Dhënia e ndihmës shtetërore nga qeveritë jepet në mënyra të ndryshme dhe për qëllime të ndryshme. Këto qëllime përfshijnë ndihmën për sektorët industrialë, firmat e veçanta, zhvillimin rajonal, inovacionin, investimet, zhvillimin e tregtisë, zhvillimin e biznesit të vogël dhe sektorë kyç si transporti, bujqësia dhe industri të ndryshme. Shumë prej formave të ndihmës shtetërore mund të jenë shumë të dobishme duke adresuar dështimet e tregut ose duke promovuar barazi ose mundësi më të mëdha.
Një nga format më të zakonshme të ndihmës shtetërore përmes së cilës qeveritë angazhohen për të nxitur zhvillimin apo modernizimin e sektorëve të caktuar të ekonomisë është dhënia e subvencioneve. Subvencionet jepen përmes programeve të caktuara dhe duke u bazuar mbi kritere përkatëse sipas sektorëve të zgjedhur për tu mbështetur financiarisht. Në përgjithësi, ashtu si edhe format e tjera të ndihmës shtetërore edhe fondet e miratuara për tu dhënë përmes subvencioneve kanë për qëllim kryerjen e investimeve për rritjen e konkurueshmërisë në treg, përmirësimin e tekonologjisë, stimulimin dhe rritjen e prodhimit, furnizimin e qëndrueshëm të tregut, etj. Në këto raste, masa totale e mbështetjes, masa e përfitimit për ndërmarrje si dhe numri i ndërmarrjeve përfituese miratohet nga dhënësi i ndihmës shtetërore, zakonisht nga Ministria e Financave dhe pasi të konsultohen organet përkatëse për vlerësimin e ndihmës shtetërore.
A duhet kontrolluar dhënia e subvencioneve në pikëpamje të ndihmës shtetërore?
Në përgjithësi, dhënia e ndihmës shtetërore është e ndaluar, por megjithatë ndihma jepet, por në këtë rast ajo duhet që paraprakisht të njoftohet si dhe të miratohet nga autoritetet e ndihmës shtetërore. Kjo me qëllim që të sigurohet mbrojtja e konkurencës së drejtë, pra që dhënia e ndihmës shtetërore të mos ndikojë në shtrembërimin e konkurencës në treg. Në këtë aspekt, edhe për subvencionet shtetërore që jepen në formë mbështetje ose ndihme shtetërore për sektorë të caktuar, dhënia e tyre duhet të jetë e kontrolluar në mënyrë që këto subvencione të shkojnë tek ato ndërmarrje të cilat kanë nevojë për to duke u përputhur kështu me qëllimin për të cilin ato jepen. Në të kundërt, subvencionet ashtu si edhe format e tjera të ndihmës shtetërore (si për shembull: grante dhe përjashtime nga taksat, pjesmarrje në kapital, kredi të buta, shtyrje të pagesës së taksave, garancitë, lehtësimet tatimore dhe masa të tjera mbështetëse më pak të drejtpërdrejta) mund të kenë efekt negativ në treg duke ndikuar në shtrembërimin e konkurencës. Prandaj, organet përkatëse të kontrollit të ndihmës shtetërore duhet që të vlerësojnë ndikimin e efektit të subvencioneve dhe formave të tjera të dhënies së ndihmës duke pasur si qëllim kryesor të tyre mbajtjen hapur të tregjeve.
Çfarë parasheh legjislacioni në fuqi ?
Në Kosovë, legjislacioni në fuqi e përcakton qartë korrnizën institucionale të kontrollit dhe të mbikqyrjes së ndihmës shtetërore si dhe detyrimin e dhënësve të ndihmës shtetërore që autoriteteve përkatëse të ndihmës shtetërore t’iu ofrojnë informacione në lidhje me ndihmën shtetërore. Sistemi i kontrollit të ndihmës shtetërore përbëhet nga Komisioni i Ndihmës Shtetërore (KNSH) si organ i pavarur vendimmarrës, i ngarkuar me detyrat dhe përgjegjësitë kryesore që kanë të bëjnë me përcaktimin nëse një masë në shqyrtim përbën ndihmë shtetërore, me marrjen e vendimeve mbi pajtueshmërinë, mos-pajtueshmërinë ose pajtueshmërinë e kushtëzuar të ndihmës shtetërore, monitorimin e ndihmës shtetërore ekzistuese, publikimin e listës së zonave të pazhvilluara me qëllim të vendosjes së kufijve maksimal të ndihmës në lidhje me ato zona, fillimin e hetimit zyrtar mbi një masë specifike të ndihmës apo revokimi i ndihmës shtetërore përfshirë përcaktimin e normës së zbatueshme të interesit në këtë rast.
Në formë të mbështetjes profesionale dhe administrative, KNSH-së i sigurohet ndihmë nga Departamenti i Ndihmës Shtetërore (DNSH) i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) i cili kryen vlerësimin, kontrollin dhe monitorimin e ndihmës shtetërore. Në të tre këto komponentë DNSH-ja ka një rol të rëndësishëm që mund të përmblidhet si në vijim:
Siç u theksua më lart, roli i autoriteteve zbatuese të ndihmës shtetërore është i përcaktuar në legjislacionin në fuqi për ndihmën shtetërore. Në përgjithësi ligji është në pajtueshmëri me dispozitat e BE-së për ndihmën shtetërore por që ende janë të nevojshme ndryshime në mënyrë që ligji të harmonizohet në tërësi me dispozitat e MSA-së ndërmjet BE-së dhe Kosovës (2016) e cila ndër të tjera parasheh që Kosova duhet të krijojë: një inventar që përmban skemat e ndihmës, një regjistër të ndihmës shtetërore që përmban të gjitha ndihmat (individuale ose skema), si dhe një regjistër të ndihmës de minimis. Po ashtu, ligji për ndihmën shtetërore duhet të përfshirjë si kategori ligjore edhe elemente të tjera të nevojshme përfshirë të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e KNSH-së dhe DNSH-së që kanë të bëjnë me kontrollin, revokimin apo monitorimin e ndihmës shtetërore. Në këtë kontekst duhet përmendur që është gjithashtu i nevojshëm edhe krijimi i legjislacionit përkatës sekondar. Përmirësimi dhe plotësimi i mëtejshëm i legjislacionit, përveç harmonizimit me acquis të BE-së është i nevojshëm edhe për rritur efektivitetin e organeve të kontrollit të ndihmës së shtetit.