×
  • Opinione
  • Opinione

    Në vitin 2008 ishim pranë paqes në Lindjen e Mesme – prapë mund të jemi, nëse veprojmë

    Gordon Brown
    10 Janar 2024

    Nga: Gordon Brown / The Guardian (titulli origjinal: In 2008, we were inches from peace in the Middle East. I believe it’s still within our grasp)

    Me shpresën aktualisht të varrosur nën rrënojat e Gazës dhe me kibucët e braktisur të Izraelit, është e vështirë të mos dëshpërohesh nga perspektivat e paqes izraelito-palestineze. Pengjet menjëherë duhet të kthehen dhe vrasja e civilëve duhet të ndalet, ndonëse vetëm armëpushimi nuk do të zgjidhte sfidën kryesore të arritjes së zgjidhjes të qëndrueshme, ndërsa teksa është e vështirë të bësh plane mes traumës së tillë, është po ashtu e pamundur të kalojnë vitet pa dhunë.

    Dhe, në realitet, ekziston plani për një alternativë ndaj këtij cikli vdekjeprurës të shkatërrimit dhe ndëshkimit. Janë të dokumentuara mirë përpjekjet e Procesit të Oslos (plani pesëvjeçar i të cilit për zgjidhjen me dy shtete nuk u materializua), bisedimet e dështuara Clinton-Arafat-Barak në Kemp Dejvid, si dhe iniciativat e dështuara të Obamas më 2013-‘14. Më pak i njohur është plani i paqes i viteve 2007-‘8. Pasi ditët e fundit bisedova me disa nga përkrahësit kryesorë të tij, besoj se herët a vonë kjo prapë do ta ofrojë pikënisjen më të mirë për të ofruar paqen e qëndrueshme.

    Pasi më 2007 u bëra kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, takova udhëheqësin palestinez, Mahmoud Abbas, dhe pata diskutime intensive – kokë më kokë – me kryeministrin e atëhershëm izraelit, Ehud Olmert, si dhe me mbretin saudit Abdullah – në shtëpinë time [Downing Street], në shtëpinë e Olmertit në Jerusalem dhe poshtë akuariumeve të mëdhenj të mbushur me peshkaqenë në pallatin e mbretit në Riad: ndoshta kjo si një metaforë për sfidën. Dhe, përpara takimit ballë për ballë, me ndihmën e ndërmjetësve këta udhëheqës të guximshëm punuan në parametrat e marrëveshjes pan-arabe me 22 shtete për të njohur Izraelin duke ia lejuar që të jetë i sigurt brenda kufijve të vet – krah për krah shtetit të pavarur dhe ekonomikisht të qëndrueshëm palestinez, me kryeqytet në Jerusalemin Lindor.

    Deri në verën e vitit 2008, të dy palët “hidhnin hartat”, siç e përshkroi ekipi im. “Kemi arritur më shumë sesa në Kemp Dejvid ose në Tabë [bisedimet izraelito-palestineze më 2001]”, tha negociatori kryesor. Kur iu drejtova Knesetit [Parlamentit izraelit], si kryeministri i parë britanik që këtë e bëri, ceka mbështetjen perëndimore për marrëveshjen e tillë, duke mos e fshehur faktin se një numër i vendbanimeve duhet të braktiseshin dhe se Jerusalemi i Madh duhej të ndahej.

    “Ishim disa centimetra larg”, ka shënuar Olmerti në kujtimet e veta, “për një fije floku për të përmbushur ëndrrat e miliona izraelitëve që dëshironin paqen”. Në të vërtetë, sondazhi i vitit 2009 zbuloi se 78 për qind e izraelitëve e favorizonin zgjidhjen të tillë. Por, më pas, si shpeshherë, ngjarjet komplotuan kundër paqes: ndryshimet e lidershipit në Izrael, më pas në ShBA dhe më pas në Arabinë Saudite, si dhe kriza globale financiare e ndjekur nga dekada e proteksionizmit të shtuar, e mbyllën dritaren e mundësive diplomatike.

    Megjithatë, dy dokumente të atij momenti premtues edhe sot kanë rëndësi të madhe potenciale. I pari është versioni origjinal i planit me zgjidhje të detajuar territoriale të bazuar në kufijtë e vitit 1967 e që do të rregullohej nga 4.6-6 për qind – kryesisht përmes shkëmbimeve të territoreve – dhe me lagjet arabe të Jerusalemit si pjesë e shtetit të ardhshëm palestinez. Sipas ish-sekretares amerikane të shtetit, Condoleezza Rice: “Olmerti ia dha Abbasit arsyet për të besuar se ishte i gatshëm ta zvogëlonte atë numër në 5.8 për qind”, krahas ndërtimit të një tuneli ose autostrade – nën kontrollin palestinez – që lidh Gazën me Bregun Perëndimor.

    Një fond ndërkombëtar do të kompensonte palestinezët dhe hebrenjtë e zhvendosur. Pellgu i Shenjtë në Jerusalem, që përmban vendet e shenjta të tri feve të mëdha monoteiste, do të ripërcaktohej si zonë ndërkombëtare. Shteti palestinez do të kontrollonte një pjesë të vijës bregdetare të Detit të Vdekur. Siç tha Rice në atë kohë: “Yitzhak Rabin u vra veç pse ofroi shumë më pak”. U arrit pajtimi për një forcë ndërkombëtare në luginën e Jordanit, që do të mbronte kufirin midis Jordanisë dhe shtetit të ri. Izraeli do ta pranonte “të drejtën për t’u kthyer” për një numër të pacaktuar të refugjatëve palestinezë, ndërsa presidenti Bush sinjalizoi se ShBA-ja do ta ofronte shtetësinë për 100 mijë refugjatë palestinezë.

    Elementi i dytë premtues ishin aranzhimet e propozuara të sigurisë për të cilat u pajtuan Izraeli dhe ShBA-ja. Si izraelitët ashtu edhe palestinezët do ta kishin të drejtën për t’u mbrojtur kundër terrorizmit. Palestinezët nuk do të hynin në traktate sigurie apo ushtarake me ata që nuk e njihnin shtetin e Izraelit. Stacionet paralajmëruese do të vendoseshin në majat e maleve në shtetin palestinez. Nëse një ushtri e huaj do të lëvizte pranë kufirit të Jerusalemit, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) mund ta kalonin kufirin – në koordinim me Palestinën.

    Në mënyrë të pashmangshme, kalimi i kohës që nga viti 2008 kërkon disa modifikime të detajeve dhe do të duhet kohë përpara se të rikthehet besimi. Ministri izraelit i Mbrojtjes ka propozuar se kush mund të menaxhojë sigurinë në Gazën e pasluftës, por do t’i duhet marrëveshja e qartë ndërkombëtare për këtë dhe për statusin e Autoritetit Palestinez i cili për 18 vjet nuk ka zgjedhje dhe që duket si pa timon mes akuzave për korrupsion. Dhe, duke pasur parasysh se premtimet ndërkombëtare për Gazën – pas aksioneve ushtarake më 2002, 2008-‘9, 2014 dhe 2021 – nuk u përmbushën kurrë plotësisht, do të kemi nevojë për garanci të besueshme se kush do të paguajë për rindërtimin dhe se si do të shpenzohen paratë pa u keqpërdorur.

    Zgjerimi i vendbanimeve është përshpejtuar nga më pak se 300 mijë njerëz më 2008 në 700 mijë. “Kur Bregu Perëndimor bëhet shtëpia e një milion kolonëve hebrenj, tërheqja izraelite do të jetë e pamundur”, shkroi Olmert kohët e fundit, por nëse tani veprojmë “është ende e mundur të rivendosen shumica e kolonëve në blloqet e vendbanimeve që zënë vetëm një pjesë të vogël të territorit”.

    Por, ndryshimet sizmike në gjeopolitikën tonë mund të shtojnë mundësinë e marrëveshjes pan-arabe. Tani është e qartë se për sa kohë që nuk ka shkëputje nga zgjidhja për Palestinën, normalizimi dikur i pakapshëm midis botës arabe dhe Izraelit për të cilin shpresonin Olmerti dhe Abdullah – dhe që kishte momentum para 7 tetorit – është ende nën kontrollin tonë. Por, me kauzën palestineze tani që është temë edhe më qendrore në betejat e Jugut Global për vetëvendosje dhe barazi, Izraeli gjithashtu duhet të dijë se nuk mund t’i absorbojë kurrë palestinezët në një shtet ose të rikthehet në të ashtuquajturin plan të paqes të Donald Trumpit për Lindjen e Mesme.

    Ngjarjet e fundit e kanë bërë të qartë gjithashtu se Perëndimi – në veçanti ShBA-ja – nuk mund të ketë sukses në asnjë nismë paqeje duke vepruar si e vetme. Duhet të punojë me pjesën tjetër të botës, duke ndërtuar koalicionin më të gjerë të mundshëm global për të izoluar ata që sot janë kundër zgjidhjes me dy shtete: Hamasin vrastar dhe klikën reaksionare që rrethon Benjamin Netanyahun.

    Pasojat e mosveprimit janë shumë të dhimbshme për t’u menduar, jo vetëm për Gazën, por për paqen e gjithë rajonit. Një vit nga sot, me armëpushim ose jo, qindra-mijëra palestinezë të zhvendosur, të uritur dhe të sëmurë mund të ngecin në kampet e mbipopulluara të refugjatëve – përveç rrugicave të mbushura nga rrënojat, ndërtesave të shkatërruara dhe infrastrukturës së bombarduar pa fund – ndërsa cikli dhuna do të kërcënojë të përshkallëzohet sërish për të përfshirë rajonin, duke zënë në kurth një brez të ri të rinjve të të pakënaqurve të cilët do të jenë pre e lehtë për t’u rekrutuar në një Hamas 2.0.

    Përparimet në gjeopolitikë janë të rralla, por në rrethanat më pak të favorshme – siç ua argumentova sauditëve dhe izraelitëve në vitin 2008 – Kennedy dhe Hrushovi ofruan traktatin e parë të ndalimit të testeve bërthamore, ndërsa Reagani dhe Gorbaçovi negociuan reduktimin më të madh të armëve bërthamore në histori. Viti 2024 filloi në errësirë të madhe – por, me udhëheqje vizionare, duke u mbështetur në planin e viteve 2007-‘8, mund të ketë dritë në fund të një tuneli shumë të errët që ende kërcënon – nëse nuk veprojmë – të kthehet në ngjyrë të zezë. /Telegrafi/

    Nga Rubrika
    Opinione22 Nëntor 2024
    GJNP ka nxjerrë urdhër-arreste kundër kryeministrit të Izraelit Netanjahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Gallant. Çfarë do të thotë kjo dhe çfarë pasojash...
    Opinione21 Nëntor 2024
    Nga Hisen Berisha: Kështu veprojnë tradhtarët e të shiturit tek armiqtë e vendit. Në një shtet të konsoliduar me sistem juridik të...
    Opinione20 Nëntor 2024
    Shkruan: Bekim Çollaku Fitorja e presidentit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka ndezur një debat...
    Të tjera
    Lajme23 Nëntor 2024
    Javën e ardhshme do të vijojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Katër seanca pritet të mbahen nga e...
    Lajme23 Nëntor 2024
    Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës në rrugën Viti-Gërlicë kanë ndaluar për kontroll një automjet, që po drejtohej nga një person...
    Vip23 Nëntor 2024
    Gjesti po mendon se Xheneta ka pëlqim për një tjetër burrë brenda shtëpisë më të madhe në vend. Kështu i tha ai...
    Sport23 Nëntor 2024
    KH Rahoveci ka pësuar humbje në ndeshjen e parë ndaj ekipit rumun CS Minaur Baia Mare në kuadër të EHF European Cup....
    Bota/Rajoni23 Nëntor 2024
    Opozita shqiptare ka njoftuar se do të zhvillojë sërish një protestë me bllokimin e disa akseve rrugore, më 26 nëntor, si një...
    Vip23 Nëntor 2024
    Një përplasje e ashpër ndodhi mes Xhenetës dhe Anisës. Madje kjo e fundit ia kapi fjalët, e me këtë veprim nuk u...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.