×
  • Tenderët
  • Hulumtime
  • Hulumtime

    Mungesa e bordit të OShP-së si mundësi për lidhjen e kontratave të dyshimta

    Fatlum Berisha
    05 Dhjetor 2022

    Periudha kur Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP), i njohur ndryshe edhe si “Gjykata Tenderëve” mbeti pa bord dhe rrjedhimisht nuk kishte mandat të vendoste mbi ankesat që vinin në këtë organ, u shfrytëzua nga disa institucione që lidhën kontrata me kompani që nuk plotësonin kriteret ligjore.

    Këto kontrata u nënshkruan përkundër opinioneve të ekspertëve shqyrtues të cilët rekomandonin që këto aktivitete të prokurimit të anuloheshin ose të ktheheshin në rivlerësim. Ndonëse opinionet e ekspertëve nuk janë obliguese për panelet shqyrtuese të OShP-së, vendimet e këtij organi zakonisht bazohen në ekspertizën e tyre.

    Bordi i ri i cili u emërua në fund të qershorit të këtij viti, mori vendim që të mos shqyrtonte ankesat që kishin ardhur para emërimit të tij nga Kuvendi, me arsyetimin se këtyre ankesave iu kishte kaluar afati ligjor për shqyrtim.

    Ky vendim u hapi rrugë institucioneve që të lidhnin kontrata të cilat ishin në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, për të cilat kishte dyshime të bazuara që duheshin anuluar. Ky hulumtim identifikon tri raste të tilla.

    Rasti I: Komuna e Pejës në prill të vitit 2022 filloi aktivitetin e prokurimit për sinjalizim horizontal dhe vertikal të rrugëve, në vlerë të parashikuar prej 74 mijë eurove. Për këtë procedurë të tenderimit, Komuna e Pejës rekomandoi për kontratë kompaninë ErLis Sh.P.K., si tenderi me çmimin më të ulët. Kjo kompani nuk kishte dorëzuar librezën ose faturën, përmes të cilave do të dëshmonte se posedon pajisjet e kërkuara për sinjalizim të rrugëve, të cilat sipas dosjes së tenderit, duhej dëshmuar përmes librezave ose faturave. Po ashtu, oferta e ErLis Sh.P.K., ishte jo normalisht e ulët, duke qenë se ishte 30% më e ulët se mesatarja e ofertave të gjashtë (6) kompanive tjera[1]. Në këtë situatë, Komuna e Pejës do duhej të kërkonte sqarime shtesë se si kishte arritur kjo kompani te çmimi i ofertuar dhe nëse shpjegimi nuk do të ishte i mjaftueshëm, do duhej të eliminuar.

    Dy kompani kishin ngritur ankesë për këtë tender, teksa eksperti shqyrtues në OShP kishte rekomanduar që të anulohej dhënia e kontratës për Erlis Sh.P.K., dhe lënda të kthehej në rivlerësim.

    Përkundër se ishin evidentuar rrethanat që e bënin ofertën e Erlis Sh.P.K., të papërgjegjshme dhe për këtë ekzistonte edhe rekomandimi i ekspertit të OShP-së, Komuna e Pejës nënshkroi kontratë me kompaninë ErLis Sh.P.K., në fillim të muajit tetor.

    Rasti II:  Komuna e Rahovecit përdori metodën e njëjtë kur shpërbleu me kontratë kompaninë N.Sh. Liriu, për tenderin për sinjalizim horizontal dhe vertikal të rrugëve në Rahovec, që kishte vlerë të parashikuar 150 mijë euro. Ky operator ekonomik nuk kishte i përgjegjshëm për faktin se nuk kishte plotësuar kërkesën mbi mundësitë teknike dhe profesionale në lidhje me stafin e kërkuar, konkretisht kërkesa për gjashtë (6) punëtorë staf teknik, dhe dy (2) staf profesional nuk ishte plotësuar pasi në ofertën e N.Sh. Liriu, figurojnë vetëm shtatë punëtorë.

    Foto 1. Lista e stafit në ofertën e kompanisë fituese N.Sh. Liriu, ku numri rendor nuk përkon me emrat e punëtorëve.

    Edhe për këtë tender ishte ngritur ankesë në OShP, ku eksperti shqyrtues pasi analizimit të lëndës kishte rekomanduar që lënda të kthehet në rivlerësim.

    Raporti i ekspertit nuk u mor në konsiderim nga Komuna e Rahovecit, e cila duke u thirrur në vendimin e bordit të ri të OShP-së për mos trajtim të ankesave, me 16 gusht lidh kontratën me N.Sh. Liriu.

    Rasti III: Në mars të këtij viti, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), hapi tender lidhur me mirëmbajtjen e sistemit të menaxhimit të informatave në laborator. Në këtë aktivitet të prokurimit, për të cilin ishin zotuar mbi 60 mijë euro, morën pjesë tri kompani. MPB rekomandoi për kontratë kompaninë LeadTech Sh.P.K., teksa eliminoi dy ofertuesit e tjerë me arsyetimin se ishin të papërgjegjshëm.

    Megjithatë, LeadTech Sh.P.K. nuk ishte e përgjegjshme për faktin se nuk kishte ofruar të dhënat të sakta për shërbimet e kryera në fushën e softuerëve dhe mirëmbajtjes së tyre, në tri vitet e fundit. Kontrata e prezantuar nga kjo kompani, kishte vetëm titullin ndërkohë në dosje të tenderit kërkohej që të specifikohej shuma e kontratës, data dhe pranuesi dhe kësaj t’i bashkëngjitej dëshmi (kopja e certifikatës ose referencës së nënshkruar nga pranuesi i shërbimeve për kontratën e përmendur).

    Po ashtu, kjo kompani në ofertën e saj paraqiti si staf tre (3) ekspertë, për të cilët nuk dëshmohet se ishin pjesë e saj. Në CV-të e dy prej ekspertëve figuron se ata punojnë për një kompani tjetër, ndërkohë në pasqyrat e Trustit të ekspertit të tretë, vërehet se nuk është kryer asnjë obligim tatimor nga LeadTeach Sh.P.K., që nënkupton se as ai nuk është në marrëdhënie pune me këtë kompani.

    Përkundër rekomandimit të ekspertit shqyrtues që paneli shqyrtues i OShP-së të obligojë këtë autoritet kontraktues që ta anulojë vendimin për kontratë dhe ta kthej lëndën në rivlerësim, MPB vazhdoi me nënshkrimin e kontratës.

    Këto raste tregojnë se vendimi i bordit të ri të OShP-së, për të mos shqyrtuar ankesat e deponuara para emërimit të tij, është keqpërdorur nga autoritetet kontraktuese të cilat nuk kanë marrë parasysh rekomandimet e ekspertëve shqyrtues dhe kanë vazhduar me nënshkrimin e kontratave të cilat shkelin Ligjin e Prokurimit Publik.

    Deklaratë mohimi:

    Ky artikull është botuar në kuadër të projektit “Qeverisje e mirë: prokurim publik dhe politik-bërje e avancuar” i financuar nga BE,  zbatuar nga Demokraci Plus (D+). Përmbajtja e këtij shkrimi është përgjegjësi e vetme e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e D+ dhe të Bashkimit Evropian.

    Nga Rubrika
    Hulumtime26 Mars 2025
    Shërbimi Klinik Spitalor Universitar i Kosovës (SHSKUK) e ka shpërblyer me tender prej hiç më  pakë se 2,5 milionë euro kompaninë Meditech,...
    Lajme11 Mars 2025
    Komuna e Prishtinës e cila drejtohet nga Përparim Rama ka përzgjedhur N.N.SH. WORLD MEDIUM, LIMITPROJECT SH.P.K, Rahovica Comerce SH.P.K. si fituese të...
    Lajme06 Mars 2025
    Sistemi i E-Prokurimit përmes të cilit zhvillohet procesi i prokurimit në Kosovë, pra për të gjitha Institucionet Publike në Kosovë ka më...
    Të tjera
    Lajme09 Prill 2025
    Agjencia e Statistikave të Kosovës publikon Statistikat e Hotelerisë për muajin shkurt 2025. Në shkurt 2025, numri i vizitorëve (vendorë dhe të...
    Lajme09 Prill 2025
    Një person ka pësuar lëndime trupore si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur sot në fshatin Nabërgjan të Klinës. Rastin e...
    Lajme09 Prill 2025
    Ushtarët italianë të Komandës Rajonale në perëndim të misionit të KFOR-it kryen patrullime përgjatë vijës kufitare me Serbinë në veri të Istogut....
    Lajme09 Prill 2025
    Nga data 7 deri më 11 prill 2025, në Shkodër të Shqipërisë po zhvillohet ushtrimi rajonal “FloodNorthAlb”, një aktivitet i rëndësishëm që...
    Sport09 Prill 2025
    Paul Pogba i vitit 2025 është një person ndryshe nga e kaluara. Flet me zë të ulët, me qetësi dhe një buzëqeshje...
    Lajme09 Prill 2025
    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, refuzoi të përgjigjej në pyetjet e gazetarëve për refuzimin e ftesës nga ana e Lidhjes Demokratike të...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.