×
  • Opinione
  • Opinione

    Një milion viktima të luftës së tmerrshme të Putinit

    Askold Krushelnycky
    20 Shtator 2024

    Nga: Askold Krushelnycky / The Independent (titulli origjinal: I’ve witnessed first-hand the horrific cost of Putin’s war – as casualties hit 1 million)

    Sipas një raporti në media, numri i përgjithshëm i viktimave nga të dyja palët në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, ka arritur në shifrën e tmerrshme prej një milion.

    Numri i vdekjeve në konfliktin më të madh të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore, kapërceu shpejtë 140 mijë vetët që vdiqën nga luftërat në ish-Jugosllavi në vitet 1990, dhe kjo shifër vazhdon të rritet.

    Shifra prej një milion viktimash, që ka efekt psikologjik, u raportua nga The Wall Street Journal, raportimi i së cilës në përgjithësi konsiderohet i saktë.

    Gazeta bazoi shifrën e saj në “një vlerësim konfidencial ukrainas” në fillim të këtij viti, i cili numrin e viktimave ukrainase e vlerësoi në 80 mijë të vdekur dhe 400 mijë të plagosur. Gazeta citoi burime të “inteligjencës perëndimore” që vlerësonin se numri i të vrarëve rusë është afro 200 mijë me 400 mijë të plagosur.

    Megjithatë, Ukraina dhe Rusia nuk japin informacione në lidhje me viktimat e tyre përkatëse ushtarake, megjithëse secili vend ka dhënë rregullisht një numër të supozuar të të vdekurve dhe të plagosurve nga ana e armikut; si Kievi ashtu edhe Moska i kanë hedhur poshtë si të fryra vlerësimet e kundërshtarëve të tyre.

    Edhe pas vizitave në linjat e frontit dhe bisedave me qindra ushtarë të thjeshtë, si dhe me oficerë të rinj dhe të lartë, është e pamundur që dikush – përveç disave në krye të udhëheqjes ushtarake dhe politike – të dijë shifrat e vërteta dhe aq më pak për gazetarët, sado përvojë që mund të kenë ata në raportimin nga fushat e betejës së Ukrainës.

    Disa oficerë dhe ushtarë ukrainas kanë folur për The Independent për humbjet e tmerrshme të njësive të tyre. Disa njësite i thanë Independent-it këtë vit se vetëm një pjesë e vogël prej njëqind shokëve të tyre mbetën të gjallë ose të aftë për të luftuar, ndërsa të tjerët folën për shkallë shumë më të ulët të viktimave.

    Gjatë muajit të fundit, Independent-i vizitoi zonat e vijës së frontit në Donjeck, duke përfshirë qytetin e rrethuar të Pokrovskit, dhe ishte e qartë se kishte rritje të madhe në numrin e viktimave ukrainase.

    Moska këtë vit ka rritur shumë përdorimin e saj të dronëve shpërthyes dhe “bombave rrëshqitëse”. Bombat rrëshqitëse, të quajtura gjithashtu “Kabs” ose “Fabs”, mund të dërgojnë ngarkesa shpërthyese me mbi 454 kilogramë përderisa, për krahasim, një predhë e artilerisë ruse e kalibrit të madh përmban vetëm rreth 1.82 kilogram eksploziv.

    Bombat shkatërrojnë ndërtesa të tëra dhe ushtarët thonë se edhe bunkerët e thellë po ofrojnë pak mbrojtje kundër tyre.

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se Moska përdori 800 kabsë dhe pothuajse tre mijë dronë shpërthyes në vetëm një javë në fillim të këtij muaji, duke shkaktuar viktima të mëdha ushtarake dhe civile.

    Inteligjenca perëndimore, burimet e pavarura dhe statistikat e vetë Ukrainës të cituara nga The Wall Street Journal, flasin për pabarazi të madhe midis përmasave të të vdekurve rusë dhe ukrainas në raport me të plagosurit. Derisa pesë nga gjashtë viktimat ukrainase janë të plagosur, vetëm dy në çdo tri viktima ruse shkojnë në spital, ndërsa një e treta vdes.

    Kjo është gjithashtu e dukshme në vijat e frontit, ku ukrainasit harxhojnë energji dhe guxim për të tërhequr të plagosurit e tyre, në mënyrë që ata të trajtohen larg zjarrit të drejtpërdrejtë. Ata trajtohen nga mjekët dhe infermierët, të cilët kanë burime të mjaftueshme për të kryer operacione të thjeshta që mund t’i mbajnë në jetë pacientët derisa të transportohen në një spital të duhur.

    Në anën tjetër, viktimat e Rusisë janë shumë më të larta, sepse komandantët i hedhin njerëzit e tyre në sulme të stilit vetëvrasës, pa marrë parasysh numrin e të vdekurve apo të plagosurve, meqë nuk ka asnjë kundërvënie ndaj politikës së Vladimir Putinit në një vend të kontrolluar nga policia e tij sekrete.

    Ushtarët ukrainas shpeshherë i kanë thënë Independent-it dhe mediave të tjera se sa të tmerrshëm janë rusët që bëjnë kaq pak përpjekje për të shpëtuar të plagosurit e tyre ose për të tërhequr të vdekurit e tyre. Një ankesë e shpeshtë e ushtarëve dhe e të tjerëve pranë vijës së parë të frontit, veçanërisht gjatë verës, kishte të bënte me erën e keqe të kufomave të kalbura ruse.

    Ukraina është një vend i vogël në krahasim me Rusinë, ku fjalët mund të përmbahen dhe lajmet shpejt të qarkullojnë. Ndryshe nga Rusia, ekziston liria e fjalës, së bashku me një shtyp funksional që nuk bën rolin e kasnecit vetëm propagandën e qeverisë. Varrosjet e ushtarakëve dhe grave të vdekura nuk fshihen, siç bëjnë në Rusi, dhe shpeshherë ndiqen nga turma të mëdha.

    Këto realitete nënkuptojnë se do të ishte e vështirë të fshiheshin humbjet e Ukrainës nëse ato do të ishin diku afër shkallës së Rusisë.

    Por, megjithëse Ukraina, sipas llogarive të veta dhe të pavarura, ka pësuar shumë më pak viktima sesa rusët, ndikimi demografik është i madh, sepse Ukraina ka vetëm rreth një të katërtën e popullsisë prej 145 milionë të Rusisë.

    Shumë prej viktimave të Rusisë kanë qenë të dënuar të cilëve u është ofruar liria nga burgimet e gjata, për krime të rënda si vrasje dhe përdhunim, në këmbim të shërbimit ushtarak. Shumica e njerëzve, duke përfshirë edhe të afërmit e tyre, nuk vajtojnë për vdekjen e tyre, madje shprehin kënaqësinë që lufta po heq qafesh llumrat e shoqërisë.

    Një pjesë e madhe e viktimave të Moskës vijnë nga shumë rajone etnike në Federatën Ruse, ose nga komunitetet etnike të varfra e të largëta. Këta kanë pak ose aspak ndikim politik për t’u ankuar për anëtarët e komuniteteve të tyre që po përdoren si mish për top.

    Në anën tjetër, shumica e atyre që dolën në mbrojtje të Ukrainës kur Rusia pushtoi për herë të parë në vitin 2014, dhe më pas kur vazhdoi konfliktin në 2022, ishin vullnetarë patriotë dhe ndër më të mirët dhe më të ndriturit e vendit – lloji i burrave dhe grave me të cilët kombi do të ishte krenar dhe mbi të cilët mbështetemi për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Humbja e tyre do të ndihet nga Ukraina për shumë dekada në vijim. /Telegrafi/

    Nga Rubrika
    Opinione22 Nëntor 2024
    GJNP ka nxjerrë urdhër-arreste kundër kryeministrit të Izraelit Netanjahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Gallant. Çfarë do të thotë kjo dhe çfarë pasojash...
    Opinione21 Nëntor 2024
    Nga Hisen Berisha: Kështu veprojnë tradhtarët e të shiturit tek armiqtë e vendit. Në një shtet të konsoliduar me sistem juridik të...
    Opinione20 Nëntor 2024
    Shkruan: Bekim Çollaku Fitorja e presidentit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka ndezur një debat...
    Të tjera
    Sport23 Nëntor 2024
    KH Rahoveci ka pësuar humbje në ndeshjen e parë ndaj ekipit rumun CS Minaur Baia Mare në kuadër të EHF European Cup....
    Bota/Rajoni23 Nëntor 2024
    Opozita shqiptare ka njoftuar se do të zhvillojë sërish një protestë me bllokimin e disa akseve rrugore, më 26 nëntor, si një...
    Vip23 Nëntor 2024
    Një përplasje e ashpër ndodhi mes Xhenetës dhe Anisës. Madje kjo e fundit ia kapi fjalët, e me këtë veprim nuk u...
    Lajme23 Nëntor 2024
    Sekretar i përgjithshëm i Forumit të Rinisë së LDK’së, Egzon Pacolli, i cili njoftoi për grantet që Ministria e Faton Pecit i...
    Lajme23 Nëntor 2024
    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, tha se me tubimin masiv në qytetin e Ferizajt, qytetarët i paskan dhënë kushtrim...
    Lajme23 Nëntor 2024
    Lideri i AKR’së, Behgjet Pacolli ka reaguar pas sulmeve që Faton Peci po i bën kundër KB “Krushës”, duke thënë se ministra...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.