
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në Kompleksin e Dëshmorëve në Gllogjan në shënim të 23 vjetorit të rënies së heroit të kombit, gjeneral Luan Haradinaj.
Haradinaj me dhjetëra qytetarë kanë vendosur nga një lule në secilin varr të dëshmorëve në këtë kompleks.
Haradinaj ka thënë se në këto rrethana të pandemisë janë të obliguar ta ruajnë njëri-tjetrin, por duhet të nderohen edhe dëshmorët e kombit.
“Në këto rrethana nderi i madh të bashkohemi në vendin e heronjve të Dukagjinit. Këtu pushojnë atdhetarë të shquar. Luftëtarë me pushkë e me penë. Është një vend që na nderon. Kombi ynë përjetësisht do t’i nderojë ata që iu kushtuan kombit. E drejtë e Zotit t’i kushtohesh vetes. Shqiptarët, historia nuk i ka turpëruar, por jemi të rrethuar nga popuj lakmitarë që janë zhvilluar duke marrë nga e drejta jonë. Ky moment kthese ka qenë viti 1999. Prej atëherë shqiptarët janë në rrugën e përparimit”.
Ai gjithashtu ka falënderuar shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.