Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi, në një konferencë për media sot ka deklaruar se Kosova i ka përmbushur kriteret e caktuara për liberalizim vizash, por që tani asaj i ka mbetur që t`i bind shtetet anëtare të BE-së për finalizimin e këtij procesi, shkruan Front Online
“Nuk ka asnjë takim të vetëm që nuk e kemi diskutuar këtë çështje. Unë po përpiqem të ndihmojë që t`i bind shtetet anëtare për nevojën që t`i ofrohet liberalizimi i vizave për Kosovën. Vlerësimi jonë mbetet që i keni përmbushur të gjitha kriteret, por vlerësimi jonë nuk mjafton sepse KE-ja nuk merr vendim. Ne duhet t`i bindim shtetet tona anëtare që të votojnë pro dhe për këtë është çfarë jemi duke punuar e po ashtu edhe kryeministri”, u shpreh Varhelyi.
Lidhur me këtë deklaratë të komisionarit të BE-së, janë deklaruar edhe njohësit e integrimeve në vend.
Drejtori ekzekutiv i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka thënë për Front Online, se Kosova ka humbur kohë për arsye politike.
Poashtu mungesa e rezultateve të luftës kundër korrupsionit të nivelit të lartë, sipas Shashës, është një ndër pengesat kryesore për mosliberalizimin e vizave.
“Mungesa e rezultateve në kuadër të luftës kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. Katër vite pas kërkesës së Komisionit Evropian për përmbushjen e kriterit të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë, ne ende s’kemi asnjë aktgjykim dënues të profilit të lartë për korrupsion. Rastet e interesit të lartë publik, sikur “PRONTO” dhe rasti “FAJDET” nuk kanë arritur të kthejnë besimin në institucionet e sundimit të ligjit.
Sipas tij, kjo gjë është theksuar edhe në Raportin për Kosovën nga Komisioni Evropian.
“Raporti i Vendit 2020 identifikoj sfida të shumta në fushën e sundimit të ligjit. Në veçanti, vendet anëtare me shqetësim janë duke përcjell gjeturat e Raportit të Vendit, ku është konkluduar se korrupsioni është i përhapur në të gjitha nivelet institucionale, ndërsa sistemi i drejtësisë mbetet nën ndikimin politik”, ka thënë ndër të tjera Shasha, për Front Online.
Në rast se Kosova dëshiron që të ketë progres në procesin e liberalizimit të vizave, sipas drejtorit të Institutit EPIK, duhet që të arrij rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe të krimit të organizuar.
“Arritja e rezultateve në kuadër të luftës kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. Në kuadër të mekanizmit për përcjelljen e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, Kosova ka shënjestruar 61 raste të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. Është shumë e rëndësishme që sistemi i sundimit të ligjit të dëshmoj pavarësinë e vet duke bërë progres në luftë kundër korrupsionit të nivelit të lartë”, ka thënë ai./Front Online
Çfarë po e pengon liberalizimin e vizave? Flet drejtori i EPIK-ut