Dështimi i SHBA-së dhe Perëndimit në Afganistan nuk po shihet si një ngjarje e largët, siç ka qenë deri dje, pasi në vend sot po flitet veç për vendimet e qeverive për strehimin në Shqipëri dhe Kosovë të afganëve të rrezikuar nga talibanët. Fatkeqësisht në lajme po mbizotëron aprovimi i njëzëshëm i politikanëve tanë që i mbiquajnë këta vendime një “detyrë” si “vend i NATO-s” si “partner i SHBA-së”, si “besa shqiptare” si “vend emigruesish”, çka po e dështon pa lindur debatin që gjykoj se duhej nisur, jo vetëm në emër të përfaqësimit të një pjese jo të vogël shqiptarësh që reagojnë në rrjetet sociale me shqetësime dhe paqartësi gjithfarëshe, por edhe duke pasur parasysh se shqiptarët kanë ushqyer dhe vazhdojnë të ushqejnë aq shumë shpresa se amerikanët dhe perëndimorët do të ndërtojnë në Shqipëri shtetin e së drejtës, që do t’i çlirojë nga elitat e korruptuara që i qeverisin.
E kam fjalën mbi debatin se pse dhe si dështuan amerikanët në Aganistan?
Pa marrë përsipër të analizoj të gjithë faktorët e dështimit, duke u nisur edhe nga çfarë shoh në Shqipëri (dhe jo vetëm), gjykoj se një prej faktorëve kryesorë duhet ta gjejmë në një lajm që tregonte se talibanët, pasi pushtuan qytetin Mazar-i Sharif, publikuan video të vilës së liderit ushtarak afgan, Rashid Dostum, aleati kryesor i amerikanëve, njëherësh edhe themeluesi i partisë Junbish-e, e cila rezultonte “e larë në ar”.
Është vështirë të besosh se populli afgan, që ka luftuar trimërisht edhe kundër pushtimit sovjetik, qenka kaq armik i demokracisë, i lirisë dhe i disa vlerave perëndimore sa të zgjedhë telibanët e dhunshëm dhe fanatikë në vend të tyre.
Për mua nuk ka pikë dyshimi se një nga faktorët që i ka bërë afganët e thjeshtë e të shumtë të mbështesin talibanët në luftë me botën e qytetëruar nuk lidhet me dashurinë e tyre për burkën, që përmendet aq shumë këto ditë, apo për islamin fundamentalist, por me korrupsionin e elitave që kanë mbështetur amerikanët. Është kjo një histori e njohur që ka gatuar më herët edhe ngjarje të tilla si Revolucioni Islamik iranian, pranverat arabe etj., për të mos dalë në vende të tjera të botës me fe të tjera. Do të shpresoja qe administrata Biden është nisur nga përvoja e këtij dështimi për ta cilësuar korrupsionin si rrezik strategjik për SHBA-në, por këtë do ta tregojë e ardhmja. Deri më sot kemi parë mbështetjen e të korruptuarve deri në dështimin final.
Problemi, pra, është se në këto vende pa kulturë demokratike, ku interesat janë mbuluar me petkun e të drejtave të njeriut dhe demokracisë, amerikanët kanë mbyllur sytë ndaj bëmave të politikanëve që kanë mbështetur. Sikurse shkruante “The Washington Post”, këto ditë gazetarët amerikanë prej kohësh kanë konstatuar se ajo që po bënin në Afganistan ishte e dështuar, por si administrata e Bushit, ashtu edhe ajo e Obamës, kanë preferuar të mbyllin sytë për të mos pranuar dështimin politik – derisa erdhi ky dështim kaq i turpshëm, kaq spektakolar dhe kaq i rrezikshëm për popullin afgan.
Leksioni edhe këtë radhë për amerikanët është ai se demokracia nuk eksportohet. Por ka edhe një leksion tjetër, duke pasur parasysh se këtë të parin nuk duhet ta absolutizojmë: nëse vendos të ndërhysh në emër të demokracisë, duhet të ndjekësh me vëmendje dhe hap pas hapi realitetin në atë vend, të bësh çmos të mbështetësh me dashuri dhe përgjegjësi procesin demokratik, duke respektuar e përfshirë të gjitha palët dhe jo duke ngulmuar të mbështetësh një palë edhe kur e sheh duke abuzuar e duke ndërtuar vila prej ari, sepse këtë e manipulon më lehtë edhe ngase është e korruptuar e ka nevojë për mbështetjen tënde për të sunduar. Sepse popujt nuk janë aq budallenj sa të mos e kuptojnë këtë, herët ose vonë. Dhe kështu vjen një ditë kur, duke pas mbetur pa mjete demokratike edhe për fajin tënd që ke fuqizuar abuzuesit autoritarë, mbështesin talibanët kundër teje dhe elitave të tua. Ose edhe më keq, kur nuk kanë talibanë, ikin nga sytë këmbët.
Po leksioni për shqiptarët cili do të ishte? I njëjti do të thosha unë: përkushtimi ndaj demokracisë, që do të thotë e kundërta e reagimit të liderit të opozitës, Lulzim Basha, në këtë rast (e jo vetëm). Pse? Sepse në prononcimin e tij ai mbështeti plotësisht vendimin e Edi Ramës pa trajtuar fare disa pyetje që ngrenë shqiptarët e thjeshtë të cilat kanë të bëjnë sa me akuzat që opozita shqiptare ka ngritur ndaj Ramës autoritar e të korruptuar, aq edhe me disa shqetësime të tyre mbi lajmin në fjalë. Dhe që të dyja këto janë të lidhura ngushtë me demokracinë që edhe Basha e shpërfilli në emër të sundimit të shqiptarëve nëpërmjet amerikanëve, pa menduar asnjë çast se edhe këta mund të dështojnë. Po përmend vetëm disa që janë edhe shqetësime të miat:
– Po mirë, a nuk kishte nevojë për një lloj transparence ky vendim i Ramës, sepse çështja është kush vendos për këtë, “demosi” apo princi? Mirë se meqenëse më herët në histori kemi shpëtuar Europën, hebrenjtë, s’ka se si të mos e bëjmë edhe këtë sakrificë sublime për afganët, po a nuk e meritonim sqarimin e disa pyetjeve dhe shqetësimeve të tilla, si: sa afganë mund të vijnë? Kush do të investojë për ta? A ka vende të tjera që do të ndajnë këtë barrë dhe sa do të jetë pesha e barrës sonë, duke pasur parasysh se jemi një vend i vogël, me mundësi shumë të kufizuara ekonomike? A ka vende që refuzojnë dhe me çfarë argumentesh etj., etj.
Ajo që reflektoi reagimi i shpejtë i Lulzim Bashës ishte se edhe ai do të sillej njëlloj si Rama në karriken e Kryeministrit (ashtu siç ka bërë edhe Sali Berisha para tij) e se mezi paskësh pritur t’u thoshte “Po” amerikanëve, se sa për shqiptarët nuk e ka problem, pasi tek e fundit edhe për punën e vilave janë amerikanët që vendosin nëse i ke bërë me nder apo pa nder.
Deri sa një ditë të vijnë talibanët.