Një oficer i ushtrisë franceze u denoncua dhe është vënë nën hetim pasi po akuzohet për tradhti në favor të Rusisë.
Sipas asaj që raporton Radio Europe 1, shkruan Reuters, ai dyshohet se u ka siguruar shërbimeve të inteligjencës ruse dokumente sekrete.
E pyetur për të komentuar lajmin, ministrja franceze e Mbrojtjes, Florence Parly tha se janë njoftuar prokurorët për rastin, përcjell Telegrafi.
Parly nuk dha detaje shtesë për atë që dyshohej se kishte bërë nënkoloneli.
“Ne kemi marrë të gjitha masat e nevojshme mbrojtëse”, tha ajo.
Oficeri është arrestuar nga Agjencia franceze e Sigurisë, kur ai ishte gati të kthehej në Itali dhe po mbahet në paraburgim në burgun La Santé në Paris.