Nimani-Caka, në një intervistë për emisionin “Tempus” në KTV, i ishte kundërpërgjigjur reagimeve të pushtetit ndaj vendimeve të Kushtetueses. Ajo tha se “pala humbëse gjithmonë reagon”.
E Murati, përmes një postimi në rrjetin social në “Facebook”, ka thënë se kryetarja e Kushtetueses ka një “cektësi të njohurive për konceptin e ekonomisë së tregut të lirë”.
“Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka, gjatë një interviste sonte, duke folur për natyrën e lëndëve që kanë shqyrtuar ata si gjykatës, e përmendi edhe togfjalëshin ‘ekonomia e lirë e tregut’, më shumë se njëherë. Dua të besoj që fjalën e ka pasur për konceptin e ‘ekonomisë së tregut të lirë’ apo ‘free market economy’ në anglisht. Kur e mendon që ka edhe ekonomistë në LDK që e bëjnë gabimin e njëjtë, nuk mund ta gjykosh edhe aq rëndë një shkarje të tillë të zonjës Caka, e cila me profesion është juriste. Mirëpo, për funksionin që ushtron, një cektësi e tillë e njohurive për këtë koncept ekonomik, pra ‘ekonominë e tregut të lirë’, rrezikon të prodhojë vendimmarrje të gabuar që ka pasoja të mëdha për qytetarët”, ka shkruar Murati.