Ministrja e Parë e Skocisë, Nicola Sturgeon, ka thënë se njerëzit që kthehen nga Serbia dhe Spanja do të jenë të detyruar të futen në karantinë 14-ditore.
Javën e kaluar, qeveria britanike njoftoi se karantina në Angli nuk do të kërkohet për pasagjerët që vijnë nga Spanja apo Serbia, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, zonja Sturgeon tha se nuk do ta largojë kërkesën për karantinim përderisa shkalla e prevalencës së koronavirusit në këto dy shtete të jetë më e lartë se në Skoci.
Ajo theksoi se udhëtarët nuk do të mund t’i shmangen karantinës duke zbritur fillimisht në një aeroport të Anglisë e më pas duke udhëtuar drejt Skocisë, sepse zyrtarët shëndetësorë skocesë do t’i kenë të gjitha hollësitë e personave që kthehen në Mbretërinë e Bashkuar.
Sidoqoftë, karantina në Skoci nuk do të vlejë për udhëtarët që vijnë nga 57 shtete të tjera, të cilat ndodhen në listën e vendeve të sigurta, që është hartuar nga qeveria qendrore britanike.
Masat e reja do të hyjnë në fuqi të premten.