Është nënshkruar marrëveshja tripalëshe për organizimin e Kampionatit Evropian të Esports, që do të mbahet në Prishtinë nga 7 deri më 14 korrik 2025, duke e shndërruar kryeqytetin në epiqendrën e lojërave elektronike në Evropën Juglindore, ka njoftuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Sipas njoftimit, marrëveshja është nënshkruar ndërmjet Federatës Esports Kosova, Federatës Ndërkombëtare të Esports dhe Federatës Evropiane të Esports, në prani të zëvendësministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani.
“Po ashtu, MKRS nënshkroi memorandumin për mbështetje financiare për Federatën Esports Kosovë, në kuadër të fazës së dytë të implementimit të këtij projekti të rëndësishëm sportiv”, ka njoftuar MKRS.
“Në kuadër të përgatitjeve, në Kosovë po qëndrojnë përfaqësues të lartë të komunitetit ndërkombëtar të Esportsit, përfshirë presidentin e Federatës Evropiane të Esports, Karol Cagan, sekretarin e përgjithshëm të Federatës Ndërkombëtare, Boban Totovski, si dhe sekretarin e përgjithshëm të Federatës Evropiane, Lukasz Klimczyk”.
Sipas komunikatës, kampionati do të përfshijë disa nga disiplinat më të njohura të Esports-it, si CS2 (për meshkuj dhe femra) dhe Dota 2 (për meshkuj), duke sjellë në Prishtinë garues nga e gjithë Evropa.
“Ky event konsiderohet si ngjarja më e madhe e videolojërave e organizuar ndonjëherë në rajon, dhe pritet të ketë një ndikim të madh në promovimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare të Esportsit, si dhe në zhvillimin e mëtejshëm të këtij sporti në vend”, ka shkruar MKRS.