Nga Piro Ahmetaj:
Siç është bërë gjerësisht e njohur, sot, më 4 mars 2024, nëpërmjet një ceremonie të shtetit shqiptar, Aleancës Euroatlantike, ShBA-së etj. do të inaugurohet përfundimi i projektit të NATO-s për ndërtimin e Bazës Mbështetëse Ajrore të Kuçovës.
Në pamundësi për t’ju përgjigjur fizikisht ftesës “gjithëpërfshirëse” të ministrit Peleshi, në kapacitetin e ekspertit të sigurisë po adresoj disa këndvështrime rreth mesazheve gjeopolitike, strategjike, operacionale dhe ndoshta ekonomike të këtij projekti – ose, mbi prezencën, për herë të parë me instalime ushtarake në kohë paqe të NATO-s në territorin e Shqipërisë:
E dashura e Dele Allit, Cindy Kimberly bëhet ambasadorja e re e markës ‘PrettyLit…Pedri me mesazh emocionues për tifozët e Barcelonës pas lëndimit të rëndëBrenda “aeroportit më të bukur në botë”, për ndërtimin e tij në Abu Dhabi janë shpenzua…Zbulohet filozofia e re e transferimeve që Manchester United do ta ndjekë pas ardhjes s…Arrestohen babë e bir, dyshohet se vidhnin vetura, i çmontonin dhe i shisnin
Pikësëpari, për (a) peshën gjeopolitike të këtij projekti mjafton të sjellim në memorien kombëtare se, jo rastësisht, përfundimi i këtij projekt u konfirmua nga Sekretari i Shtetit i ShBA-së, z. Blinken, gjatë vizitës në Tiranë: “Muajin e ardhshëm do të përurohet baza ajrore NATO-s në Kuçovë”!
Kjo, pasi, si për çdo vend tjetër anëtar, prezenca ushtarake në kohë paqe e NATO-s në territorin e Shqipërisë mbart jo vetëm mesazh strategjik për sigurinë kolektive (artikulli 5), por edhe për mbrojtjen e interesave gjeopolitike të Aleancës Euroatlantike (ShBA/NATO) në rajon dhe Mesdhe. Për rrjedhojë, besoj se vendi i parë mes 31 vendeve anëtare të Aleancës që ka përfitime gjeopolitike është Shqipëria!
Për më tepër, përzgjedhja e kësaj e baze nga NATO, sigurisht lidhet edhe me (b) pozicionin gjeostrategjike të bazës së Kuçovës e cila prej vitit 1955 e deri më 1992 ka shërbyer si bazë me peshë strategjike, kryesisht për shkak të MiG-ve, që edhe pse përtej mundësive të një vendi mjerisht të izoluar, për propagandën e regjimit konsideroheshin si “legjione kamikaze” të fuqisë Ajrore të RPSSh-së, pra kundër kampeve të imperializmit (ShBA/NATO) si dhe revizionistëve sovjetik (Paktit të Varshavës) ose edhe të dyja së bashku!
Por, në situatën aktuale, ndërtimi kësaj baze ose prezenca në kohë paqe e NATO-s në territorin e Shqipërisë, sigurisht mbart edhe një “mesazh force” ndaj Rusisë putiniste dhe çdo vendi tjetër që vijon të shpërdorohet nga Kremlini: Kush guxon të sulmojë ushtarakisht jo vetëm integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, por tashmë edhe prezencën e NATO-s (siç është Baza Ajrore e Kuçovës), do të përballet dhe do të ndëshkohet në mënyrë shembullore nga fuqia e pakonkurrueshme ajrore e NATO-s, që u konfirmua si e tillë më 1999 kundër makinerisë kriminale të Millosheviqit, apo jo?
Nga ana tjetër, ndërtimi kësaj baze në territorin (edhe pse gjithsesi modeste), i jep (c) peshë shtesë aftësive operacionale të NATO-s, por edhe garanci besimit publik te fuqia dhe vlerat e Aleancës për mbrojtjen e tërësisë territoriale në kuadër të artikullit 5, por edhe në kuadër të mbështetjes së stërvitjeve dhe manovrave operacionale të NATO-s dhe Forcave Ajrore të Shqipërisë.
Ndërsa (d) përfitimet ekonomike nga ndërtimi i kësaj baze, nuk janë as pjesë e ekspertizës, as qëllimi i këtij opinioni. Megjithatë, mund të përmend: projekti ka nisur më 2018 me reciprokisht 50 milionë euro nga fondi përbashkët i Aleancës si dhe pesë milionë euro nga pala shqiptare që ka edhe përgjegjësitë e vendit pritës për shpronësimet, ndërtimin e perimetrisë së sigurisë dhe rrugëve lidhëse, standardet e mirëmbajtjes së hangarëve, depozitave të karburantit, ndriçimit, kamerave të sigurisë si dhe të sensorëve të zbulimit përreth bazës.
Ndërsa, përtej konfuzionit që ushqehet jo vetëm nga ushtria e sekserëve mëndjendryshkur, shtoj se mundet edhe të ketë efekte ekonomike modeste, për komunitetin e biznesit në zonën e Kuçovës, përfitime që gjithsesi do të ndërvaren nga personeli aktiv ushtarak për sigurinë e bazës, operatorët, mirëmbajtjen, si dhe kryesisht nga dinamika e aktiviteteve ushtarake – siç janë stërvitjet (p.sh Steadfast 2024) apo të FARSh-së etj. që mund të organizohen në këtë bazë. Sigurisht, do të doja dhe uroj të jem i gabuar, por nuk besoj kurrsesi se komunitetit të rrethinave të Kuçovës, bashkë me këtë bazë do t’i vijë ndonjë parajsë ekonomike, as do shpërthejnë puset elektorale të punësimeve etj.
Së dyti, pikërisht për këto vlera dhe asnjë mëdyshje, 4 marsi 2024 meriton të skalitet si datë që i bën nder historisë së marrëdhënieve të Shqipërisë me NATO-n. Por, përtej vullnetit konstant politik më 1994, 2008, 2013, apo 2018, nuk janë kurrsesi vitet që e veshin me dekorata të ekzagjeruara partinë në pushtet, ndërsa viti 2018 është inventarizuar si viti që NAC/NATO ka miratuar projektin e propozuar nga SHAPE për ndërtimit e Bazës Ajrore Mbështetëse të Kuçovës.
Kështu, përtej kakofonisë së jo vetëm opinionistëve të gjithëditur dhe për shkak të së vërtetës duhet qartësuar se parimi i panegociueshëm për miratimin e projekteve që ndërtohen nga fondi i përbashkët i Aleancës, nuk janë kurssesi kërkesat/ambiciet e Qeverisë së radhës/rastit, por vetëm pesha gjeostrategjike dhe operacionale që ofron projekti konkret në dobi të misionit të NATO-s për mbrojtjen e sovranitetit të 31 vendeve anëtare.
Si ndër dëshmitarët teknik të reformës së mbrojtjes, më tej si Përfaqësues Kombëtar Ushtarak në Komandën Supreme të NATO-s (SHAPE), më duhet ta konfirmoj me përgjegjësi se lista me të gjitha infrastrukturat strategjike (bazat tokësore, detare dhe ajrore të Shqipërisë, përfshirë Bazën Ajrore Kuçovës etj.) janë vënë vullnetarisht në dispozicion të Aleancës që mbas aplikimit të Shqipërisë për në programin e Partneritetin për Paqe më 1994 (PfP/NATO). Ndërsa, për më tej, këtë listë e kam/kemi dorëzuar zyrtarisht (në emër të Shqipërisë) në SHAPE sipas një formulari standard (të detyruar) për secilën (çdo infrastrukturë të listës) mbas marrjes së ftesës së anëtarësimit në Samitin e Bukuresht në prill 2008.
Pra, miratimi i projekteve që investohen nga Fondi i Përbashkët i Aleancës (NCF) nuk bazohet kurrsesi në orekset dhe axhendat elektorale të 31 vendeve anëtare apo nga Emri, gjatësia apo partia e kryeministrit, apo ministrit të Mbrojtjes në detyrë, por vetëm nga nevojat dhe impaktet operacionale që prodhohen për mbështetjen e policimit ajror si dhe përmbushjen e misionit bazë (artikulli 5) apo/dhe rast pas rasti në angazhimet paqebërëse të Aleancës.
Konkretisht, miratimi për financimin e 50 milionë eurove për ndërtimin e Bazës Ajrore të Kuçovës është bërë nga NAC më 2018 (pa asnjë kërkesë specifike të Qeverisë shqiptare), por vetëm pasi u peshua (nga një listë me qindra baza ajrore të ofruara nga vendet e tjera) si dhe u rekomandua nga Komanda Supreme e NATO-s (SHAPE) si bazë ndihmuese eficiente për mbështetjen e operacioneve të Aleancës.
Në përmbledhje të sa më sipër, ndërtimin e kësaj baze e çmoj me interesa të larta gjeopolitike, strategjike, operacionale, ekonomike, si dhe për besimin publik te fuqia dhe vlerat e Aleancës Euroatlantike. Ndërsa, përtej përfitimeve, Tirana Zyrtare duhet të demonstrojë mirënjohje kombëtare dhe përgjegjesi shtetërore shtesë duke përmbushur të gjitha detyrimet dhe standardet e përcaktuara në marrëveshjen e SOFA-s për personelin aktiv të angazhuar në sigurinë fizike, elektronike, si dhe përmirësimin e kulturës së bashkëpunimit me Forcat Ajrore të ShBA/NATO-së (Ramstein, Gjermani).
Nga ana tjetër, ky projekt jo vetëm zyrtarizon prezencën e parë në kohë paqe të NATO-s në territorin shqiptar, por edhe demonstron peshën gjeostrategjike si dhe konsistencën 15-vjeçare të Shqipërisë (prej anëtarësimit më 4 prill 2009) si anëtare serioze ndaj kërcënimeve dhe përgjegjësive të përbashkëta, pasi edhe në këtë rast Tirana Zyrtare demonstron mbështetje të pakushtëzuar ndaj projekteve për modernizimin e fuqisë ushtarake të Aleancës, në interes të sigurisë kolektive (artikulli 5) të 31 vendeve të NATO-s, mbrojtjen e vlerave dhe interesave Euroatlantike si dhe deri në fitoren jo vetëm për Ukrainën!
Duke e vlerësuar me interesa të larta/afatgjata kombëtare ndërtimin nga NATO të Bazës Ajrore të Kuçovës, duhet edhe ta nënvizojmë se kësaj arritjeje nuk i vlejnë kurrsesi as ekzagjerimet dhe as privatizimi partiak; as llogjet cinike me opozitën me/pa brava dhe vulë; as shpërdorimi i Institucioneve kushtetuese si infermieri (pa) shërimi nga sëmundja bolshevike e të gjitha pushteteve, por vetëm dashuria, nderimi dhe përulësia për vendin, përgjegjësia e lartë shtetërore ndaj interesave kombëtare, besimi si dhe bekimi nga/ndaj vlerave perëndimore dhe partneritetit strategjik me ShBA-në, NATO-në dhe BE-në.
Së fundmi, duke uruar suksese personelit të Fuqisë Ajrore të NATO-s si dhe kolegëve shqiptarë, meritojnë po ashtu t’ju shprehim mirënjohjen projektuesve, kontribzuesve për ndërtimin e kësaj baze si dhe domosdonë e përditësimit të mëtejshëm të sistemit të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare, duke modernizuar konceptin, strukturat, kapacitetet, balancat demokratike të pushteteve si dhe kulturën euroatlantike të bashkëpunimit me NATO-n.