Një 14-vjeçare në Drenas, ditë më parë dyshohet se u dhunua nga një burrë, ndërsa në dijeni ishte edhe një grua e cila nuk kishte ndërmarrë asgjë, e për këtë rast janë arrestuar të dy.
Burime të Gazetës Express brenda Prokurorisë së Shtetit kanë bërë të ditur se gruaja ishte nëna e 14-vjeçares, e cila kishte një lidhje jashtëmartesore me burrin që ia dhunoi vajzën, me dijeninë e saj.
Nëna në momentin kur ka dalë me të dashurin e saj, e ka marrë edhe vajzën me vete, në mënyrë që të dalë më lehtë nga shtëpia, ndërsa i dashuri i saj e ka shfrytëzuar situatën dhe me pajtimin e nënës ka kryer marrëdhënie seksuale me 14-vjeçaren.
Gazeta Express mëson se babai i të miturës, i cili njëkohësisht është edhe burri i gruas së dyshuar ka të meta mendore.
Po ashtu, gruaja e dyshuar ka edhe fëmijë të tjerë me burrin me të cilin është e martuar.
Derisa, gruaja dhe i dashuri i saj janë në paraburgim, vajza gjendet në strehimore.