Togeri i Stacionit Policor në Prishtinë, Ejup Mehani, është mbrojtur në heshtje lidhur me akuzat që po rëndojnë ndaj tij, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
“Do të mbrohem në heshtje, i kam kuptuar të drejtat e mia” tha i akuzuari Mehani, në seancën e mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Sipas aktakuzës, Mehani po akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, toger, nuk kishte hapur rastin e kanosjes të paraqitur nga dy të dëmtuarit Remzi dhe Qazim Krasniqi.
Paraprakisht, në këtë seancë, dy të lartpërmendurit u dëgjuan në cilësi të dëshmitarëve.
Dëshmitari Qazim Krasniqi deklaroi se më 12 shkurt 2020 kishte shkuar në Stacionin Policor “Veriu” në Vranjevc, për të raportuar kërcënimin që atij i ishte bërë nga Nazmi Selimi.
“Unë më datë 12 shkurt 2020 kam shkuar në Stacionin Policor “Veriu” në Vranjevc. Fillimisht kishte shkuar vëllai im Remziu dhe më pas edhe unë. Arsyeja se pse kemi shkuar është se kishim marrë një kërcënim nga një person i quajtur Nazmi Selimi, për shkak se kishim një kontest lidhur me një pronë dhe pasi kontrata ishte në emrin tim, shkova edhe unë”, tha dëshmitari Qazim Krasniqi.
Kërcënimi sipas dëshmitarit Krasniqi kishte ardhur si pasojë e një kontesti pronësor që ai dhe vëllai i tij kishin me Nazmi Selimin, me ç’rast ky i fundit i ishte drejtuar atij me fjalët “se nuk ka mbet asgjë tjetër, ja me ja hek siguresën bombës ose ta përdori armën”.
“Nazmi Selimi ka ardhur në shtëpinë tonë, tek dera e oborrit kam dal unë për të bisedu lidhur me një obligim, një kontest të një prone. Ai ishte blerës i pronës, dhe kërkonte nga ne që t’ia noterizojmë pronën, por pasi nuk e kishte kryer të gjithë obligimin, në kërkuam që ai fillimisht ta kryente obligim e më pas ne ta noterizojmë kontratën. Mirëpo ai u arsyetua që nuk ka mundësi ta kryejë obligimin derisa të shiste edhe ndonjë pronë tjetër dhe pasi ne nuk u pajtuam ai na u drejtua me fjalët kërcënuese “se nuk ka mbet asgjë tjetër, ja me ja hek siguresën bombës ose ta përdori armën”, shtoi dëshmitari Krasniqi.
Ai ka shpjeguar se raportimin e rastit të kërcënimit e kishte bërë tek dy zyrtarë policorë, një i moshës së re dhe një më i vjetër, por që mohoi të njihte ndonjërin prej tyre.
“Si jena hi aty, në uniforma janë kon do ma të vjetër e do ma të ri, sot me mi qit s’i njoh, me emër nuk më janë prezantu. Nuk e di kush u kon saktë. Deri në katër zyrtarë policorë, vetëm një i cili më ka thënë se ti po rren, e i cili ka qenë i ri me moshë, mund të identifikoj, tjerët jo. Pasi nuk na morën fort parasysh, na më pas dolëm nga aty”, tha dëshmitari.
Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Mehani, avokatit Arlind Jupolli, dëshmitari Qazim Krasniqi u përgjigj se nuk e kishte parë asnjëherë më parë të akuzuarin.
“Jo, më parë se kom pa kurrë në jetë, në uniformë nashta e kom pa atë natë, por unë se kom njoft, se di. Për herë të parë e kam pa në sallë të gjykimit”, ka thënë dëshmitari.
Deklarim të ngjashëm në këtë seancë ka dhënë edhe dëshmitari i dytë, Remzi Krasniqi, i cili përsëriti faktin se më 12 shkurt 2020 kishte shkuar të raportonte në polici rastin e kanosjes ndaj tyre nga Nazmi Selimi.
Dëshmitari Remzi Krasniqi, duke u përgjigjur në pyetjet e gjykatëses së rastit Nushe Kuka-Mekaj, deklaroi se asnjëri nga personat prezent në sallë nuk ishte i pranishëm ditën kur ai kishte shkuar në polici për të raportuar rastin e kërcënimit.
“Nuk më kujtohet që ka qenë ndonjë nga të pranishmit në sallë prezent atë ditë kur kam shkuar ta paraqes rastin”, deklaroi dëshmitari Remzi Krasniqi.
Dy dëshmitarët, sipas aktakuzës kishin cilësinë e palëve të dëmtuara, por që me rastin e hapjes së shqyrtimit gjyqësor, këtë të mërkurë ata deklaruan se nuk e ndjenin veten palë të dëmtuara.
Kjo bëri që kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj të njoftonte se pas këtij deklarimi, sipas ligjit, ata mund të ishin vetëm dëshmitarë në këtë çështje penale, e jo edhe të dëmtuar.
Po ashtu, në këtë seancë u administruan në cilësi të provave materiale vendimi mbi suspendimin e togerit Ejup Mehani, nxjerrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, vendimi tjetër i datës 18 shkurt 2020, si dhe u konstatua e shikuar CD-ja ku evidentohen dy dëshmitarët Qazim dhe Remzi duke shkuar në Stacionin Policor “Veriu” për ta paraqitur rastin e kërcënimit.
Paraprakisht, palët në procedurë, me rastin e hapjes së shqyrtimit gjyqësor kanë dhënë edhe fjalët hyrëse.
Seanca e radhës u caktua të mbahet më datë 14 dhjetor, në ora 09:15, ku do të procedohet me dhënien e fjalës përfundimtare nga palët.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Ejup Mehani akuzohet për veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, Mehani akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, toger–Udhëheqës i Njësisë Reaguese në Stacionin Policor Veriu në Prishtinë, ka keqpërdorur pozitën zyrtare duke shfrytëzuar detyrën, me qëllim që të iu shkel të drejtat të dëmtuarve Qazim Krasniqi dhe Remzi Krasniqi.
Sipas aktit akuzues, i pandehuri me dashje nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare, ashtu që nuk kishte hapur rast lidhur me rastin e kanosjes, të cilën e kishte paraqitur i dëmtuari Remzi Krasniqi dhe Qazim Krasniqi.
Në aktakuzë thuhet se njëri nga të dëmtuarit kishte shkuar në stacionin policor për të lajmëruar rastin e kanosjes, të cilin iu kishte bërë personi Nazim Selimi.
Me këto veprime ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi