Gjykata Themelore ka caktuar masën e paraburgimit për Milun Milenkoviqin që dyshohet për vepra terroriste.
Vendimin për masën e paraburgimit ndaj Milenkoviqit, i njohur si Llune, e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.M dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Kryerja e veprës terroriste në bashkëkryerje. I pandehuri M.M dyshohet se me datë 06.12.2022 në bashkëveprim edhe me persona të tjerë, në Zyret e Komisionit Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut, me qëllim të frikësimit serioz të popullatës, për të pamundësuar zgjedhjet lokale si dhe me qëllim që të destabilizojnë ose shkatërrojnë strukturat themelore politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës, përderisa zyrtarët e KQZ-së me zyrtarët policorë kishin shkuar për të hapur zyrën, i pandehuri M.M së bashku me persona tjerë kishin hedhur dy granata dore si dhe dy shok bomba me ç’rast njëra njëra granatë dhe dy shok bombat kishin shpërthyer dhe si rezultat i kësaj, ishin shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale si dhe ishte rrezikuar jeta e zyrtarëve të KQZ-së dhe zyrtarëve policor”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Milun Milenkoviq u arrestua të martën në Mitrovicën e Veriut.
Një ditë më parë, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, njoftoi se Milenkoviqi ishte organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës në Zveçan dhe përgjegjës për terrorizimin e qytetarëve ndër vite.
Sipas Sveçlës, Llune është një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile”.