×
  • Opinione
  • Opinione

    Nga viktimë e bullzimit në miliarder: Triumfi i pashmangshëm i Elon Musk

    FrontOnline
    02 Qershor 2022

    Nga Will Dunn

    Në romanin fantastiko-shkencor “Excession” të shkrimtarit të ndjerë skocez Iain M.Banks, shfaqet një sferë e zezë që rrotullohet rreth një ylli të largët. Ashtu si piktura “Sheshi i Zi” i Kazimir Malevich, e cila e tronditi audiencën ruse kur u ekspozua për herë të parë në vitin 1915, objekti kundërshton kuptimin tradicional.

    Padepërtueshmëria i jep fuqi: pa lëvizur apo reaguar – thjesht duke qenë e pamundur për t’u kuptuar – ai mbledh qytetërimet rreth tij dhe i çon në luftë. Shumica e të pasurve përdorin kompani të vogla të quajtura “zyra familjare” për të menaxhuar paratë dhe veprimet e tyre juridike.

    Zyra e familjes së Elon Musk quhet pikërisht “Excession LLC”. Kjo është ndoshta thjesht një shenjë e novelave fantastiko-shkencore që Musk ka lexuar dhe shijuar kur ishte i vogël. Por ndoshta kjo tregon edhe diçka për mënyrën se si angazhohet me botën. Nëse ai është i pamundur të kuptohet ose të parashikohet, atëherë ai është i padiskutueshëm.

    Ai mund të lëvizë nëpër tregje si një sferë e zezë e përsosur, i papërshkueshëm nga kritikat apo dyshimet. Biografia e fundit e njeriut më të pasur në botë, identifikon shumë arsye pse një njeri si Musk mund të jetë i fiksuar pas paprekshmërisë. Michael Vlismas, që ndoqi të njëjtën shkollë në Pretoria si edhe Musk, i përzien përvojat e tij me rrëfime nga miqtë, të njohurit dhe mësuesit e fëmijërisë së Musk, për të na dhënë një panoramë të sistemit arsimor të Afrikës së Jugut në vitet 1980.

    Një botë me një disiplinë të pakompromis, me ndarje sociale dhe ngacmime të pafundme. Kur ishte 12 vjeç, Musk u godit në kokë nga një djalë më i madh dhe me një forcë të mjaftueshme për ta shtyrë atë poshtë një shkallë. Pasi u rrëzua grupi i djemve bullistë e rrahu aq shumë viktimën e tyre saqë Musk kaloi dy javë në spital.

    Më vonë drejtori i shkollës do të deklaronte se “Bullizmi pranohej si pjesë e procesit të rritjes”. Prindërit e Musk, Maye dhe Errol, u divorcuan kur ai ishte vetëm 8-vjeç. Maye ishte një ish-modele, e cila u fejua me Errol kundër dëshirës së saj. Errol mbërriti në shtëpinë e saj pa e paralajmëruar dhe i propozoi për martesë.

    Edhe kur ajo refuzoi, ai gjithsesi i njoftoi prindërit e saj për fejesën e tyre. Në librin e saj “Një grua bën një plan”, të cituar nga Vlismas, ajo e përshkruan martesën e saj 9-vjeçare si një “ferr” të karakterizuar nga dhuna, kontrolli maniakal i bashkëshortit dhe tradhtitë e tij.

    Dy vjet pas ndarjes së tyre, Elon 10-vjeçar u transferua të banonte me babain e tij. Ekonomia e Afrikës së Jugut lulëzoi në vitet 1970, kur çmimi i arit u rrit pothuajse 15-fish. Errol ishte një inxhinier me interesa të shumta në biznes dhe familja Musk ishte e pasur. Maye mendon se i biri vendosi të largohet nga apartamenti i saj që kishte vetëm një dhomë gjumi tek shtëpia e Errol, kur i ati i kishte blerë shumë libra fantastiko-shkencor dhe komike, dhe më e rëndësishmja, një kompjuter.

    Por një luks i tillë e pati një çmim. I ati i Musk kujtohet si një moralist i shthurur dhe me një temperament të paqëndrueshëm. Errol e ka pranuar në intervista se ai qëlloi për vdekje 3 njerëz që kishin hyrë në pronën e familjes (ai u shpall i pafajshëm, bazuar në ligjin e vetëmbrojtjes). Po ashtu, në moshën 72-vjeçare ai u bë babai e një fëmije me vajzën 30-vjeçare të gruas së tij të dytë, të cilën e kishte rritur që në moshën 4-vjeçare.

    Elon Musk e ka përshkruar babanë e tij në intervista si “një qenie njerëzore të tmerrshme”. Ai tregon se trashëgoi nga i ati njëfarë paparashikueshmërie në sjelljet e tij. Por nuk ka dyshim se trashëgoi edhe aftësinë për të fituar para. Musk shiti softuerin e tij të parë, një video-lojë të quajtur Blastar, kur ishte ende 12-vjeç.

    Kodi për lojën u botua në revistën “PC and Office Technology”, dhe Musk u pagua 500 dollarë. Ai filloi të investonte në bursë që kur ishte adoleshent. Në vitin 2009, rrëfeu se kur ishte 15-16 vjeç, bëri disa investime të mira në bursën e Afrikës së Jugut, duke 3-fishuar me shpejtësi aksionet e tij.

    Musk kishte ambicie të largohej nga Afrika e Jugut, por pasi mbaroi shkollën e mesme u regjistrua për të studiuar menaxhim financiar në Universitetin e Pretorias.

    Kjo lëvizje ishte edhe një mënyrë për të shmangur rekrutimin në ushtri. Në atë kohë, qeveria e Aparteidit po luftonte kundër lëvizjes për pavarësinë e Namibisë, dhe kishte nevojë për shumë të rinj që t’i hidhte në fushën e betejës. Ata që refuzonin rekrutimin mund të përballeshin me disa vite burg.

    Nuk është e qartë se në çfarë mase Musk ndoqi universitetin. Brenda disa muajsh ai u largua nga vendi kur ishte vetëm 17 vjeç, dhe shkoi në Kanada, ku kishte lindur nëna e tij dhe ku kishte të drejtën e një pasaporte që do ta çonte më pas Shtetet e Bashkuara. Në fillim nisi studimet në një universitet në Kanada.

    Kur mbërriti në Silicon Valley – pasi u transferua në Universitetin e Pensilvanisë, u transferua në Kaliforni në vitin 1995 – donte të niste punë në Netscape, në atë kohë kompania më e njohur në biznesin në zhvillim të internetit. Pasi aplikimi i tij u shpërfill, ai shkoi në selinë e kompanisë dhe priti në holl.

    Por sërish askush nuk e përfilli. Ndaj Musk dhe vëllai i tij më i vogël, Kimbal, hapën kompaninë e tyre në internet të quajtur Zip2. Ai e ka pranuar edhe ndihmën financiare nga iati, edhe pse e ka cilësuar “si të parëndësishme”. Ndoshta nga pasiguria apo nevoja për të arritur suksesin vetë, pa ndihmën e babait, Elon nisi të punonte shumë.

    Ai shpenzonte minimalisht për kompaninë, duke fjetur në zyrë, dhe duke bërë dush në një banjo publike aty pranë. Në vitin 2004 blen Tesla-n, kompaninë e makinave elektrike ndërsa në vitin 2012 SpaceX, biznesin e raketave dhe satelitëve. Musk nisi të punojë deri 120 orë në javë, duke përdorur pilula gjumi për të pushuar disa orë në zyrë përpara se të fillonte një ditë tjetër rraskapitëse.

    Duket si një jetë e zymtë dhe e mjerueshme. Por mund të ketë qenë edhe një formë arratisjeje. Në vitin 2002, pak kohë pasi Musk shiti biznesin e tij të dytë të suksesshëm (platforma e pagesave në internet PayPal), ai dhe bashkëshortja e tij Justine e humbën fëmijën e tyre të parë. Por më vonë do të bëheshin më binjakë, dhe pastaj trinjakë.

    Ata patën një divorc të trazuar në vitin 2008. Ambicia më e madhe e Musk është të ndërtojë një qytetërim të ri në planetin Mars, dhe arsyeja e tij për këtë projekt, është e njëjtë me arsyen e tij për krijimin e një tregu të ri për makinat elektrike: ta shpëtojë njerëzimin nga zhdukja.

    Ndoshta ky është një Kompleks i Mesias (Shpëtimtarit të Botës), ose ndoshta është një teknikë e përdorur për të nxjerrë nga tregu disa makina të tjera. E sigurt është se ai është ndihmuar në këtë vizion nga tregjet financiare, të cilat ashtu si Musk, arritën një pikë të ulët në vitin 2009, por më pas u rritën me një vrull të paparë.

    14 vite me norma të ulëta interesi dhe gati 27 trilionë dollarë para të futura në treg përmes skemës së “lehtësimit sasior” prodhuan tregun me rritjen më të madhe në histori. Pra më shumë se kushdo tjetër në botë, Musk është një krijesë e bumit të madh të aksioneve. Nëkulmin e saj, në vjeshtën e vitit 2021, Tesla arriti vlerën mbi 1.2 trilionë dollarë, dhe Musk u bë personi i parë me një pasuri që vlerësohet se i kalon 300 miliardë dollarët.

    Marrë me shkurtime nga “New Statesman” – Bota.al

    Nga Rubrika
    Opinione03 Janar 2025
    Nga Richard Kemp: Ndërsa viti 2025 ka filluar, pesimizmi për fatin e Ukrainës rri pezull në ajër, ndërsa kutërbimi i paqësimit ndihet...
    Opinione02 Janar 2025
    Ekipi i sapozgjedhur i BE në Bruksel në 2024 ka shumë për të bërë. Si mund të arrihet kjo pa një tandem...
    Opinione01 Janar 2025
    Shkruan: Blerim Shala Viti 2025, i cili tashmë i ka hapur portat për të gjithë ne, do të jetë politikisht një vit...
    Të tjera
    Lajme06 Janar 2025
    Rinor Qehaja, drejtor i Institutit ‘ED Guard’, ka ndarë mendimet e tij mbi faktorët që po ndikojnë në rënien e numrit të...
    Bota/Rajoni06 Janar 2025
    Një skiator ka humbur jetën si pasojë e një orteku në një mal në Wyoming, sipas shërbimeve lokale të emergjencës në Shtetet...
    Bota/Rajoni06 Janar 2025
    Gjermania po përballet me kushte të ashpra të motit dimëror, duke shkaktuar ndërprerje të mëdha në transportin ajror. Reshjet e dendura të...
    Lajme06 Janar 2025
    Ish-zëvendësministri i Arsimit dhe njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj, për FrontOnline, ka dhënë një analizë të hollësishme mbi rënien e numrit të...
    Kronika06 Janar 2025
    Një rast ka ndodhur mesditen e së dieles në Aerportin Ndërkombëtar Adem Jashari. 50 fishekë janë konfiskuar nga një valixhe të një...
    Kronika06 Janar 2025
    Një incident ka ndodhur në orët e para të ditës së diele në rrugën “Hajrulla Zymi” në Fushë Kosovë. Një burrë u...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.