×
  • Opinione
  • Opinione

    Në margjinat e Statutit të Asociacionit që normon autonominë serbe në Kosovë

    Enver Hasani
    06 Dhjetor 2023

    Nga Enver Hasani

    Këto shënime në margjinat e Statutit që themelon autonominë politiko-territoriale serbe në Kosovë bazohen në përpunimin shkencor sipas metodologjisë të së drejtës pozitive – krahasuese dhe historike – të dokumenteve referente që fillojnë me Marrëveshjen bazike në mes të dy Gjermanive (1972), Marrëveshjet e Brukselit/Ohrit të këtij viti, aktet ndërkombëtare dhe kushtetutat e vendeve që rregullojnë autonomitë, si ato në Tirolin e Jugut (Itali), ishujt Aland (Finlandë), vendet në Skandinavi (popujt autoktonë Sami) dhe Kataloninë (Spanjë), si krahasimin e tyre me Kushtetutën e Kosovës dhe Aktgjykimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

    Marrëveshjet e Brukselit/Ohrit të këtij viti janë baza e përmbajtjes së Statutit që shtjellohet në vijim. Marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 nuk kanë të bëjnë me Statutin, përveç sa i përket dy detyrimeve ndërkombëtare dhe kushtetuese për Qeverinë e Kosovës: detyrimi i parë ka të bëjë me formimin e Asociacionit, kurse i dyti me formimin e tij sipas Aktgjykimit të vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese. Ky aktgjykim ka përcaktuar qartë si detyrim kushtetues themelimin e Asociacionit, por edhe ka definuar krejtësisht në detaje përmbajtjen që duhet të ketë ai sipas Marrëveshjes së vitit 2013, ose Marrëveshjes së Parë. Kjo do të provohet shkencërisht në vijim të tekstit.

    Shtjellimi ndjek strukturën e Statutit siç është bërë nga hartuesit e tij dhe nis me preambulën. Në fund japim disa përfundime më pikante.

    Preambula

    Preambula e bën të qartë fizionominë e entitetit juridik që krijohet me të : ai do të ketë formën e Bashkësisë së komunave serbe, jo të Asociacionit siç e mban titullin. Kjo fizionomi bëhet e qartë sepse shprehimisht thuhet që merret për bazë pavarësia, autonomia dhe integritetit territorial i Republikës së Kosovës. Në vendin tonë për momentin nuk ka autonomi: me nenin e parë të Kushtetutës së Kosovës, vendi ynë definohet shumë qartë si një shtet unitar. Kjo konfirmohet tutje me nenin 12.1 që përcakton krejtësisht qartë se “njësi themelore territoriale të vetëqeverisjes lokale në Republikën e Kosovës janë komunat”. Këto dy dispozita janë të mjaftueshme për t’i demaskuar qëllimet malicioze të hartuesve, që shprehen në preambulë, duke cituar në mënyrë fiktive ligje e akte juridike që fare nuk kanë të bëjnë me entitetet juridike ekzistuese të Kosovës. Ligjet dhe aktet që citohen në preambulë janë fiktive dhe i shërbejnë vetëm një qëllimi: legalizimit e formimit të entitetit të ri juridik nga e drejta publike (shtetërore) – Bashkësinë së komunave serbe, si një mekanizëm për mirëmbajtjen, promovimin dhe zhvillimin e autonomisë serbe me karakter politiko – territorial.

    Konventa kuadër për pakicat kombëtare dhe Konventa evropiane për vetëqeverisje lokale janë instrumente kornizë. Pra, kanë shumë pak ose fare nuk kanë dispozita të vetëzbatueshme në kuptim të nenit 19.1 të Kushtetutës së Kosovës. Ato përmbajnë detyrime për shtetet anëtare, të cilat kanë detyrim për zbatim të dispozitave të tyre. Ato detyrime mund të kenë karakter legjislativ, administrativo-ekzekutiv dhe politik dhe, në fund, gjyqësor. Nga këto Kosova ka zbatuar vetëm të parin dhe të fundit: këto dy instrumente, përmes Kushtetutës së Kosovës janë bërë pjesë e rendit të saj juridik, kurse gjykatat, duke përfshirë Gjykatën Kushtetuese, i zbatojnë drejtpërdrejt për aq sa ato mund të zbatohen. Kjo nga shkaku se, siç u tha, ato nuk kanë dispozita që mund të zbatohen drejtpërdrejt. Për zbatimin e tyre kërkohet aktivitet shtesë legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor i organeve të shtetit, që në do të thotë se citimi i tyre në preambulë është fiktiv, vetëm sa për ta legalizuar themelimin e Asociacionit të komunave serbe, asnjëherë për qëllim të zbatimit real të tyre. Ato nuk mund të zbatohen drejtpërdrejt për arsyet që u përmendën më sipër. Kjo vlen për çdo shtet, jo vetëm për Kosovën – zbatimi i tyre bëhet përmes legjislacionit tjetër që zbërthen dispozitat e tyre kornizë, si dhe përmes veprimeve dhe akteve juridike administrative dhe gjyqësore të organeve shtetërore në Kosovë, duke përfshirë Gjykatën Kushtetuese.

    Qëllimin e tyre real hartuesit e Statutit e shpërfaqin te citimi në preambulë i Rezolutës 1244 të KS të OKB. Nuk do pasur shumë shkollë juridike për ta kuptuar se kjo rezolutë mbron integritetin dhe sovranitetin territorial të Republikës së Serbisë, autonominë substanciale të Kosovës brenda Serbisë, dhe vetë subjektivitetin ndërkombëtar të Serbisë mbi Kosovën, me Kosovën si autonomi brenda saj. Për pasojë, garantimi i pavarësisë dhe integritetit territorial të Kosovës në preambulë, në një kohë që citohet Rezoluta 1244 e KS, përbën një hipokrizi par excellence. Ata që luajnë rol dhe janë të pandershëm, ose të tjerët që nuk i njohin gjërat themelore, kanë pohuar dhe akoma pohojnë se Rezoluta 1244 e KS figuron edhe në Deklaratën e Pavarësisë dhe në Kushtetutën e Kosovës. Ky mendim që qarkullon kësisoj nuk ka asnjë bazë sepse Deklarata e Pavarësisë dhe Kushtetuta e Kosovës nuk janë akte nënligjore e statute, por aktet më të larta juridike në vend. Si të tilla, ato detyrohen të rregullojnë kalimin nga rendi juridik i vjetër – që ka funksionuar sipas normave të UNMIK-ut dhe OKB-së – në rendin e ri juridik-kushtetues deri në nxjerrjen dhe rregullimin e marrëdhënieve të njëjta nga Shteti i ri i Kosovës. E thënë me fjalë të tjera, citimi i Rezolutës 1244 në Deklaratën e Pavarësisë dhe në Kushtetutën e Kosovës ka pasur të bëjë me detyrimet që UNMIK-u i ka krijuar për Kosovën dhe marrjen e tyre përsipër nga ana e Shtetit të Kosovës për një periudhë kalimtare. Te Statuti i Asociacionit të komunave serbe nuk bëhet fjalë për këtë, por për përdorimin e Rezolutës 1244 për rregullim të marrëdhënieve shoqërore për të ardhmen, pra për të shërbyer si bazë juridike e vlefshme për rendin e ri juridik – kushtetues që krijon ky statut.

    Sipas fuqisë juridike, këtë duhet ta dijë çdokush, rezolutat e Këshillit të Sigurimit të nxjerra në bazë të kapitullit VII të OKB, siç është rasti me Rezolutën 1244, qëndrojnë mbi çdo akt tjetër juridik të shteteve, përfshirë kushtetutat e tyre. Futja e saj në Statut tregon që rendi juridik i ri që krijohet me të ka karakter kushtetues në raport me rendin ekzistues të Kosovës, qëndron paralel me të dhe i kundërvihet këtij. Kjo shihet qartë edhe me nenin 42 që themelon arbitrazhin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me zbatimin dhe interpretimin e Statutit. Formimi i arbitrazhit, pra, e bën të qartë se asnjë organ i Kosovës, duke përfshirë Gjykatën Kushtetuese, nuk ka kompetencë për të vendosur mbi mosmarrëveshjet lidhur me interpretimin dhe zbatimin e Statutit.

    Me Rezolutën 1244 dhe me arbitrazhin nga neni 42, rendi juridik që formon Statuti paraqet një rend të mbyllur dhe të vetëpërmbajtur (“self-contained”), tërësisht auto-referencial dhe i vetëmjaftueshëm. Kjo reflektohet që në preambulë, e cila shpalos bazat juridike të këtij rendi. Këto baza juridike e bëjnë të qartë se Statuti është një kushtetutë e dytë e Kosovës, një kushtetutë materiale, për shkak se rregullon materien kushtetuese në territorin e Kosovës sa u përket serbëve, lirive dhe të drejtave të tyre politike, sociale, ekonomike, kulturore dhe të tjera, si bashkësi e posaçme etnike dhe fetare e Kosovës.

    Preambula reflekton zotimet e marra në Bruksel dhe Ohër (marrëveshjet e Brukselit/Ohrit), me të cilat Serbisë i njihet e drejta e paragjykimit të statusit të Kosovës, hiqet dorë nga njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe sanksionohet autonomia dhe termi pakicë kombëtare, që nuk njihen në rendin juridik-kushtetues të Kosovës. Përveç kësaj, marrëveshjet e Brukselit/Ohrit e bëjnë të qartë garantimin e integritetit dhe sovranitetit territorial, jo të Kosovës por të Serbisë, sepse autonomia dhe integriteti territorial kanë për referim dhe vlejnë vetëm për Serbinë: ajo ka pozitë të konsoliduar ndërkombëtare. Kjo shpjegon faktin që kufiri me Serbi do të ngelet i hapur dhe administrativ, nuk do të ketë asnjë hap ose përpjekje për identifikimin dhe caktimin e tij me marrëveshje ndërkombëtare, siç janë marrëveshjet për demarkacion me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. E thënë me fjalë laike, kufiri Kosovë-Serbi do të menaxhohet sipas parimeve të sigurisë, jo mbi bazën e një marrëveshjeje ndërkombëtare midis dy vendeve sovrane dhe të pavarura. Kjo më tutje nënkupton që njohja e Kosovës, qoftë de jure apo de facto, as që merret në konsideratë. Ajo që synohet të shihet si njohje de facto e Kosovës është tallje me ligjin ndërkombëtar, me popullin e Kosovës dhe me vetveten.

    Kulmi i tërë kësaj nuk mbaron me kaq: serbët ruajnë krejt privilegjet kushtetuese që i kanë sipas Kushtetutës së Kosovës. Serbët, me një fjalë, kanë tri kushtetuta: një në Serbi, një me Statut, si kushtetutë materiale, dhe një në Prishtinë me Kushtetutën e Kosovës, që tani e tuje ka punë vetëm me komunitete jo-serbe të Kosovës dhe me serbët që do ta përdorin atë për të bllokuar proceset e konsolidimit të shtetit dhe të qeverisjes.

    Dispozitat e përgjithshme : Neni 1

    Kur bën saktësimin e shprehjeve, me organe qendrore nënkuptohen vetëm organet politike, jo edhe Gjykata Supreme dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, që tregon qartë për atë se rendi juridik i Statutit është rend juridik – kushtetues i kufizuar dhe në kundërvënie të tërësishme ndaj rendit ekzistues të themeluar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Shkurt: as Gjykata Supreme e as Gjykata Kushtetuese nuk kanë punë me rendin juridik – kushtetues që krijohet me Statut. Çdo mosmarrëveshje për zbatim dhe interpretim të Statutit zgjidhet nga Arbitrazhi. Sa i përket amendamenteve në Statut, Gjykata Kushtetuese i vlerëson jo nëse kanë shkelur Kushtetutën e Kosovës, por vetëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese që lejon themelimin e Asociacionit të komunave serbe, i cili pritet të miratohet së shpejti.

    Se kjo si më lart është e saktë vërehet edhe nga paragrafi nën “e”, ku definohet e drejta e aplikueshme në territorin e Asociacionit të komunave serbe: aty fare nuk përmendet Kushtetuta e Kosovës (sic!). Kjo tregon se rendi juridik i Statutit është rend me karakter kushtetues, i vetëmbyllur dhe i vetëmjaftueshëm, që i kundërvihet në çdo aspekt rendit kushtetues aktual të Kosovës sa i përket serbëve lokalë.

    Historiku dhe objektivat : Neni 2

    Në paragrafin e parë e definohet komuniteti serb, fiks ashtu siç e bën Kushtetuta e Kosovës në nenin 57.1 për krejt komunitetet e vendit. Ky definim e nxjerr nga rendi juridik-kushtetues i Republikës së Kosovës, madje me akt nënligjor që quhet Statut, vetëm një komunitet – komunitetin serb, të cilit i jepet një status super-kushtetues: sipas nenit 2.1 të Statutit, vetëm serbët gëzojë të drejta të posaçme. Kjo efektivisht nënkupton që në Kosovë krijohet një komunitet me status superkushtetues që i kundërvihet komunitetit shqiptar, por edhe komuniteteve turk, rom, ashkali, boshnjak; të gjithëve. Kjo paraqet diskriminim të pastër dhe përbën etnicizim të raporteve ndërmjet komuniteteve të Kosovës. Kjo, mbi të gjitha, nuk ka asnjë dallim me Bosnje-Hercegovinën, ku gëzimi i lirive dhe i të drejtave të njeriut bazohet në përkatësi etnike. I vetmi dallim është se kjo në Kosovë vlen vetëm për serbët. Këtë qëllim nuk e fsheh fare Statuti: në paragrafin e dytë të këtij neni, qartë tregohet se kapitulli III i Kushtetutës së Kosovës bartet në këtë statut dhe vlen vetëm për serbët.

    Hiç më ndryshe nuk është paragrafi i tretë, pos që specifikon se Asociacioni është kuadri i vetëqeverisjes së serbëve të Kosovës, që në përshkrim është autonomi politiko-territoriale dhe përfshin sferat specifike të përfaqësimit politik, krijimit dhe ekzekutimit të politikave në mënyrë të pavarur, sigurisë dhe gjyqësisë (gjyqësia serbe në Kosovë shprehet te Apeli, kur çdo çështje/lëndë që lidhet me serbët duhet të ketë në përbërje panel me shumicë serbe). Në paragrafin tre listohen objektivat, por nuk janë të sakta, siç do të shihet nga juridiksioni dhe kompetencat e organeve të Asociacionit. Ky juridiksion dhe kompetencat e këtij entiteti, të definuara në këtë paragraf dhe të zbërthyera më pas, qartë e bëjnë se nuk mund të jetë një Asociacion, por një Bashkësi e komunave serbe, me bazë të saktë territoriale (në fakt bazën e definon edhe ky paragraf sepse thotë se komunat serbe janë ato që futen në të). Edhe paragrafi katër dhe i fundit e konfirmon këtë. Prandaj rasti Sejdic-Finci i vitit 2009 i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që pat gjetur diskriminim në Bosnje-Hercegovinë, në tërësi vlen edhe për Statutin dhe praktikat që do të krijohen sipas tij.

    Statuti : Neni 3

    Statuti përcaktohet si akti më i lartë i Asociacionit të komunave serbe, pra jo Kushtetuta e Kosovës. Në pjesën operative, siç shihet, Kushtetuta e Kosovës nuk listohet si akti më i lartë, sepse në raport me Statutin edhe nuk është: Statuti prodhon norma dhe krijon sistem kushtetues të pavarur nga Kushtetuta e Kosovës. Pjesa operative e Statutit, pra, sheshazi devijon nga preambula, që tregon se në të vetëm në mënyrë fiktive citohet Kushtetuta e Kosovës.

    Përtej kësaj, siç shihet, me Statut (si akt nënligjor) Gjykatës Kushtetuese i jepet kompetencë shtesë, për kontroll kushtetues të tij. Parametrat e këtij kontrolli, gjithashtu i ka caktuar vetë Statuti, në preambulën e vet. Në këta parametra, sikundër shihet, nuk figuron Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015. Pse? Sepse ai aktgjykim është pengesë e patejkalueshme për këtë lloj Statuti. Nuk ka jurist që mund të arsyetojë kushtetutshmërinë e këtij Statuti duke u bazuar në Aktgjykimin e vitit 2015. Për të ndodhur kjo, ky aktgjykim duhet të ndryshohet nga Gjykata Kushtetuese dhe më pas të jepet leja për themelim të Asociacionit të komunave serbe. Këtë mund ta bëjë Gjykata Kushtetuese, por asnjëherë duke u bazuar në kritere të Kushtetutës së Kosovës dhe në standardet e profesionit, por vetëm duke u mbështetur në kritere politike, morale, dhe sociologjike – kritere krejtësisht përtej-kushtetuese. Për këtë arsye hartuesit e Statutit e kanë hequr Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 nga Preambula dhe nga parametrat eventualë të kontrollit kushtetues.

    Procedura e themelimit: Neni 4

    Ajo që bie në sy në këtë nen është paragrafi i parë i tij, në të cilin Statuti tregon se procedura e kontrollit kushtetues në Gjykatës Kushtetuese bëhet sipas nenit tre të tij. Kjo do të thotë se Statuti i urdhëron procedurat e Gjykatës Kushtetuese (sic!). Edhe në këtë nen ekzekutivi (Qeveria) i vendit, përkatësisht resori për pushtetin lokal, manipulohet dhe vihet në shërbim të themelimit të Asociacionit, pra ka rol kalimtar dhe asgjë më shumë – si një shërbim i Asociacionit të komunave serbe në themelim e sipër.

    Anëtarë të Asociacionit janë komunat serbe, që nënkupton se bëhet fjalë për kornizë të qartë të autonomisë politiko-territoriale të serbëve lokalë me lidhje speciale me vendin amë – Serbinë, dhe me pushtetin e Kosovës ekskluzivisht në shërbim të kësaj autonomie, jo si kontrollues i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së punës së tyre. Asnjë nen konkret në krejt Statutin nuk gjendet që tregon se cila dispozitë e Kushtetutës ose ligjeve të Kosovës zbatohet. Kjo duket sheshazi kur kihet parasysh fakti se në të drejtën e aplikueshme nuk hyn Kushtetuta e Kosovës, siç u tha më sipër në komentet tona për nenin e parë, pikën nën “e”.

    Anëtarësimi : Neni 5

    Kulmi i cinizmit të hartuesve të Statutit është paragrafi i parë i këtij neni: qartë dhe në mënyrë diskriminuese. Në fillim, anëtarësimi hapet vetëm për komunat serbe e më pas, kur të themelohet, edhe për të tjerët, por me bekimin e dy të tretave të komunave serbe. Kjo dispozitë efektivisht është veto serbe ndaj çdo anëtarësimi të komunave të tjera në të.

    Paragrafi i tretë që thotë se Asociacioni nuk prek të drejtat dhe autorizimet e komunave ekzistuese është i saktë : asnjë prej kompetencave të tij nuk normohet me Kushtetutën dhe ligjet te Kosovës; as me konventat ndërkombëtare që listohen në preambulë dhe në këtë paragraf. Asociacioni ka kompetencat dhe juridiksionin e vet tërësisht origjinal, plus atë shtesë që ia bart pushteti qendror. Juridiksioni dhe kompetencat e tij, sipas këtij Statuti, siç do të shohim, nuk i shkojnë fizionomisë dhe natyrës së komunave si njësi themelore të vetëqeverisjes lokale, por pushtetit qendror shtetëror: ato nuk kanë lidhje me qeverisjen lokale.

    Pika e pestë flet për anëtarësimin e anëtarëve të Asociacionit në asociacionet jashtë vendi dhe citon nenin 10.3 të Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale. Kjo dispozitë është e vetmja që saktësisht dhe në mënyrë të plotë e të qartë cakton se çka mund të bëjnë komunat anëtare të Asociacionit. Mirëpo, kjo dispozitë është e tepërt sepse kjo e drejtë garantohet me Kushtetutën e Kosovës dhe me Ligjin për vetëqeverisjen lokale. Asnjëherë nuk është kontestuar një e drejtë e tillë. Mirëpo, bashkëpunimi duhet të bëhet me ligj, kurse Asociacioni kërkon që kjo të bëhet sipas dispozitave të tij dhe këtu mbyllet rrethi: kjo dispozitë sërish kthehet te sistemi juridik – kushtetues i Statutit, sepse ndryshe nuk ka asnjë kuptim.

    Amendamentimi Statutit : Neni 6

    Ky nen, në paragrafin e dytë, i jep kompetencë shtesë Gjykatës Kushtetuese. Imagjinoni, me akt nënligjor bëhet ndarja e kompetencave për Gardianin e Kushtetutës së Kosovës (sic!). Neni 113.10 i Kushtetutës së Kosovës e bën të qartë se vetëm me ligj mund të caktohen kompetencat shtesë për Gjykatën Kushtetuese. Edhe sikur të ekzistojë një ligj i tillë, pala e autorizuar mungon sepse vetëm komunat mund të jenë palë në procedurat para Gjykatës Kushtetuese, jo Asociacioni i komunave serbe përmes ministrit të vetëqeverisjes dhe pushtetit lokal, siç përcakton dispozita e paragrafit të partë të këtij neni. Ky akt nënligjor – vetëm në aspektin formal, sepse në atë material është kushtetutë e dytë e Kosovës – i cakton juridiksion dhe kompetenca shtesë Gardianit të Kushtetutës.

    Çështjet administrative : Neni 7

    Duke e definuar si një çështje gjoja administrative, në paragrafin e parë, ky nen definon territorin e autonomisë politike serbe në Kosovë. Në të dytin e cakton Mitrovicën si qendër të përkohshme, mirëpo anëtarët mund të vendosin ndryshe. Kjo është qartësisht një shenjë tjetër se Asociacioni i komunave serbe nuk mund të jetë agjenci qeveritare, siç trumbetohet, sepse asnjë agjenci qeveritare nuk funksionon sipas parimit territorial, por ekskluzivisht sipas parimit funksional. Kjo ka qenë kështu prej viti 1602, kur për herë të parë u themelua në Britaninë e Madhe – si nëna e agjencive dhe e institucioneve të pavarura shtetërore – agjencia e parë me funksion bankat dhe financat. Me dispozitat e këtij Statuti, ndërkaq, Qeveria e Kosovës vihet në shërbim të Asociacionit të komunave serbe deri në themelim. Pas themelimit, Asociacioni kthehet në një partner ekskluzivisht rival me Qeverinë për të gjitha mosmarrëveshjet rreth zbatimit dhe interpretimit të Statutit të Asociacionit.

    Emri zyrtar: Neni 8

    Si emër zyrtar përdoret “Asociacioni i komunave me shumicë serbe”, që në fakt nuk është në përputhje me përmbajtjen, në asnjë mënyrë. Asociacioni, siç dihet, asnjëherë nuk mund të këtë autorizime nga e drejta publike, sepse formohet sipas ligjit për organizatat joqeveritare. Kjo është kështu në krejt botën. Siç u tha më sipër, në thelb këtu bëhet fjalë për Bashkësi të komunave serbe, si kuadër për realizimin dhe zhvillimin e autonomisë politiko-territoriale serbe në Kosovë, siç u pa më sipër nga dispozitat konkrete të Statutit. Asnjë segment të tillë nuk e hasim në Asociacionin e Kosovës, dhe në asnjë asociacion tjetër në Ballkan e më gjerë. As Karta evropiane për vetëqeverisje lokale nuk i referohet bashkëpunimit në mes të asociacioneve, por në mes të autoriteteve publike të vetëqeverisjes lokale. Për rrjedhojë, krejt e pritshme dhe normale do të jetë që emri ekzistues të ndryshohet në mbledhjet e para të Kuvendit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Edhe zotimi për mosdiskriminim në paragrafin e dytë të këtij neni është fiktiv, sepse bashkësitë e tjera që jetojnë në territorin e Bashkësisë do të kenë pak mundësi për gëzim të lirive dhe të drejtave të tyre kushtetuese sipas parimit kushtetues të demokracisë konsociacionale, i cili rrënohet në tërësi në raport me të tjerët për shkak se komuniteti serb gëzon liri dhe të drejta nga kapitulli III i Kushtetutës në mënyrë të pavarur nga të tjerët.

    Statusi juridik dhe të drejtat pronësore : Neni 9

    Pasi citon në mënyrë fiktive të drejtën e zbatueshme në pjesën e parë të fjalisë, paragrafi i parë i këtij neni definon saktësisht thelbin e fizionomisë së Asociacionit, si një entitet nga e drejta publike (shtetërore). Asociacioni, thotë kjo fjali, ka të drejtë për të pasur në pronësi prona dhe pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të jetë bashkëpronar i kompanive që ofrojnë shërbime brenda territorit të Asociacionit si dhe të lidhë kontrata, duke përfshirë ato të punës, të padisë dhe të paditet. Këto kompetenca, pas asnjë dyshim, kanë të bëjnë edhe me liqenin e Ujmanit, dhe çdo pronë publike që gjendet në territorin e komunave anëtare të Asociacionit. Tash e tutje, Asociacioni, jo komunat, paraqitet si palë para gjykatave dhe akterëve të jashtëm sa u përket pronave dhe pasurisë së tundshme e të patundshme në krejt territorin e Kosovës. Prona dhe pasuria e Asociacionit është e ndarë nga prona e komunave anëtare, pra bëhet fjalë për prona e pasuri të posaçme, që sot nuk menaxhohen nga komunat, që krijohet rishtas. Kjo specifikohet në paragrafët në vijim të këtij neni që nuk lejojnë bartjen e pronave dhe pasurive ekzistuese të komunave serbe.

    Simbolet zyrtare: Neni 10

    Edhe këtu vazhdon citimi fiktiv i ligjeve të Kosovës. Në këtë rast, në paragrafin e parë citohet neni 7.3 i Ligjit për vetëqeverisjen lokale në Kosovë, si bazë për simbolet, nen që ka të bëjë me komunat, assesi me Asociacionin. Se kjo është fiktive shihet edhe në paragrafin në vijim, që kërkon nga Asociacioni vetëm që të bëjë përpjekje që simbolet të reflektojnë marrëdhëniet shoqërore, llojllojshmërinë dhe kohezionin shoqëror në Kosovë. Pra, kërkohet vetëm përpjekje për një gjë të tillë. Nëse janë bërë përpjekjet e tilla nga Kuvendi i Asociacionit, kjo vlerësohet nga Gjykata Kushtetuese: edhe ky nen përcakton kompetenca shtesë për Gjykatën Kushtetuese (paragrafi 3). Pra, Gardiani Kushtetutës merret me simbolet e Asociacionit sipas parametrave të caktuara me statut, jo me Kushtetutë dhe ligj (sic!). Kjo është edhe një përmbysje e rendit kushtetues të Kosovës sovrane dhe të pavarur sipas vendimit të 17 shkurtit 2008. Paragrafi i pestë i këtij neni e cakton si parametër një ligj që vlen për komunat, sërish në mënyrë fiktive. Gjykata Kushtetuese nuk mund ta përdorë këtë ligj si bazë për vlerësim të simboleve të Asociacionit, sepse nuk vlen për të. Asociacioni nuk është komunë, por kuadër (kornizë) për autonominë politiko-territoriale serbe.

    Bashkëpunimi: Neni 12

    Brendia e këtij neni, në katër e paragrafët e saj, qartë tregon se këtu flitet për bashkëpunim me shtete dhe çdo autoritet publik të vendit dhe të huaj, në bazë të marrëveshjeve bilaterale, ku Asociacioni shfaqet si palë e pavarur jashtë pushtetit qendror në Prishtinë. Asnjë kufizim nuk vihet për këtë bashkëpunim: thuhet se vlen ligji i zbatueshëm, pa përcaktuar se çka konsiderohet ligj i tillë. Kjo është normale: po të vlente Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet e saj për marrëdhënie ndërkombëtare, atëherë do të kishte pasur kufizime që lidhen me materien dhe llojin e bashkëpunimit.

    Këtu Asociacioni paraqitet në emër të komunave si aktor që flet në emër dhe për llogari të tyre me palët e treta (paragrafi 2). Kjo përbën një problem të veçantë. Nuk ka autonomi në Evropë, duke përfshirë Tirolin e Jugut në Itali, ishujt Aaland në Finlandë, popujt Sami në vendet Skandinave dhe Kataloninë në Spanjë që lejon autonomitë dhe popujt e tyre të dalin të pavarur në marrëdhënie me jashtë në sferat që përmend Statuti në paragrafin 2 . Çdo herë duhet një bekim apo kufizim me kushtetutë e ligj i vënë nga pushteti qendror. Këtu, në këtë nen, fare nuk përmendet pushteti qendror.

    Objektivat dhe kompetencat: Neni 13

    Në paragrafin e parë, Statuti i cakton Asociacionit si kompetencë të përgjithshme koordinimin dhe bashkëpunimin ndërkomunal, pra asnjë punë e komunave serbe nuk mund të kryhet pa bekimin formal të Asociacionit. Paragrafi i dytë vë Asociacionin në pozitë të avokatit të përgjithshëm për krejt komunat dhe serbët e Kosovës në raport me çdokënd tjetër në Kosovë dhe jashtë saj, sa i përket kapitullit III të Kushtetutës. Kjo do të thotë se Asociacioni shfaqet si palë edhe ndaj Gjykatës Kushtetuese. Pasi flet për bashkëpunim shkencor dhe hulumtues, një kompetencë gjithashtu e autoriteteve publike, sepse ka të bëjë me shkencë e hulumtim, për çështjet që janë objektiv dhe kompetencë e Asociacionit (p.sh. ndotja e Ibrit dhe niveli i ndotjes, masat që duhen ndërmarrë dhe kështu me radhë), paragrafi i katërt përcakton sferën normative të Asociacionit: aktet e tij normative janë me karakter të përgjithshëm dhe individual. Paragrafi i pestë i njeh Asociacionit kompetencë të plotë në shëndetësi dhe arsim, duke përjashtuar komunat. Komunat nuk përjashtohen sa i përket kompetencave të tyre klasike nga neni 40.2 i Ligjit për vetëqeverisjen lokale. Procedurat e kontrollit të plotë të arsimit dhe shëndetësisë përcaktohen me Statut, jo me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, thotë paragrafi i pestë. Kjo është një dëshmi tjetër se ky regjim juridik ka karakter kushtetues: Asociacioni është fjala e parë dhe e fundit në arsim dhe në shëndetësi, për aq sa kjo ka të bëjë me komunat serbe në Kosovë. Kompetencat shtesë, sipas paragrafit të shtatë, përcaktohen në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe ligjit. U mor vesh, as në Kushtetutën e Kosovës dhe në asnjë ligj tjetër në vend nuk ekzistojnë dispozita për asociacione që kanë kompetenca nga sfera e të drejtës publike (shtetërore). Ato nuk ekzistojnë në asnjë vend tjetër në Evropë, autonomitë e të cilave gjoja paskan shërbyer për modelimin e këtij statuti.

    Menaxhimi i institucioneve të arsimit dhe të shëndetësisë të themeluara dhe financuara nga Serbia : Neni 14

    Edhe në këtë nen vazhdon manipulimi dhe citimi fiktiv i instrumenteve dhe akteve juridike ndërkombëtare dhe vendore. Paragrafi i parë nis me nenin 13 të Konventës-kuadër për mbrojtjen e pakicave. Ky nen flet për të drejtën e pakicave për themelim të institucioneve private të arsimit, por jo edhe të shëndetësisë. Pra, neni që citohet ka të bëjë me institucione të arsimit privat, jo me institucione shëndetësore (qoftë private ose publike). Këto që janë në Kosovë i ka themeluar dhe financuar shteti serb dhe nuk janë private. Përveç faktit që kjo konventë është kuadër, bashkë me tjetrën për vetëqeverisje lokale, siç e shpjeguam më sipër, ajo nuk ka fare të bëjë me fushën e kompetencave të Asociacionit, të cilat në tërësi janë kompetenca kushtetuese. Pse, atëherë, në Kosovë ky nen i shndërron në institucione private institucionet serbe të shëndetësisë dhe të arsimit?! Përgjigjen duhet kërkuar në Rezolutën 1244 që garanton dhe mbron sovranitetin dhe shtetësinë serbe në Kosovë. Serbia, duke mos e pranuar Kosovën si shtet, në Kosovë synon të operojë në këto dy sfera përmes institucioneve private, duke komisionuar në një pjesë të funksioneve shtetërore në subjekte private për një pjesë të territorit që ajo me kushtetutë e konsideron si tokë të saj dhe këtë ia njeh Rezoluta 1244. Këtë e bën për të larguar nga subordinimi ndaj institucioneve shtetërore të Shtetit të Kosovës institucionet e saj shtetërore të arsimit dhe të shëndetësisë, krejt kjo për të ruajtur sovranitetin e vet kundrejt Kosovës që bazohet në Rezolutën 1244. Kjo është arsyeja pse diplomat dhe dokumentet përfundimtare të këtyre institucioneve në fund legalizohen sipas Kushtetutës dhe ligjeve serbe (paragrafi parë nën “i”): vulat e thata, apostilet, dhe vulat e tjera si simbole të sovranitetit të shtetit, i lëshon dhe jep Republika e Serbisë, jo Shteti i Kosovës. Thënë shkurt: rrjeti serb i arsimit dhe i shëndetësisë vepron në Kosovë si agjenci e komisionuar serbe, me autorizim dhe përgjegjësi të saj sipas ligjit ndërkombëtar, falë futjes së Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, në pajtim me dispozitat e marrëveshjeve të Brukselit/Ohrit me të cilat Serbisë i njihet e drejta për paragjykim të statusit të Kosovës dhe heqjen dorë nga njohja reciproke në mënyrë përfundimtare dhe me marrëveshje ndërkombëtare.

    Përgjegjësi shtesë në arsim : Neni 15 & Përgjegjësi shtesë në shëndetësi dhe kujdes social: Neni 16

    Këto dy nene janë më të plotat sa i përket kompetencave të Asociacionit dhe kontrolli i tyre absolut nga Asociacionit në raport me pushtetin qendror: asnjë autorizim i asnjë organi qendror nuk përcaktohet në këto dy fusha. Pushtetit qendror Asociacioni i ofron këshilla dhe qëndrime për sa i përket secilit detaj në arsim e shëndetësi, duke filluar nga kurikulat e deri te infrastruktura. Në sferën e infrastrukturës, Asociacioni paraqitet si financues dhe mbikëqyrës absolut. Në shëndetësi, në kohë pandemie dhe të gjendjes tjetër të jashtëzakonshme, Asociacioni shkëputet në tërësi nga pushteti qendror dhe vepron si i pavarur, duke u mbështetur vetëm në Serbi, sipas nenit 16 të Statutit. Një komision i përbashkët për përfitimet sociale për serbët lokalë themelohet, së bashku me pushtetin qendror, dhe ka të bëjë vetëm me sferën e ndihmave sociale që vijnë nga Serbia. Çdo gjë që lidhet me financat kalon në Bankën Qendrore të Kosovës për kontroll dhe përmes Auditorit të Përgjithshëm. Këto dy institucione të Kosovës shndërrohen në shërbëtore të Asociacionit. Kjo bëhet për shkak se pastrimi i parave dhe krimi financiar ka rrezik të lulëzojë në komunat e Asociacionit, dhe duhet marrë masa kontrolli sa i përket qarkullimit të parasë, asgjë më shumë se kaq. Asnjë autorizim tjetër nuk e kanë Banka Qendrore e Kosovës dhe Auditori i Përgjithshëm.

    Demokracia lokale: neni 17

    Ky nen, në një dispozitë të vetme, definon një lloj të veçantë të demokracisë lokale, që është krejtësisht e ndryshme nga ajo e përcaktuar me kapitullin X të Kushtetutës së Kosovës. As me këtë kapitull dhe as me kapitullin III nuk mund të harmonizohet ky lloj i demokracisë lokale, ku një entitet i ri paraqitet si entitet që lehtëson, mbështet, promovon dhe financon demokracinë serbe në nivel të autonomisë së tyre. Asnjë dispozitë e Kushtetutës së Kosovës nuk lë hapësirë për rajonalizim të vendit, aq më pak për përfaqësim etnik vetëm të një komuniteti në komunat ku përbën shumicë. Statuti krijon këtë lloj demokracie në mënyrë origjinale, pa u mbështetur në asnjë dispozitë konkrete të Kushtetutës së Kosovës, apo të ndonjë ligji tjetër.

    Kultura: Neni 18

    Në këtë nen, thuajse fjalëpërfjalshëm, janë bartur dispozitat kushtetuese që vlejnë për krejt komunitetet e Kosovës, duke përfshirë shqiptarët aty ku janë pakicë, dhe janë përvetësuar vetëm për serbët. Këto përgjegjësi në sferën kulturore i takojnë Republikës së Kosovës, sipas nenit 58 dhe 59 të kapitullit III dhe nenit 123.3 të kapitullit X. Këto funksione shtetërore në lëmin e kulturës tani i ushtron Asociacioni: ai tani mbron, mbështet dhe lehtëson në vend të Republikës së Kosovës, pa asnjë mbështetje kushtetuese ose ligjore. Këto lloj kompetencash, në të gjitha kushtetutat e vendeve fqinje, duke përfshirë Republikën e Serbisë, i takojnë shtetit.

    Zhvillimi ekonomik: Neni 19

    Në këtë nen, hartuesi i Statutit është edhe më brutal: në paragrafin e parë flet për mbikëqyrje të tërësishme, me të cilën nënkuptohet: rregullimi, koordinimi dhe udhëheqja e marrëdhënieve ekonomike të komunave që kanë të bëjnë me zhvillimin dhe ekonominë lokale. Asociacioni, pra, në tërësi merr përsipër përgjegjësinë për zhvillimin ekonomik të autonomisë serbe. Këtë e thotë në paragrafin në vijim edhe më hapur, kur flet për financimin dhe promovimin e aktivitetit ekonomik. Paragrafi i fundit i këtij neni i jep të drejtën ekskluzive të përfaqësimit Asociacionit para organeve qendrore dhe në raport me operatorët ekonomikë dhe, siç e thotë vetë Statuti, në kufij administrativ të komunave serbe.

    Këto janë funksione klasike të shtetit, bashkë me kompetencat nga dy paragrafët e mësipërm. Këto funksione i kryen shteti, jo niveli tjetër i pushtetit, edhe në vendet ku ka autonomi siç janë Tiroli i Jugut, Katalonia, ishujt Aaland, populli Sami dhe kështu me radhë. Aty ku nuk janë funksione të shtetit, i takojnë komunës, apo njësisë themelore të vetëqeverisjes, por jo nivelit tjetër të pushtetit që nuk është nivel shtetëror.

    Planifikimi urban dhe rural : neni 20

    Uzurpimi i funksioneve shtetërore nuk është askund më i dukshëm së në dispozitat e këtij neni. Asociacioni ushtron funksionet dhe mbikëqyrjen e tërësishme, me të cilën nënkuptohet rregullimi (pra rregullon nga zero), organizon, koordinon dhe udhëheq çështjet që kanë të bëjnë me kompetencat e komunave në sferën e planifikimit urban dhe rural dhe të zhvillimit ekonomik. Pra, bëhet fjalë për kompetencat e komunave që tani barten në tërësi në nivel të Asociacionit për sa i takon planifikimit urban dhe rural dhe zhvillimin ekonomik. Pastaj në nen listohen aktivitetet që kanë të bëjnë me këtë funksion, dhe në tërësinë e tyre janë funksione shtetërore klasike. Në raport me pushtetin qendror, Asociacioni paraqitet si këshillues i këtij pushteti në çështjen e planifikimit urban dhe rural, duke uzurpuar kësisoj kompetencat e trupave kushtetues për këtë qëllim që janë të parashtruara në fushëveprimtari të Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë dhe që kryejnë të njëjtën detyrë.

    Kthimi i personave të zhvendosur dhe refugjatëve : neni 21

    Ky nen qartë fiton dy lloje të kompetencave, ato të Ministrisë për komunitete dhe kthim dhe kompetencën e zbatimit të projekteve të kësaj ministrie përmes shndërrimit të Asociacionit në zbatues të këtyre projekteve. Nga përshkrimi i funksioneve të kthimit shihet se, pa asnjë diskutim, bëhet fjalë për kompetenca që deri tani kanë qenë në nivel ministror. I vetmi ndryshim është se tani kjo materie merr ngjyrë etnike serbe sepse ka të bëjë vetëm me serbët, duke lënë anash romët, ashkalitë, egjiptasit, boshnjakët dhe komunitetet tjera që kanë pësuar nga konflikti në Kosovë dhe nuk janë kthyer akoma. Veçanërisht komunitetet rom – ashkali – egjiptas, me qindra nëse jo me mijëra, gjenden në Serbi dhe Mal të Zi dhe do të mbeten jashtë çdo mbrojtjeje në territorin e autonomisë serbe që formohet.

    Hulumtimi dhe zhvillimi : Neni 22

    Ky aktivitet ka të bëjë me secilën kompetence dhe funksion që është nën juridiksionin e Asociacionit dhe ka për qëllim ofrimin e hapësirës juridike për hulumtim dhe zhvillim, përkundër faktit që ky aktivitet mund të ushtrohet edhe sot nga komunat pa asnjë kufizim ligjor. Ideja tani është që jo komunat serbe, por Autonomia serbe si tërësi, përmes organeve të saj, të shfaqet si rival para pushtetit qendror me imponim të hulumtimeve dhe projekteve zhvillimore për anëtarët e vet. Këtë e saktëson paragrafi i dytë i këtij neni, përtej çdo dyshimi.

    Ndërmarrjet e përbashkëta publike: neni 23

    Ky nen i jep të drejtën për themelim të ndërmarrjeve publike për kryerjen e shërbimeve komunale në emër të anëtarëve të vet në krejt sferat dhe brenda kompetencave që ka. Kjo do të thotë që Asociacioni mund të themelojë ndërmarrje publike të reja për Ujmanin, Trepçën (pjesa që gjendet në territorin e komunave anëtare), për pronat e tjera publike që sot menaxhohen nga Agjencia e Privatizimit dhe kështu me radhë, pa asnjë kufizim.

    Kjo dispozitë përdor në mënyrë fiktive frazën “sipas të drejtës së zbatueshme”, pa treguar asnjë ligj, asnjë nen ose diçka konkrete se si duhet të zbatohet dhe, mbi të gjitha, kush e kontrollon administrativisht ligjshmërinë e Asociacionit në këtë sferë. Kontrolli administrativ i ligjshmërisë askund dhe në asnjë rast nuk parashihet. Nuk parashihet as kontrolli gjyqësor i ligjshmërisë dhe as kontrolli kushtetues i akteve që nxjerr Asociacioni dhe që janë të shumta. Ky përbën një problem serioz sepse tregon se Asociacioni dhe autonomia e tij kanë liri për arbitraritet pa kufi.

    Organet : neni 24

    Në këtë nen jepet struktura organizative e Asociacionit, i cili ushtron kompetencat e tij për realizimin e autonomisë serbe në Kosovë. Në shikim të parë, kjo strukturë duket e pranueshme, por në brendi ka probleme serioze sepse ndan kompetenca nga sfera e të drejtës publike (shtetërore), të cilat u takojnë organeve të tjera kushtetuese.

    Kuvendi : neni 25

    Në pikën nën “c”, Statuti i njeh të drejtën Kuvendit të Asociacionit për të nxjerrë rregullore speciale. Kjo përbën një problem serioz sepse, siç dihet, normat speciale shfuqizojnë normat e veçanta. Nëse merren parasysh juridiksioni dhe kompetencat e tij, kjo nënkupton që me rregullore speciale Kuvendi i Asociacionit mund të shfuqizojë normat kushtetuese dhe ligjore që janë pengesë për realizimin e kompetencave të tij. Për një rast të tillë të shkeljes kushtetuese nuk vendos Gjykata Kushtetuese, por Arbitrazhi nga neni 42 i Statutit. Gjykata Kushtetuese nuk ka asnjë kompetencë për të vendosur mbi kushtetutshmërinë e asnjërit prej akteve normative nga ky nen që i nxjerr Kuvendi i Asociacionit.

    Një tjetër kompetencë shtetërore e Kuvendit të Asociacionit gjendet në dispozitën nën germën “j”, e cila i jep Autonomisë serbe kontroll të plotë mbi investimet dhe projektet e infrastrukturës me vlerë përtej 50.000 eurove. Kjo kompetencë vështirë të mos konsiderohet si kompetencë e një kuvendi në një shtet sovran dhe të pavarur. Autonomia serbe në këtë drejtim tejkalon çdo kufi të entiteteve publike në rajon, përveç shtetit.

    Zgjedhja e delegatëve : Neni 26

    Takimet e Kuvendit dhe procedurat e vendimmarrjes: 27

    Ky nen në tërësi ndryshon sistemin zgjedhor dhe demokracinë kushtetuese në Kosovë sepse e fut sistemin e delegimit. Pra, për serbët më nuk vlejnë rregullat e përfaqësimit të përcaktuara me Kushtetutë dhe me legjislacionin mbi zgjedhjet, dhe as demokracia konsociacionale që reflektohet në Kushtetutën e Kosovës që rregullon përbërjen e organeve qendrore, por një sistem i delegimit. Ky sistem lejon hapësirë për kontroll total të Asociacionit nga aktorë të jashtëm, duke përfshirë Republikën e Serbisë, me qëllim të prodhimit të vullnetit unik politik serb. Nuk besoj se në Evropë ka ndokund sistem të delegimit. Ish-Jugosllavia ka qenë sistemi i fundit kushtetues që ka pasur një të tillë.

    Nenet 25, 26 dhe 27 , për nga koncepti, në tërësi janë të njëjtë me parlamentet e vendeve përreth Kosovës, duke përfshirë Kuvendin e Kosovës. Kuvendi cakton dhe kontrollon politikat e Asociacionit, buxhetin, marrëveshjet me palët e treta dhe kështu me radhë. Nuk mund mos të ketë fizionomi shtetërore një kuvend që ka përfaqësim politik, cakton politika, vendos për rregullore speciale, kontrollon punën e organit ekzekutiv të cilin e formon vetë dhe të cilit i ngarkon detyrën e ekzekutimit të politikave të veta, ka buxhet, investime të shumave pa kufij sapo kalon shumë mbi 50.000 euro, dhe kështu me radhë.

    Presidenti dhe zëvendës-presidenti. Zgjedhja dhe mandati: Neni 28

    Ky nen reflekton sistemin e delegimit dhe përbën një nen diskriminues: këto poste kushtëzohen me të qenit këshilltar komunal ose kryetar komune. Kjo do të thotë se kërkohet lojalitet i dyfishtë dhe filtër me dy shkallë: e para, gjatë zgjedhjeve të drejtpërdrejta për këshilltarë dhe kryetar komune dhe, e dyta, gjatë fushatës për t’u bërë kryetar dhe zëvendëskryetar i Asociacionit. Kjo krijon struktura përfaqësuese të një niveli të ndryshëm dhe tërësisht kundërkushtetuese në krahasim më pushtetin qendror dhe krejt komunitetet e tjera. Nuk mund të krijohen dhe ekzistojnë përfaqësime politike në organet publike, që janë të ndryshme nga ato të përcaktuara me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e saj. Një gjë të tillë nuk e lejojnë as vendet e tjera. Çdo format i shprehjes së vullnetit politik në fillim përcaktohet me Kushtetutë, kurse mënyrën e formimit të vullnetit të tillë më pas e zbërthejnë ligjet dhe aktet e tjera nënligjore.

    Kompetencat : Neni 29

    Presidenti paraqet institucion përfaqësues – në paragrafin e katërt Presidenti cilësohet si entitet i autorizuar – në raport me krejt pushtetin kushtetues në vend dhe çdo subjekt të jashtëm dhe vendor. Këto të fundit mund të jenë shtetërore dhe joshtetërore.

    Përveç kësaj kompetence, në paragrafin e dytë, Presidenti gëzon kompetenca të mbikëqyrjes dhe menaxhimit të krejt organeve të Asociacionit, duke përfshirë Kuvendin përmes autorizimit për menaxhim të vendimeve të tij. Në kompetencat e këtij organi janë edhe ekzekutimi i buxhetit dhe i shpenzimeve dhe kontrolli i tyre, lëshimi i dokumenteve të pronës, përfaqësimi në gjykata dhe në raport me palët e treta dhe çdo funksion tjetër që ka të bëjë me funksionimin e Asociacionit.

    Edhe për këtë organ, si për Kuvendin e Asociacionit, vlen standardi i njëjtë: nuk mund të krijohen dhe ekzistojnë përfaqësime politike në organet publike, që janë të ndryshme nga ato të përcaktuara me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e saj. Një gjë të tillë nuk e lejojnë as vendet tjera. Çdo format i shprehjes së vullnetit politik në fillim përcaktohet me Kushtetutë, kurse mënyrën e formimit të vullnetit të tillë më pas e zbërthejnë ligjet dhe aktet e tjera nënligjore.

    Këshilli : Neni 30

    Bordi dhe kompetencat e tij: nenet 31 & 32.

    Në ndërkohë që Këshilli ka funksion këshillues dhe natyrshëm shkon me organet të tjera të Asociacionit, Bordi përfaqëson një qeveri tipike të një regjioni autonom me kompetenca nga e drejta publike (shtetërore). Ai ka të drejtë të menaxhojë çdo gjë, nga financat deri te prona e Asociacionit; ekzekuton vendimet e Kuvendit dhe çdo politikë të tij të kthyer në norma e vendime. Të gjitha funksionet e tij janë ekzekutive.

    Kryesuesi i Bordit: neni 33

    Kryesuesi i Bordit është zyrtari më i lartë ekzekutiv dhe ka kompetenca të ndara nga Bordi, që kanë të bëjnë me koordinim dhe menaxhim të punës së Bordit, resurseve njerëzore, lidhjes së kontratave, raportimit në Kuvend.

    Administrata. Kompetencat: Neni 34

    Punësimi : Nenet 35

    Administrata e Asociacionit në tërësi ka natyrë të kundërt me atë që ka thënë Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, siç janë kundër edhe autorizimet e shtjelluara më sipër të organeve të Asociacionit. Bëhet fjalë për administratë të posaçme profesionale, që funksionon sipas rregullave të shërbimit profesional të bazuar në merita. Thuhet se respektohet parimi i llojllojshmërisë etnike dhe gjinore, dhe për këtë citohet në formë zotimi “e drejta e zbatueshme në Kosovë”. Cila e drejtë nuk specifikohet, sepse sot për sot nuk ka asnjë ligj, por as Kushtetuta e Kosovës, që lejon formim të administratës shtetërore të tipit që normon ky nen. Në dy tre vende citohet në mënyrë abstrakte Ligji i Punës, por nuk thuhet nëse bëhet fjalë për ligjin e punës të Kosovës apo të Serbisë dhe as për cilat nene bëhet fjalë. Sidoqoftë, në këto dy nene ka vetëm zotime se Asociacioni do të bëjë përpjekje për respektim të një ligji të punës, krejt në mënyrë abstrakte.

    Zyra e ankesave: neni 36

    Kjo zyrë shërben si organ administrativ i shkallës së dytë për krejt ankesat që kanë komunat anëtare, grupet civile, asociacionet profesionale, entitete komerciale në territorin e Asociacionit Kjo në tërësi është kundër Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve të vendit tonë sepse këtë gjë mund ta kenë vetëm komunat. Ky nen krijon një organ ankimor nga hiçi dhe i jep atribute të organit administrativ të shkallës së dytë për çështjet që u takojnë organeve ekzistuese kushtetuese dhe ligjore të komunave si njësi të njohura të vetëqeverisjes lokale. Vendimet e kësaj zyre mund të goditen në gjykatat e Kosovës, thotë paragrafi i tretë i këtij neni, pa treguar se cila është ajo gjykatë që Statuti i cakton kompetenca shtesë. Kjo nuk ka logjikë, sepse me statut nuk mund të caktohen kompetencat e gjykatave të rregullta askund !

    Për t’u realizuar kjo dispozitë – por edhe të tjerat që formojnë organe të reja publike dhe ndajnë kompetenca nga e drejta publike – duhet të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës dhe ligji që rregullon vetëqeverisjen në Kosovë, për t’iu përshtatur konceptit të Autonomisë politiko-territoriale që sanksionon ky statut.

    Shërbimet e ndihmës juridike : Neni 37

    Krejt çka u tha për nenin 36 vlen, mutatis mutandis, edhe për këtë nen.

    Buxheti dhe financimi : Neni 38

    Në paragrafin e parë thuhet se buxheti dhe financat administrohen sipas parimeve të përgjegjësisë dhe transparencës, jo në bazë të Kushtetutës dhe të ligjeve të Kosovës.

    Në ndërkohë që kontrolli i buxhetit dhe financat nga Auditori i Përgjithshëm përcaktohet me këtë nen, sepse duhet të kontrollohet pastrimi i parave dhe çdo abuzim financiar që mund të bëhet, dispozitë krejtësisht antikushtetuese këtu është ajo e paragrafit të tretë që i jep BE-së autorizime për kontroll dhe mbikëqyrje të buxhetit të Asociacionit. Kjo përbën bartje të sovranitetit sepse një organizate ndërkombëtare i transferohet ushtrimi i autorizimeve publike në Kosovë. Kjo rregullohet me nenin 20.1 të Kushtetutës. Përveç kësaj, në aspektin ndërkombëtar Asociacioni nuk ka përgjegjësi sepse nuk përbën entitet nga e drejta ndërkombëtare. Sipas ligjit ndërkombëtar për të përgjigjet Shteti i Kosovës, që nënkupton se çdo detyrim i tij ndaj palëve të treta, financiar ose tjetër, siç përcaktohet me ketë nen, mund ta fusë Kosovën në telashe financiare ndaj shteteve dhe kreditorëve të tjerë.

    Buletini zyrtar: neni 39

    Krejt natyrshëm, një autonomi si kjo që instalohet në Kosovë, me aktivitet të dendur normativ, duke përfshirë rregulloret speciale që rregullojnë çështje speciale, duhet të këtë një buletin për publikim të akteve të veta normative dhe njoftimeve të tjera me rëndësi për anëtarët e vet dhe qytetarët.

    Marrëdhënia me pushtetin qendror. Mbikëqyrja administrative: neni 40

    Me këtë nen Statuti përcakton kompetenca për organet kushtetuese, në mënyrë krejt kundërkushtetuese: Kushtetuta dhe ligji përcaktojnë kompetencat e kontrollit administrativ të ligjshmërisë.

    Në paragrafin e parë, Statuti bën një zotim se nuk do të minojë rendin kushtetues e ligjor të Kosovës dhe as marrëdhëniet në mes të pushtetit qendror dhe lokal. Kjo nuk mund të bëhet nga një akt nënligjor, siç është Statuti. Këtë ndarje të kompetencave e bën Kushtetuta e më pas ligjet e zbërthejnë për rastet dhe sektorët konkretë.

    Në paragrafin e dytë jepen kompetenca për kontroll administrativ sipas kapitullit 10 të Ligjit për vetëqeverisjen lokale, pra Statuti urdhëron ligjin për t’u zbatuar ndaj tij (sic!).

    Përveç kompetencave si më sipër që i shtjelluam, Presidenti i Asociacionit këtu paraqitet si koordinator në mes të komunave anëtare dhe pushtetit qendror sa i përket zbatimit të kapitullit 10, si më sipër të Ligjit, për vetëqeverisje lokale.

    Marrëdhënia me pushtetin qendror. Parimet e përgjithshme: neni 41

    Në mënyrë juridikisht krejt diletante, ky nen përmban parimet e përgjithshme, në ndërkohë që nuk ka kapitull ose seksion nga ku mund të kuptohet se për cilat parime bëhet fjalë, për kënd do të vlejnë – për krejt kapitullin ose seksionin (sic!). Nga përmbajtja, megjithatë, shihet qartë se sërish bëhet fjalë për bartje të kompetencave sovrane të Shtetit të Kosovës. Nuk do të jetë Shteti i Kosovës ai që do të mbikëqyrë punën fillestare të Asociacionit, por BE-ja. Dhe madje përmes këtij statuti. Vështirë të imagjinohet një vend sovran dhe i pavarur i cili pranon që me akte nënligjore t’i merren kompetencat e tij shtetërore sovrane dhe më pastaj ato të barten gjetiu në një shtet ose organizatë tjetër ndërkombëtare !

    Dispozitat e tjera të këtij neni e vendosin Asociacionin si entitet të barabartë me pushtetin qendror, me çdo organ kushtetues të Kosovës. Për më tepër, në paragrafin e gjashtë Asociacionit i njihet e drejta për të nisur procedurat para Gjykatës Kushtetuese. Kjo do të thotë se me Statut caktohet se kush është palë e autorizuar pranë Gjykatës Kushtetuese ! Këtë nuk e thotë neni 113 i Kushtetutës që saktësisht tregon se kush mund të jetë palë e autorizuar pranë Gardianit të Kushtetutës. Përveç kësaj dispozite, edhe të tjerat në vijim, i japin të drejtë për të qenë palë në procedurë Asociacionit, kur është potencialisht viktimë në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës. Këtë e përcakton Kushtetuta e Kosovës, jo Statuti i Asociacionit. Përveç kësaj, nuk mund të përcaktojë as Statuti i Asociacionit dhe asnjë ligj tjetër se kush është viktimë: këtë e bën Gjykata Kushtetuese atëherë kur vlerëson nëse kërkesa e ushtruar sipas nenit 113.7 të Kushtetutës së Kosovës është e pranueshme për shqyrtim dhe vendosje.

    Zgjidhja e mosmarrëveshjeve në mes të Asociacionit dhe autoriteteve qendrore: Neni 42

    Sikundër u tha më herët, ky komision arbitrazhi do të ketë autorizim për të zgjidhur mosmarrëveshjet rreth zbatimit dhe interpretimit të Statutit, pra jo të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Ky organ do të jetë një super – gjykatë kushtetuese e Kosovës, pas themelimit të Asociacionit. Në mesin e shumë neneve antikushtetuese dhe juridikisht skandaloze, ky nen besoj radhitet menjëherë pas preambulës dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Edhe këtu i jepet autorizim BE-së për caktim të një anëtari të Arbitrazhit nëse palët nuk arrijnë pajtim. Ky organ i ri vendimet i merr me dy tretat e votave, që d.m.th. dy vota pro, gjë që tregon se hartuesit e Statutit nuk u besojnë aspak organeve kushtetuese të Kosovës. Vetë themelimi i këtij organi paraqet rrënim të sistemit kushtetues, përbuzje të çdo pushteti në Kosovë, në mënyrë të njëjtë siç bëjnë Gjykata Speciale në Hagë në raport me çështjet penale.

    Policia: neni 43

    Këtu Asociacioni e jep listën për shef të policisë në katër komunat e veriut të vendit. Këtë e bëjnë komunat veriore në emër të Asociacionit, pra kjo bëhet në emër të Asociacionit. Kjo dispozitë gjoja është futur në vijim të zbatimit të urdhrit nga neni 9 të Marrëveshjes së vitit 2013, gjë që fare nuk është e saktë: në atë nen ka qenë përcaktuar e kundërta me këtë: vendimin e ka marrë Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, kurse këtu bëhet fjalë për nominim sipas listës së komunave, pa asnjë të drejtë për kundërshtim nga Ministria e Punëve të Brendshme. Në fakt, Ministria e Punëve të Brendshme vihet në shërbim të Asociacionit: jo vetëm kjo ministri, por krejt organet kushtetuese të pushtetit qendror, me Statut, kanë rolin e shërbëtorit të Asociacionit.

    Kontrolli kushtetues: neni 44

    Ky nen cakton një kompetencë këshilluese të Asociacionit për komunat, për t’i nxitur ato që të ngrenë çështje pranë Gjykatës Kushtetuese, sipas procedurave nga neni 113.4 i Kushtetutës së Kosovës. Kjo dispozitë nuk ka implikime kushtetuese dhe as të natyrës ligjore.

    Dispozita kalimtare dhe të fundit: neni 45

    Ky nen, më arkaiku nga krejt nenet dhe dispozitat kryesisht arkaike të Statutit, nuk flet asgjë për dispozitat përfundimtare. Për dispozita kalimtare, ndërkaq, bën fjalë krejt shkarazi – duke manipuluar Kushtetutën e Kosovës dhe të drejtën e zbatueshme në një mënyrë abstrakte, pa treguar se cili apo cilat ligje të zbatueshme – kur cakton detyrimin e komunave për të miratuar procedurat për anëtarësim. Ky nen qartë tregon se hartuesit nuk e dinë se çka janë dispozitat kalimtare dhe çka dispozitat përfundimtare dhe cili është dallimi në mes tyre ! Këtu çdo koment është i tepërt, sepse nuk mund të dihet se çfarë kanë dashur të thonë hartuesit e kësaj dispozite. Ajo që dihet është se nuk e kanë pasur të qartë dallimin në mes të dispozitave kalimtare dhe dispozitave përfundimtare dhe çka duhet të përmbajë kategoria e parë e çka kategoria e dytë.

    Në vend të përfundimit

    Zotimi për formim të Asociacionit ka qenë i Qeverisë së Kosovës, bazuar në Marrëveshjen e vitit 2013 dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Rezistimi i vazhdueshëm ndaj implementimit të këtij zotimi kushtetues dhe ndërkombëtar të vendit dhe duke detyruar ndërkombëtarët që të hartojnë një statut të tillë që krijon autonomi të plotë politiko territoriale, me shpresë se dikush mund të dalë i pastër si Pont Pilati, ka bërë që ky Statut nuk ka asnjë pikë takimi me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Ky aktgjykim sot për sot paraqet dokumentin e vetëm kushtetues që qartë përcakton përmbajtjen dhe fizionominë e Asociacionit, juridiksionin dhe kompetencat e tij.

    Përmbajtjen e statutit aktual të Asociacionit nuk e ka përcaktuar Aktgjykimi i vitit 2015 dhe as Kushtetuta e Kosovës, por marrëveshjet e Brukselit/Ohrit të këtij viti. Për këtë arsye Aktgjykimi i vitit 2015 nuk figuron askund në dispozitat e Statutit, as në preambulë dhe askund tjetër në pjesën e tij operative. Kjo për faktin e thjeshtë se ai aktgjykim bie ndesh fund e krye me dispozitat e marrëveshjeve të Brukselit/Ohrit të këtij viti, dhe me secilën dispozitë të Statutit të Asociacionit si derivat i tyre.

    Përmbajtja e Statutit qartë tregon se materia që normohet është kryekëput materie kushtetuese: ai paraqet një kushtetutë materiale të Kosovës; bëhet fjalë, pra, për kushtetutën e dytë të Kosovës që vlen vetëm për serbët dhe të drejtat e tyre nga kapitulli i tretë i Kushtetutës së Kosovës, duke përfshirë këtu trashëgiminë kulturore dhe historike serbe. Këtë kapitull të Kushtetutës, Statuti e përvetëson në mënyrë arbitrare dhe e bën që të vlejë ekskluzivisht për serbët e Kosovës, duke përjashtuar çdo komunitet tjetër. Me këtë, serbët fitojnë një status super – kushtetues në nivel të Kosovës. Kjo nga shkaku se ata, në njërën anë, i ruajnë privilegjet nga Kushtetuta e Kosovës – jo vetëm ato të kapitullit të tretë, por mbi të gjitha ato që kanë të bëjnë me përfaqësimin politik në të gjitha institucionet e vendit – kurse në tjetrën, gëzojnë njëkohësisht të drejta shtesë si serbë sipas Statutit të Asociacionit – kushtetutës së tyre materiale. Kjo përbën diskriminim i pastër, kundër çdo standardi evropian.

    Citimi i Kushtetutës së Kosovës dhe i ligjeve të tjera në preambulë dhe pastaj në pjesën operative të Statutit është tërësisht fiktiv dhe nuk ka lidhje me realitetin. Edhe aty ku ka citime konkrete, siç u pa më sipër, citimet janë false dhe nuk kanë lidhje me Asociacionin por me komunat dhe autoritetet publike komunale ekzistuese. Kjo qasje shpjegon përse dispozitat e Statutit kanë përmbajtje të thatë arkaike. Kjo, megjithatë, është vetëm njëra prej arsyeve. Faktori përcaktues i natyrës arkaike të normave të Statutit qëndron në faktin se ai, marrë si tërësi, në të shumtën e rasteve ngërthen dispozita me natyrë eklektike – ato janë marrë me hamendje nga burime të ndryshme. Duke qenë se askund në Evropë nuk ekziston një entitet si ky që synohet të sanksionohet me Statut, hartuesit e tij kanë provuar që dispozitat eklektike t’i kontrabandojnë përmes citimeve fiktive të ligjeve, të drejtës së zbatueshme dhe, shumë pak, edhe të Kushtetutës së Kosovës. Këto citime janë fiktive për shkak se fare nuk kanë të bëjnë me kategoritë dhe institutet që krijohen me Statut dhe të cilave iu referohen. Fiktive janë, në mënyrë absolute, edhe në raport kategoritë ose institutet juridike evropiane, të cilat, si të tilla, nuk ekzistojnë në truallin e Evropës, as sot dhe as në të kaluarën e saj kushtetuese. Duke qenë kështu, hartuesit kanë ndjekur një rrugë me zigzagë dhe krejt kaotike të normimit të instituteve dhe kategorive, të cilët për objekt kanë raporte shoqërore me natyrë thellësisht kushtetuese. Ky fakt, pra, fakti se bëhet fjalë për raporte skajshmërish politike e me karakter kushtetues, që nuk e kanë vendin në një statut, për hartuesit nuk ka lënë hapësirë për të vepruar ndryshe, pos të braktisin çdo metodologji profesionale dhe t’i rreken metodës eklektike. Produkt i kësaj metode është ky Statut me përmbajtje të kushtetutës së dytë të Kosovës, si një kushtetutë e re me norma arkaike dhe të thata, të cilat nuk kanë asnjë pikë referimi në strukturat ekzistuese normative evropiane që rregullojnë autonominë, liritë dhe të drejtat individuale dhe kolektive, qeverisjen e mirë dhe kategoritë e institutet tjera, implantimi i të cilave synohet në Kosovë.

    Shikuar nga këndvështrimi i qeverisjes së mirë, kushtetuta materiale e sanksionuar me Statutin e Asociacionit e nis procesin e zhbërjes së Shtetit të Kosovës që funksionon sipas Kushtetutës së Kosovës. Statuti sanksionon më shumë se pushtet ekzekutiv: bëhet fjalë për mekanizëm nga e drejta publike (shtetërore) që mishëron një pushtet rival dhe të kundërt me sistemin ekzistues kushtetues në të gjitha nivelet, si në aspektin horizontal ashtu dhe në atë vertikal të ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Në nivel horizontal, Statuti bën ndarjen e punëve në mes të organeve të autonomisë serbe, si në aspektin normativ, ashtu edhe në atë të propozimit dhe të ekzekutimit të politikave publike; sa i përket gjyqësisë, përfaqësimi mbi baza etnike merr një dimension tjetër sepse koordinohet nga strukturat e autonomisë serbe, kurse ruhet niveli i apelit me shumicë serbe për të gjitha çështjet/lëndët që kanë të bëjnë me serbët lokalë. Në nivelin vertikal, ndërkaq, me Statut shkëputet çdo lidhje dhe kontroll ligjor dhe kushtetues i organeve qendrore sa i përket komunave si njësi vetëqeverisëse lokale: ato kalojnë në organet e Asociacionit.

    Rezoluta 1244 mbron ekskluzivisht vetëm integritetin dhe sovranitetin territorial të Serbisë, duke përjashtuar çdo mundësi për njohje të integritetit dhe të sovranitetit territorial të Kosovës. Kjo nënkupton që nuk mund të ketë as njohje të ndërsjellë de facto ose de jure dhe as demarkacion kufiri në mes të Kosovës dhe Serbisë (siç kemi bërë me vendet fqinje, duke përfshirë Shqipërinë me të cilën kemi trashëguar kufirin ndërkombëtar sipas rregullave ndërkombëtare mbi trashëgimin e shteteve). Përtej kësaj, Rezoluta 1244 i jep të drejtë Serbisë për ndërhyrje në secilën sferë të jetës publike, sepse niset nga premisa se sovraniteti i agresorit vetëm është suspenduar, nuk është anuluar. Për momentin, Statuti fokusohet vetëm në sferën publike të arsimit dhe të shëndetësisë, duke krijuar organe dhe juridiksion e kompetenca shtesë në sferën e të drejtës publike.

    Një pasojë tjetër imediate e zbatimit të Rezolutës 1244 do të jetë edhe ajo që ka të bëjë me ligjin apo të drejtën e zbatueshme. Aty ku thuhet “ligji në fuqi” apo “ e drejta e zbatueshme” , siç e pamë më sipër te pjesët e arsimit dhe të shëndetësisë në veçanti, këto shprehje nënkuptojnë ligjet serbe dhe të drejtën serbe. E njëjta vlen edhe për shërbimin civil dhe administratën e Asociacionit. Nëse bëhet fjalë për administratë profesionale dhe sipas meritave, ndaj së cilës zbatohen rregullat e ligjit apo kodit të punës, atëherë nuk bëhet fjalë për shërbyes apo nëpunës civilë, sepse ndaj tyre nuk zbatohen rregullat e ligjit apo kodit të punës. Në Kosovë, sigurisht jo! Në Serbi duhet parë nëse ndaj administratës shtetërore zbatohet ligji i punës apo ndonjë ligj tjetër. Fakti që nuk jepet emri dhe mbiemri i ligjit që zbatohet përbën problem të madh. Askund në Statut nuk jepet konkretisht cili ligj zbatohet ndaj administratës së Asociacionit, thuhet vetëm Ligji i Punës. Askund në Statut nuk thuhet se cili ligji konkret ose e drejtë e zbatueshme konkrete zbatohet në sferën e arsimit dhe të shëndetësisë, ose ndaj kompetencave të Asociacionit, ato origjinale dhe derivative. Kjo nënkupton se dokumentacioni dhe diplomat e arsimit dhe të shëndetësisë do të kenë shenjat “Kosovë dhe Metohi”. Kjo është pasojë imediate e zbatimit (përmes Statutit) të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. E thënë me fjalë të tjera, aty ty ku do të lëshohen diploma dhe dokumente të tjera në arsim dhe shëndetësi, të cilat Statuti thotë se Kosova duhet t’i pranojë si dokumente të saj zyrtare – pa asnjë ndikim në përcaktimin e formës dhe të përmbajtjes së tyre – nënkupton që ato janë diploma dhe dokumente serbe të lëshuara në territorin e Kosovës si territor serb me emrin “Kosovë dhe Metohi”. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me serbë, por edhe me boshnjakë, goranë dhe të tjerë që Asociacioni i fut, sipas autorizimit, nën ombrellën e vet. E themi se asnjëherë nuk diskutohet e drejta e serbëve dhe e kujtdo tjetër për arsim dhe shëndetësi. Ajo që mbetet shumë kontestuese është fati i dokumenteve përfundimtare që legalizohen në territorin e Kosovës: a janë ato manifestim i sovranitetit serb apo kosovar?!

    Në secilin seksion që rregullon juridiksionin dhe kompetencat e organeve të Asociacionit, Statuti vë kompetenca të reja që u takojnë ligjeve dhe Kushtetutës, jo një akti normativ nënligjor. Në disa raste, Statuti cakton kompetenca edhe për Gjykatën Kushtetuese. Në te tjerat, Statuti formon organe krejtësisht të reja administrative që mund të jenë vetëm në nivel të komunave. Në asnjë rast, sidoqoftë, nuk ekzistojnë procedura dhe garanci lidhur me kontrollin administrativ të ligjshmërisë, kontrollin gjyqësor të ligjshmërisë dhe, së fundi, kontrollin kushtetues të punës së Asociacionit që normon autonominë serbe dhe prish karakterin unitar të Shtetit të Kosovës. Pa këtë kontroll të ligjshmërisë dhe të kushtetutshmërisë nuk mund të ketë pos raporte rivaliteti dhe kundërshtimi në mes të pushtetit qendror dhe Asociacionit, në mes të organeve të tyre. Këto organe paraqiten në rrafshe të barabarta (angl. on an equal footing) dhe përballë njëri-tjetrit, në luftë permanente për ushtrim të kompetencave nga e drejta publike në sferat e njëjta të marrëdhënieve shoqërore. Kjo bën që, krejt në mënyrë kundërkushtetuese, të themelohet një gjykatë super kushtetuese, njëjtë si në Hagë që ekziston në materien e kushtetutshmërisë penale: Komisioni i Arbitrazhit do të jetë alfa dhe omega në arbitrimin e mosmarrëveshjeve rreth zbatimit dhe interpretimit të Statutit. Këtu Shteti i Kosovës barazohet si palë më një entitet që nuk është shtet. Përbërja e tij, potencialisht me një anëtar të BE-së, si dhe vendimmarrja me dy të tretat, qartë tregojnë se do të ndodhin bllokada dhe telashe serioze në funksionim të Shtetit të Kosovës. Krahas kësaj, serbët si komunitet etnik ruajnë krejt privilegjet që ua njeh Kushtetua e Kosovës në kapitullin e tretë dhe në krejt organet kushtetuese qendrore, duke përfshirë të drejtën e vetos në Kuvendin e Kosovës, dhe në çdo çështje që prek interesat e tyre në nivel qendror.

    Kush është ai kryeministër, ai njeri mbi të gjitha, që merr të drejtën ta bëjë një kushtetutë të re për serbët e Kosovës, pa ndjekur asnjë procedurë kushtetuese, në një mënyrë tërësisht klandestine dhe jashtë syve të qytetarit dhe të popullit shumicë të Kosovës?! Kush është ai kryeministër, mbi të gjitha ai njeri, që i jep të drejtë vetes për të zhbërë një shtet që u krijua më 17 shkurt 2008 me aq mund e sakrificë njerëzore nga populli shumicë i Kosovës?! Këto janë pyetjet që do t’i bëjë kjo gjeneratë dhe ata që vijnë pas nesh, deri të gjendet përgjigja e saktë në këtë pyetje ekzistenciale për çokënd, sot dhe në të ardhmen. Përgjigjja do të vijë, por mund të vijë vonë, tepër vonë, mbasi të jetë bërë dëm i pariparueshëm për Kosovën, nëse formohet një Asociacion serb (më saktë Bashkësi) me Statut si ky që u shkoqit këtu detajisht.

    ( Autori është kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese dhe profesor i së drejtës dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare )

    Nga Rubrika
    Opinione22 Nëntor 2024
    GJNP ka nxjerrë urdhër-arreste kundër kryeministrit të Izraelit Netanjahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Gallant. Çfarë do të thotë kjo dhe çfarë pasojash...
    Opinione21 Nëntor 2024
    Nga Hisen Berisha: Kështu veprojnë tradhtarët e të shiturit tek armiqtë e vendit. Në një shtet të konsoliduar me sistem juridik të...
    Opinione20 Nëntor 2024
    Shkruan: Bekim Çollaku Fitorja e presidentit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka ndezur një debat...
    Të tjera
    Lajme24 Nëntor 2024
    Sot parashihet të mbajë mot me diell dhe pjesërisht i vranët. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, në mëngjes parashihen ngrica , prandaj...
    Vip23 Nëntor 2024
    Vullneti e ka ngacmuar Drilonin në lidhje me raportin që ky i fundit e ka me Sarën. Madje ky thotë se janë...
    Sport23 Nëntor 2024
    Paulo Fonseca ka pranuar se Milani ka luajtur sigurt dhe nuk ndërmori mjaftueshëm rreziqe në barazimin pa gola 0-0 ndaj Juventusit, por...
    Bota/Rajoni23 Nëntor 2024
    Një stuhi e madhe shkaktoi reshje dëbore dhe shiu në Kaliforni, duke çuar në rrëshqitje dheu dhe përmbytje në disa akse rrugore,...
    Bota/Rajoni23 Nëntor 2024
    Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump është ende duke krijuar kabinetin për mandatin e tij të dytë dhe shumë pozita të tjera qeveritare...
    Vip23 Nëntor 2024
    Xuxi ishte duke kënduar italisht në kuzhinë, teksa e provokuan Driloni dhe Edi. “Po me dukesh si vëllau i Xhenetës”, i tha...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.