Qytetarët e Kosovës pavarësisht të prekur nga pandemia Covid-19, dhe ngritja e çmimeve në çdo sektorë, po tregohen shumë kursimtarë.
Vlera e kursimeve të tyre, vetëm deri në muajin tetor, ka arritur mbi 4 miliardë euro.
Kështu ka bërë të ditur për Front Online, zëdhënës i Bankës Qendrore të Kosovës, Kushtrim Ahmeti.
“Në Bankën Qendrore të Kosovës shuma e depozitave është 4.6 miliardë euro, prej tyre të ekonomive familjare janë 3.2 miliardë euro, të korporatave jo financiare janë 872.7 milionë euro, vlera e depozitave në valutën jo euro ishte 219.4 milionë euro” shtoi ai.
Sipas Ahmetit, deri në tetor të këtij viti vlera totale e kredive ka arritur deri mbi 3 miliardë euro.
“Vlera totale e kredive deri në tetor të këtij viti ishte 3.6 miliardë euro, nga kjo shumë 1.3 miliard u takon ekonomive familjare dhe 2.2 miliard euro korporatave jo financiarë”, tha Ahmeti.
Këta janë faktorët që ndikuan në rritjen e kredive në banka
Kjo shumë e madhe e mjeteve të kursyera në raport me kreditë nga eksperti i çështjeve financiare, Milazim Abazi shpjegohet në mënyra të ndryshme.
Abazi tha se nga janari i këtij viti depozitat janë rritur dyfish më ngadalë se sa rritja e kredive.
“Në Kosovë nga janari e deri në fund të tetorit depozitat në sistemin bankar janë rritur dyfish më ngadalë se sa rritja e kredive, derisa depozitat janë rritur 6,22% ndërsa kreditë 13,57%”, tha Abazi.
Abazi tregon se si mund të ndihmojnë bankat qytetarët që të kursejnë më shumë
Abazi tha se bankat do të duhej të rrisnin interesin në depozita në mënyrë që qytetarët të arrijnë të kursejnë edhe më shumë.
“Kosova vazhdon të mbetët vendi me depozitat më të ulëta për kokë banori në regjion. E për të nxitur një kursim më të madh në banka, bankat duhet të ofrojnë një interes më të lartë se sa deri tash, ndërsa agjencioni për garantimin e depozitave të rris nivelin e garantimit së paku në 10.000 euro për person”, përfundoi Abazi.
Sipas Abazit, përveç pandemisë në rritjen e kredive kanë ndikuar edhe rritja ekonomike pas një periudhe rënie.
“Në rritjen e kredive kanë ndikuar disa faktorë, përveç pandemisë kanë ndikuar edhe faktorë të tjerë, siç rritja ekonomike pas një periudhe rënie, rritja e eksportit, rritja e çmimeve të lëndëve të para si dhe rënia e lehtë e interesave në kredi”, tha ai për Front Online.