×
  • Opinione
  • Opinione

    Njeriu që mbajti kombin me kokën nga Perëndimi

    Mero Baze
    01 Korrik 2024

    Nga Mero Baze:

    Shqipëria nuk është gati të përcjell Ismail Kadarenë. Ajo është kapur si në kurth nga ikja e tij. Dhe këtu nuk është fjala si për ato urgjencat që ta gjejnë shtëpinë rrëmujë dhe ti nuk pret dot miq. Është më shumë se kaq.

    Shqipëria është përkeldhelur nga fati që e kishte të gjallë dhe pjesë të saj për 88 vite, një nga kolosët e letërsisë botërore, dhe ishte familjarizuar me këtë fat, si me një gjë të zakonshme.

    Ai ju bë fat shqiptarëve që donin të mbanin gjallë trurin nga konformizmi i realizmit socialist dhe akoma më shumë ju bë fat shoqërisë shqiptare që i kultivoi shijet e artit perëndimor dhe standardet e një kulture të përbotshme.
    Mbi të gjitha ai ju bë fat gjuhës shqipe, duke qenë babai modern i saj, duke e bërë atë një gjuhë të aftë për të shkruar një letërsi të madhe.

    Duke qenë se gjuha për shqiptarët është kolona vertebrale rreth të cilit është ngjizur identiteti ynë kombëtar, me tre fe, me geg e toskë dhe me një gjeografi të vështirë, Ismail Kadareja mbetet për këtë shkak dhe një ngjizës i identitetit tonë kombëtar pro perëndimor.

    Kur them se Shqipëria nuk është gati për ikjen e tij, kam parasysh se ne ishim familjarizuar me idenë që njeriu që i dha vlerë Shqipërisë më shumë se kushdo shqiptar tjetër, e ka pasur atë për detyrë të caktuar nga Zoti dhe ne kishim detyrë ta gjykonim për jetën e tij tokësore.
    Përbaltësit e lirisë, nuk e duronin dot që ai kishte bërë fjalë me shitësen e lagjes apo që ja kishte bërë me hile “shokut Enver” duke i shpëtuar ndëshkimit. Tani që nuk do ta shikojnë më në lagje, dhe që do të kenë përballë vetëm letërsinë e tij, ndoshta ndjehen të çliruar, meqë nuk kanë punë me librat por me njerëzit .

    Tani që nuk do ta kemi më mes nesh, do ta kuptojmë se mungesa e tij, do të lërë pas një greminë, buzë së cilës qëndoron letërsia e brishtë shqiptare, e cila pa Ismail Kadarenë është si një gurë në rrokullimë.

    Ai është prita dhe shpresa e vetme që kultura jonë kombëtare nuk do të gërryhet kurrë plotësisht. Veprat e tij janë digë ndaj çdo të keqeje që mund të na kërcënoj në të ardhmen e saj.

    Ndaj Shqipëria nuk është sot gati ta përcjellë atë. Ajo është e papërgatitur, e paaftë dhe pashpresë të mbush boshllëkun që lë ai. Kur themi nuk jemi gati ta përcjellim atë, kam parasysh se nuk jemi gati të jemi të njëjtët dhe pa atë gjallë. Dhe këto do ta kuptojmë të gjithë shumë shpejt.

    Ismail Kadareja është i fundmi që mbante në këmbë një sistem vlerash për kombin shqiptar, një sistem mbi të cilin nuk ngjiti dot, as balta e lirisë, e as gjaku i diktaturës.

    Ai kishte mbi shpinë peshën e Kryqit për të na mbajtur ndonjëherë me zor me kokë nga Perëndimi.

    Ky ishte misioni i tij dhe “diktatura” e njeriut që i tregoi botës se një gjuhë e vogël si shqipja, mund të bëj letërsi të madhe dhe një vend si Shqipëria mund të prodhoj qytetarë të denjë të botës.

    Dhe mbrëtërinë e tij nuk e rrëzon dot askush. Shqipëria do të mbahet mend në botë, mes të tjerash se në atë vend ka lindur dhe jetuar Ismail Kadareja.

    Nga Rubrika
    Opinione09 Janar 2025
    Shkruan: Christiaan Alting Von Geusau Duket se arritja legjislative më e spikatur e Bashkimit Europian në vitin 2024 ka qenë detyrimi që...
    Opinione08 Janar 2025
    Kushtëzimi i certifikimit të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet dhe institucionet e Kosovës me njohjen e shtetit, simboleve dhe dokumenteve të...
    Opinione07 Janar 2025
    Nga Adri Nurellari  Vendimi për të ndaluar “TikTok”-un në Shqipëri është një shfaqje e ludite e ngutshme dhe e cekët, që shmang...
    Të tjera
    Vip11 Janar 2025
    Banorja e edicionit të tretë të Big Brother VIP Kosova, Sara nuk është tërhequr nga ajo që i ka thënë Gresës ditë...
    Lajme11 Janar 2025
    Lidhja Demokratike e Kosovës do të nis fushatën zgjedhore në ora 17:00 në Pallat të Rinisë. Mbrëmë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku,...
    Lajme11 Janar 2025
    Zyrtarët policorë në koordinim me Prokurorinë Themelore–Ferizaj, më 10.01.2025, në orët e pas ditës në Ferizaj, në zbatim të një plani operativ,...
    Bota/Rajoni11 Janar 2025
    Pesë vjet më parë, një virus i panjohur deri atëherë e zhyti njerëzimin në një krizë të paprecedentë: më 11 janar 2020...
    Lajme11 Janar 2025
    Albin Kurti, kandidati për kryeministër i Vetëvendosjes, ditën e parë të fushatës zgjedhore e nisi në Gjakovë. Në një postim në Facebook,...
    Lajme11 Janar 2025
    Altin Krasniqi, kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), së bashku me kandidatët e tjerë për Kuvendin e Kosovës, zhvilluan...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.