentja Vjosa Osmani përmes një fjalimi para studentëve dhe stafit akademik të fakultetit juridik të Universitetit Dalhousie në Halifax të Kanadasë, përmendi...
    Front TV25 Nëntor 2024
    Pak para përfundimit të mandatit të qeverisë Kurti, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mbajnë debat parlamentar më 2 dhjetor. Aty...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.