Nga: Daniel Michaels / The Wall Street Journal (titulli origjinal: NATO Prepares to Face Russia – and Problems of Its Own)
Trupat e NATO-s nga 14 shtete, muajin e kaluar u grumbulluan këtu [Baza Ushtarake “Adazi” në Letoni], në një zonë pyjore, për të marrë pjesë në stërvitjen më të madhe ushtarake të aleancës që nga Lufta e Ftohtë. Edhe një herë, në fokus ishte Rusia.
Stërvitja nisi në errësirën e hershme të mëngjesit, me këtë paralajmërim: forcat armike kanë kaluar kufirin e Letonisë me Rusinë dhe po i afrohen kryeqytetit. Duke komunikuar në gjuhë të ndryshme përmes llojeve të ndryshme të radiove, trupat mësynë për të shtyrë kinse pushtuesit drejt ligatinave ku do të rrënonin tanket e tyre.
“Ajo që është më e rëndësishme është të tregohet gatishmëria për të vepruar shpejt dhe për t’u pozicionuar për të mbrojtur kufijtë e Letonisë dhe të NATO-s”, tha koloneli i ushtrisë letoneze, Oskars Kudlis, i cili nga një pozicion në pyll komandonte një brigadë të automjeteve të rënda të blinduara. Reagimi kërkonte që trupat e largëta, si Kanadaja dhe Shqipëria, të rregullonin mosfunksionimet në komunikim, të absorbonin praktikat e njëri-tjetrit në fushën e betejës dhe të koordinonin sistemet e ndryshme të armëve.
Qëkur Moska e pushtoi gadishullin e Krimesë në Ukrainë, në vitin 2014, Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut i ka drejtuar sytë kah kufiri i Evropës me Rusinë. Stërvitja e këtij viti e quajtur Mbrojtësi i patundur 2024 [Steadfast Defender 2024], synon t’ia dërgojë një mesazh Moskës: Aleanca është e gatshme të mbrojë anëtarët e vet, veçanërisht ata pranë kufirit të Rusisë – përfshirë Letoninë.
Pas Luftës së Ftohtë, pak rëndësi kishin dallimet në gjuhë, në sistemet e komunikimit dhe të armatimin brenda NATO-s, sepse trupat e saj rrallëherë luftonin përkrah njëri-tjetrit. Në vend të kësaj, pati rotacione përmes vendosjeve afatshkurtra në Afganistan, në Irak dhe gjetkë, të planifikuara shumë kohë më parë. Nevojat për pajisje ishin të qarta dhe secili aleat merrej me sigurimin e tyre.
Tani, përgatitja për luftën e koalicionit është edhe një herë prioritet i NATO-s, ndaj trupat duhet të dinë se si të punojnë së bashku në fushën e betejës. “Është sfidë integrimi i të gjitha vendeve”, tha nënkoloneli i ushtrisë kanadeze, Jonathan Cox, i cili ndihmoi në drejtimin e operacioneve Shigjeta e kristaltë [Crystal Arrow] në pjesën letoneze të manovrave të NATO-s, të cilat përfshinin stërvitjet ajrore, tokësore dhe detare në të gjithë Aleancën.
Në disa mënyra po forcohet NATO-ja e cila më 4 prill shënoi 75-vjetorin e themelimit. Finlanda dhe Suedia janë bashkuar – pas dekadave të shmangies nga anëtarësimi. Anëtarët evropianë të NATO-s po shpenzojnë më shumë për mbrojtje sesa kanë bërë që nga Lufta e Ftohtë. Këtë vit, për herë të parë në disa dekada, anëtarët evropianë në përgjithësi janë bashkuar që të përmbushin angazhimin financiar ndaj Aleancës, tha së fundmi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Por, aleanca është dërrmuar nga mosmarrëveshjet e tjera. Udhëheqësit nuk bien dakord nëse Ukraina dhe anëtarët e tjerë aspirantë duhet të lejohen të bashkohen. Gara për ta pasuar Stoltenbergun, më vonë në këtë vit, ka vënë në pah acarimin midis anëtarëve të vjetër dhe atyre më të rinj nga ish-Blloku Lindor.
Dhe, shumë vende të NATO-s, përfshirë gjashtë nga 12 anëtarët themelues, mbeten larg arritjes së niveleve të buxhetit ushtarak të cilin u zotuan ta arrinin një dekadë më parë. Këto shpenzime të ulëta i kanë bërë caqe të sulmeve të kandidatit republikan presidencial, Donald Trump, duke ndezur dyshimet për të ardhmen e Aleancës nëse ai fiton në nëntor [në zgjedhjet presidenciale amerikane].
Gjatë historisë, shumë aleanca ushtarake – duke përfshirë ato që mundën Napoleonin dhe ato që fituan Luftën e Dytë Botërore – përfshinin ushtritë aleate që vepronin ndaras nën komandën e përbashkët. Objektivi i NATO-s është të përgatisë aleatët për të luftuar krah për krah.
Stërvitjet e këtij viti, nga më të mëdhatë që nga viti 1988, zhvillohen gjatë katër muajve – deri në maj – në vendet që shtrihen nga Qarku Arktik e deri në Detin e Zi. Përfshijnë afërsisht 90 mijë trupa, 1 100 automjete luftarake, 80 aeroplanë dhe 50 anije detare.
Operacioni në Letoni ishte një nga disa të tjera që u organizuan pranë kufirit të Evropës me Rusinë. Në vitin 2016, pasi Moska pushtoi Gadishullin e Krimesë dhe ndihmoi në nxitjen e rebelimit në lindje të Ukrainës, anëtarët e NATO-s u pajtuan të bëjnë vazhdimisht rotacione të trupave, tek anëtarët e saj të cenueshëm lindorë, duke specifikuar se cili vend anëtar do të merrte drejtimin për mbrojtjen e vend tjetër.
Mbrojtja e çdo shteti të NATO-s përgjatë kufirit lindor të aleancës, udhëhiqet nga një vend anëtar me të tjerët që atë e mbështesin atë
ShBA-ja ka marrë udhëheqjen në Poloni, Gjermania këtë e bëri me Lituaninë, Britania e Madhe me Estoninë dhe Kanadaja me Letoninë. Pasi Rusia e pushtoi Ukrainën në shkurt 2022, NATO përforcoi trupat e veta në ato vende dhe i shtoi partneritetet në Sllovaki, Hungari, Rumani dhe Bullgari.
Partneritetet tash i kanë ndërthurur aleatët, më afër sesa në çdo kohë tjetër që nga Lufta e Ftohtë kur ShBA-ja, Britania dhe Franca mbanin përgjithmonë trupat e stacionuara në Gjermaninë Perëndimore.
Stërvitja letoneze, e organizuar pranë kryeqytetit, Rigës, ishte një nga më ndërkombëtaret e NATO-s në këtë vit. Njëmbëdhjetë vende anëtare që kishin tashmë trupa të dislokuara në Letoni, përfshirë Kanadanë, u shoqëruan nga forcat nga ShBA-ja, nga Islanda dhe nga fqinji i Letonisë, Estonia.
Forcat kanadeze të stacionuara në Letoni përbëjnë dislokimin më të madh aktual të trupave të Otavës jashtë vendit. Për shumë prej atyre kanadezëve, mbrojtja kundër Rusisë është çështje personale, sepse më parë ata ishin të stacionuar në një bazë në Ukrainën perëndimore, duke trajnuar forcat lokale në vitet para pushtimit rus të vitit 2022. Dy vjet më parë, Moska e goditi atë bazë me raketa, duke i shkatërruar kazermat ku kishin jetuar kanadezët.
Nënkoloneli i Ushtrisë kanadeze, Dan Richel – zëvendëskomandanti i operacionit letonez të udhëhequr nga koloneli Kudlis – gushtin e kaluar u zhvendos me familjen e vet nga Kuebeku për në Letoni, për të ndihmuar në zgjerimin e pranisë së Kanadasë. Shumica e kolegëve të tij, në selinë lokale, janë letonezë. Ai ka filluar ta mësojë gjuhën, megjithëse, siç tha, shumica e punëve rutinore kryhen në anglisht.
Vendet e NATO-s ranë dakord, në vitin 2014, që deri në këtë vit secili të shpenzojë të paktën dy përqind të prodhimit të brendshëm bruto [PBB] për mbrojtjen.
Letonia, e cila u pushtua nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1940 dhe nuk e fitoi pavarësinë deri në vitin 1991, këtë vit do të shpenzojë 2.4 përqind të PBB-së së saj për mbrojtje, në kuadër të planit për të arritur në tre përqind më 2027. Kanadaja ndan rreth 1.3 përqind të PBB-së për ushtrinë e vet dhe e nuk ka plan të arrijë në dy përqind.
Stoltenberg i NATO-s dhe ambasadorja e ShBA-së në NATO, Julianne Smith, e gjykuan këtë vit Kanadanë se ishte ndër të vetmet vende të aleancës që nuk dëshiron të arrijë objektivin e pajtuar.
Nëse Kanadaja dështon të përmbush premtimet, “si reflekton kjo në koherencën e aleancës?”, ka thënë zëvendësadmirali e pensionuar, Mark Norman – ish-kreu i marinës së Kanadasë, i cili së fundmi e vizitoi selinë e NATO-s në Bruksel. Kanadaja ndoshta do të shtojë shpenzimet e mbrojtjes vetëm nën presion, “sepse perceptimi për kërcënimin thjesht nuk është tani aty”, tha Norman për opinionin mbizotërues brenda Kanadasë.
Një nga ndarjet kryesore të aleancës është pabarazia në mënyrën se si vendet anëtare i shohin kërcënimet. NATO e rendit terrorizmin dhe Rusinë si kërcënimet kryesore. Shumë zyrtarë në Turqi dhe në vendet e tjera anëtare përgjatë Detit Mesdhe, janë më të shqetësuar për konfliktet rajonale, për migrimin ilegal dhe për terrorizmin sesa për Rusinë.
Pothuajse një e treta e popullsisë së Letonisë, prej rreth 1.9 milionë banorëve, janë rusë – si trashëgimi nga koha sovjetike. Tensionet janë të larta brenda vendit dhe përgjatë kufijve me Rusinë dhe Bjellorusinë – një shtet ky autoritar nën ndikimin e Moskës.
Planifikuesit e NATO-s e konsiderojnë si të pamundur pushtimin e drejtpërdrejtë rus të një vendi anëtar fqinj – në të ardhmen e afërt – megjithëse kohët e fundit, disa zyrtarë ushtarakë nga vendet e NATO-s, thanë se Moska mund të jetë mjaft e fortë për të sulmuar brenda pak viteve. Në një afat më të shkurtër, ata shqetësohen se Moska mund të ndezë konfliktet në vendet e afërta, duke nxitur rusët vendas dhe duke përdorur tensionet si pretekst për të ndërhyrë – siç bëri Kremlini me Ukrainën lindore, një dekadë më parë.
Letonia iu bashkua NATO-s në vitin 2004, 13 vjet pasi fitoi pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik. Që atëherë, kërkesat dhe standardet e aleancës i kanë detyruar forcat e armatosura të Letonisë që të modernizohen. Automjetet ushtarake perëndimore i kanë zëvendësuar modelet e vjetra sovjetike.
Gjatë stërvitjes Shigjeta e kristaltë, një batalion i udhëhequr nga kolonel-lejtnanti i Ushtrisë letoneze, Gaidis Landratovs, vepronte përkrah trupave amerikane. Ata i luanin forcat pushtuese nga kombi imagjinar i Okakusit, i identifikuar me një “X” të kuq në pajisjet e veta. Gjatë stërvitjeve, NATO shmang përdorimin të emrave të kundërshtarëve të vërtetë.
Nënkoloneli kanadez Cox, i pozicionuar përkohësisht në Letoni për të mbikëqyrur grupin e betejës ndërkombëtare të NATO-s, ishte komandant i forcave mbrojtëse të cilat përfshinin trupat nga 11 vende. Kur filloi pushtimi i rremë, forcat e tij lëvizën dhe zunë pozicione mbrojtëse, duke pritur fjalën për të sulmuar.
Ushtarët që flisnin gjuhë të ndryshme, kishin vështirësi për të komunikuar. Anglishtja dhe frëngjishtja janë gjuhët zyrtare të NATO-s, por rrjedhshmëria ndryshon.
Një problem tjetër, tha Cox, ishin “radiot që ndonjëherë punojnë së bashku dhe shumicën e kohës jo. Por, gjithmonë ka probleme me komunikimin, pavarësisht se çfarë ndodh”.
Operacionet kanë sukses për shkak të planeve të thjeshta dhe të integrimit, tha ai. “Çdo vend e ka mënyrën e vet për ta bërë këtë, por qëllimi dhe efekti ishte i njëjtë në të gjithë grupin e betejës”. tha ai.
Uniformiteti ka qenë prej kohësh sfidë për NATO-n. Në Shigjetën e kristaltë, aleatët vendosën automjetet e blinduara kanadeze LAV-6, tanket amerikane, gjermane dhe polake dhe automjetet e zbulimi CVR-T të Letonisë që janë të prodhimit britanik. Secila kërkon pjesë këmbimi dhe mirëmbajtje të ndryshme.
Në ushtrimet e NATO-s në Letoni marrin pjesë 90 mijë trupa
Standardizimi i pajisjeve të mëdha është i frikshëm, sepse prodhimi i tyre është biznes fitimprurës të cilin pak vende duan ta dorëzojnë. ShBA-ja ka rreth tre duzina të sistemeve kryesore ushtarake, si aeroplanë, anije dhe tanke. Në Evropë, ku shumica e vendeve mbrojnë prodhuesit kombëtarë të armëve dhe shpeshherë konkurrojnë për porositë për eksport, anëtarët e aleancës përdorin 172 modele – kjo sipas zyrtarit më të lartë ushtarak të NATO-s, admiralit holandez Rob Bauer.
Pajisjet më të vogla mund të jenë gjithashtu problematike. Planifikuesit për vite të tëra janë munduar t’ia dalin që të jenë kompatibile radiot e sigurisë në terren të cilat janë prodhuar nga vendet e ndryshme – një sfidë kjo e thelluar nga nevoja për kriptim dixhital dhe masat për të kundërshtuar luftën elektronike.
Pas Luftës së Ftohtë, dallimet e tilla teknike kishin pak rëndësi, sepse trupat e NATO-s, nga vendet e ndryshme, rrallëherë luftonin përkrah njëri-tjetrit. Tani ata duhet të jenë në gjendje të këmbejnë pajisjet dhe të dinë se topat e një ushtrie mund të hedhin predhat e një tjetri.
Planifikuesit e aleancës kanë vendosur normat e pajisjeve dhe kanë punuar për t’u siguruar që pajisjet të funksionojnë në mënyrë të ndërsjellë. Por, edhe për një nga standardet bazike të NATO-s, për predhën 155 milimetërshe të artilerisë anëtarët prodhojnë 14 modele të ndryshme, tha Bauer. Disa predha nuk mund të hyjnë në lëshuesit e tjerë, ndërsa disa që mund të përshtaten nuk lidhen me softuerin e shënjestrimit.
Shumëçka nga 200 sistemet e ndryshme të armëve të ofruara për Ukrainën, kanë ardhur nga vendet e NATO-s. Mishmashi ka krijuar makth të mirëmbajtjes për Ukrainën, së cilës i është dashur të ngutet për të marrë pjesët e këmbimit për shumë pajisje.
Kapiteni i ushtrisë amerikane, Malcolm Edgar – i cili komandon tanket Abrams dhe automjetet luftarake Bradley në Lituani – tha se gjetja e mënyrave për të kapërcyer dallimet, është një nga përfitimet e ushtrimeve me shumë vende, si Shigjeta e kristaltë.
“Nuk jemi vetëm duke thënë se mundemi ta bëjmë këtë së bashku”, por jemi duke treguar se është e mundur, tha Edgar. “Gjithçka ka të bëjë me marrjen e detyrimeve dhe realizimin”. /Telegrafi/