Autori është një politikan spanjoll-argjentinas që shërben si Përfaqësues i Lartë i Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë që nga 1 dhjetori 2019.
A janë frytdhënëse sanksionet kundër Rusisë? Po, ato tashmë po e godasin rëndë Vladimir Putinin dhe bashkëpunëtorët e tij dhe me kalimin e kohës efektet e tyre në ekonominë ruse do të rriten.
Qëkur Rusia shkeli qëllimisht të drejtën ndërkombëtare duke pushtuar Ukrainën, BE-ja ka miratuar gjashtë pako sanksionesh kundër Moskës. Masat tona tani kanë në shënjestër afër 1,200 individë dhe 98 subjekte në Rusi, si dhe një numër të konsiderueshëm të sektorëve të ekonomisë ruse. Këto sanksione janë miratuar në bashkërendim me anëtarët e G7. Efektiviteti i tyre rritet nga fakti se mbi dyzet vende të tjera (përfshirë vende tradicionalisht neutrale), i kanë miratuar ato ose kanë marrë masa të ngjashme.
Deri në fund të vitit 2022, do ta ulim importin e naftës ruse për 90 për qind dhe po e ulim me shpejtësi importin e gazit. Këto vendime po na çlirojnë gradualisht nga një varësi që prej kohësh ka frenuar zgjedhjet tona politike përballë agresivitetit të Vladimir Putinit. Ai me gjasë besonte se Evropa nuk do të guxonte të përfshihej në sanksione për shkak të varësisë nga energjia. Kjo nuk është gjëja më e parëndësishme e shumë kalkulimeve të gabuara të regjimit rus gjatë këtij konflikti. Natyrisht, heqja dorë nga energjia ruse në mënyrë kaq të shpejtë krijon gjithashtu vështirësi serioze për shumë vende të BE-së dhe për disa sektorë ekonomikë. Por, ky është çmimi që duhet të paguajmë për t’i mbrojtur demokracitë tona dhe të drejtën ndërkombëtare dhe ne po ndërmarrim hapat e nevojshëm për t’i trajtuar këto probleme në solidaritet të plotë.
Disa mund të pyesin se a kanë vërtetë ndikim këto sanksione në ekonominë ruse? Përgjigja e thjeshtë është po. Edhe pse Rusia eksporton shumë lëndë të para, ajo gjithashtu nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të importojë shumë produkte me vlerë të shtuar të lartë të cilat nuk i prodhon vet. Për të gjitha teknologjitë e avancuara, ajo është 45 për qind e varur nga Evropa dhe me 21 për qind nga Shtetet e Bashkuara – krahasuar me vetëm 11 për qind nga Kina.
Në aspektin ushtarak – i cili është thelbësor në kontekstin e luftës në Ukrainë – sanksionet kufizojnë aftësinë e Rusisë për të prodhuar raketa precize siç janë ato Iskander ose KH 101. Pothuajse të gjithë prodhuesit e huaj të veturave kanë vendosur gjithashtu të tërhiqen nga Rusia dhe ato pak vetura të prodhuara nga prodhuesit rusë do të shiten pa “airbag” ose transmision automatik.
Industria e naftës po pëson jo vetëm nga largimi i operatorëve të huaj por edhe nga vështirësia e qasjes në teknologji të avancuara – siç janë shpimet horizontale. Aftësia e industrisë ruse për të futur në qarkullim puse të reja ka shumë gjasa që të jetë e kufizuar. Në fund, për të ruajtur trafikun ajror, Rusisë do t’i duhet të tërheq shumicën e aeroplanëve të saj nga qarkullimi në mënyrë që të marrë pjesët rezervë të nevojshme për të mundësuar fluturimin e aeroplanëve të tjerë. Kësaj i shtohet edhe humbja e qasjes në tregjet financiare, shkëputja nga rrjetet kryesore kërkimore globale dhe nga ikja masive e trurit.
Sa i përket alternativës së ofruar nga Kina për ekonominë ruse, në realitet ajo mbetet e kufizuar, veçanërisht për produktet e teknologjisë së lartë. Deri më sot, qeveria kineze – e cila është shumë e varur nga eksportet e saj drejt vendeve të zhvilluara – nuk e ka ndihmuar Rusinë në anashkalimin e sanksioneve perëndimore. Eksportet e Kinës në Rusi kanë rënë në përputhshmëri me ato të vendeve perëndimore.
A do ta shtyjnë këto ndikime domethënëse dhe në rritje Vladimir Putinin që të modifikojë kalkulimet e tij strategjike? Me gjasë jo, në të ardhmen e afërt: veprimet e tij kryesisht nuk udhëhiqen nga logjika ekonomike. Megjithatë, duke e detyruar të zgjedhë ose gjalpin ose armët, sanksionet e mbyllin atë në një qark që po shtrëngohet gradualisht.
Lidhur me ndikimin e këtyre sanksioneve në vendet e treta, veçanërisht në vendet afrikane të cilat varen nga gruri dhe nga plehrat ruse dhe ukrainase, është e qartë se ku qëndron përgjegjësia sa i përket krizës ushqimore. Sanksionet tona nuk kanë në shënjestër, në asnjë trajtë apo formë, eksportet ruse të grurit apo të plehrave, ndërsa Ukraina pengohet të eksportojë grurin e saj nga bllokada e Detit të Zi dhe nga shkatërrimi i shkaktuar nga agresioni rus. Nëse do të lindin çështje të tilla që lidhen me sanksionet tona, ne jemi të gatshëm të vendosim mekanizmat e duhur për trajtimin e tyre. I kam informuar homologët e mi afrikanë për këtë dhe kam kërkuar nga ta që të mos mashtrohen nga të pavërtetat e autoriteteve ruse në lidhje me sanksionet tona.
Përgjigja e vërtetë ndaj vështirësive në tregjet botërore të energjisë dhe të ushqimit është përfundimi i luftës. Kjo nuk mund të arrihet duke pranuar diktatin rus; kjo mund të arrihet vetëm me tërheqjen e Rusisë nga Ukraina. Respektimi i integritetit territorial të shteteve dhe mospërdorimi i forcës nuk janë parime perëndimore apo evropiane. Ato janë baza e të drejtës ndërkombëtare në tërësi. Rusia po i nëpërkëmbë ato pa pikë konsiderate. Pranimi i një shkeljeje të tillë do t’ia hapte derën e ligjit të xhunglës në përmasa globale.
Ndryshe nga ajo që mendonim në mënyrë mjaft naive vetëm disa vite më parë, ndërvarësia ekonomike nuk nënkupton automatikisht qetësimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo është arsyeja pse shndërrimi i Evropës në një fuqi të vërtetë – të cilën e kam kërkuar që në fillim të mandatit tim – është i domosdoshëm. Të ballafaquar me pushtimin e Ukrainës, ne kemi filluar të kalojmë nga fjalët në vepra duke treguar që, kur provokohet, Evropa mund të përgjigjet. Meqenëse nuk duam të hyjmë në luftë me Rusinë, sanksionet ekonomike janë tani në thelb të kësaj përgjigje. Ato tashmë kanë filluar të kenë efekt dhe do të kenë edhe më shumë në muajt e ardhshëm.