Mijëra persona kanë protestuar vonë të shtunën në kryeqytetin e Gjeorgjisë Tbilisi, duke ndërtuar barrikada, duke thyer xhamat dhe duke ndezur fishekzjarre jashtë parlamentit, në shenjë proteste kundër qeverisë që anuloi bisedimet për t’u bashkuar me BE.
Policia e trazirave u përgjigj duke gjuajtur me ujë dhe gaz lotsjellës në drejtim të turmës.
Demonstratat ishin më të mëdhatë që kur partia qeverisëse gjithnjë e më shumë antiperëndimore u rizgjodh muajin e kaluar në një votim që opozita pro BE-së thotë se ishte i manipuluar.
Në një moment ka rënë një zjarr i vogël në ndërtesën e Kuvendit, i shkaktuar ndoshta nga një fishekzjarr. Protestuesit dogjën një figurë të njeriut më të pasur të Gjeorgjisë, themeluesit të partisë në pushtet Bidzina Ivanishvili, në shkallët e parlamentit.
Mediat gjeorgjiane raportuan protesta edhe në qytete të tjera në të gjithë vendin.
Më parë të shtunën, kryeministri Irakli Kobakhidze akuzoi opozitën pro BE-së për komplot të një revolucioni. Shërbimi i Sigurimit të Shtetit tha se partitë politike po përpiqeshin të “përmbysnin qeverinë me dhunë”.