Nënkryetarja e Kuvendit Arbërie Nagavci ka numëruar edhe njëherë argumentet të cilat sipas saj tregojnë se kjo qeveri duhet të shkojë.
Në Frontal të T7, Nagavci ka thënë se gjendja është shqetësuese, dhe Qeveria aktuale po e dërgon vendin drejt një katastrofe.
“Ne kemi filluar mbledhjen e nënshkrimeve, 31 i kemi na nevojiten edhe 9 për të thirrur seancën e Kuvendit, derisa duhen gjithsejtë 61 për të kaluar ky mocion” ka thënë Nagavci.
Sipas Nagavcit dy nga votat që formuan Qeverinë, janë të pavlefshme.
“Në mesin e 61 veta janë dy vota të pavlefshme, një e ndikuar nga Thaçi dhe vota tjetër e një personi që është i dënuar” ka shtuar ajo.
Të gjitha këto, ajo i konsideron si argumente të mjaftueshme për të kontestuar legjitimitetin e kësaj Qeverie.
Paraditën e së enjtes, Lëvizja Vetëvendosje nisi një mocion votëbesimi për të rrëzuar Qeverinë Hoti, gjë për të cilën po kërkon edhe ndihmën e PDK-së, e deputetëve të caktuar të Kuvendit të Kosovës.