×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Marrëveshje të reja për rajonin, çfarë firmosën dje liderët e Ballkanit Perëndimor në Berlin – Si dhe kur do të bëhet shpërndarja e fondeve

    FrontOnline
    15 Tetor 2024

    Kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan dje në Samitin e Procesit të Berlinit deklaratën për një plan veprimi për tregun e përbashkët rajonal, për vitet 2025-2028, si dhe marrëveshje për përmirësimin e qasjes në arsimin e lartë.

    Në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili u mbajt në Berlin dhe u kryesua nga kancelari Olaf Scholf, kryeministrat Edi Rama, Albin Kurti, Millojko Spajiç, Borjana Christo, Hristian Mickovski dhe Millosh Vuçeviç vendosën firmat për dy deklarata, që synojnë bashkëpunimin rajonal.

    Të pranishëm ishin edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe përfaqësues të vendeve partnere. Një plan të ri veprimi për tregun e përbashkët rajonal dhe një marrëveshje për aksesin në mundësitë e studimit për të rinjtë. Nënshkrimi i marrëveshjes së parë i jep mundësi Kosovës të përfaqësohet në CEFTA nga qeveria e saj, pasi deri më tani është përfaqësuar nga UMNIK-u. Vetë kancelari gjerman foli për rëndësinë që ka normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë për të ardhmen europiane të gjithë rajonit.

    “Ne të gjithë e dimë se sa shumë rajoni juaj ndikohet ende nga konfliktet e së kaluarës. Por tani është koha që sytë të drejtohen drejt së ardhmes. Ne kemi nevojë për një dinamikë të re dhe një proces normalizimi midis Serbisë dhe Kosovës. Unë mbetem i bindur se e ardhmja është në BE. Ekziston vetëm një rrugë që të çon atje dhe kjo është zbatimi i plotë i marrëveshjeve që ju keni arritur tashmë. Është një angazhim i qartë për të zgjidhur çështjet dypalëshe dhe për t’u pajtuar në mënyrë paqësore. Për këtë qëndron Procesi i Berlinit”, – tha Scholz.

    MBËSHTETJA

    Fondi prej 6 miliardë euro i vënë në dispozicion për vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të shpërndahet brenda fundit të këtij viti, pas miratimit të agjendave të reformave për 5 vendet, përveç Bosnje Hercegovinës. Brenda fundit të vitit 2024 pritet të nisë shpërndarja e fondit 6 miliardë euro nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Lajmi u bë me dije nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në konferencën e përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, pas përfundimit të Samitit të Procesit të Berlinit, që bëri bashkë 6 liderët e Ballkanit Perëndimor.

    Kryekomisionerja theksoi se këtë javë pritet të miratohen agjendat e reformave, të vendosura si kusht për përfitimin e fondit të Planit të Rritjes. Ky miratim vetëm për 5 vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, do t’i hapë rrugë edhe lëvrimit të fondeve. I vetmi vend i rajonit, i cili duhet të presë ende miratimin e agjendës së tij është Bosnje Hercegovina, pasi nuk ka adresuar të gjitha sugjerimet e dhëna nga Komisioni Evropian.

    “Ne u kërkuam partnerëve tanë të zhvillojnë agjendën e tyre të reformës sipas Planit të Rritjes. Sot kam kënaqësinë të raportoj se pesë nga gjashtë agjendat e reformave do të miratohen këtë javë. Kjo do të thotë që pagesat nga Plani i Rritjes mund të fillojnë të rrjedhin para fundit të vitit. Kjo nuk do të ishte e mundur kurrë pa Procesin e Berlinit. Pra, puna e vështirë e Procesit të Berlinit është një histori suksesi. Është një rrugë me erë, por ne po ecim përpara”, – tha Von der Leyen.

    Sipas saj, vendi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është në BE dhe se Procesi i Berlinit luan një rol kyç në anëtarësim. Arkitekt që ka siguruar një lidhje të fortë mes BE dhe Ballkanit Perëndimor e quajti Von der Leyen nismën e Procesit të Berlinit, që mbushi 10 vite që nga lançimi për herë të parë në 2014 nga ish-kancelarja Angela Merkel.

    “Luftërat kanë qenë një mesazh për BE se një union i madh është edhe më i fortë”, – tha ajo. Nisma e Procesit të Berlinit këtë vit mbush një dekadë që ka marrë jetë.

    Marrëveshja me e rëndësishme e kësaj nisme, ajo për lëvizjen e lirë brenda rajonit, nuk ka gjetur zbatim në të 6-ta vendet, pasi Bosnja nuk e ka nënshkruar këtë marrëveshje me Kosovën, ndaj mes dy vendeve lëvizet ende me viza. Albin Kurti, në Berlin deklaroi se nga 1 janari Kosova do ta liberalizojë në mënyrë të njëanshme lëvizjen me Bosnjën.

    Zgjerimi i Comoditës në SHBA: “Nap Queen Sleep”, krenaria e shqiptarëve
    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni15 Tetor 2024
    “Ne do ta bëjmë gati Shqipërinë për Bashkimin Evropian brenda vitit 2030”, u shpreh kryeministri shqiptar Edi Rama nga Luksemburgu, ku pritet...
    Bota/Rajoni15 Tetor 2024
    Organizata e Akademikëve dhe Studentëve të Diasporës Shqiptare në Hamburg i është drejtuar kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, me një kërkesë për...
    Bota/Rajoni15 Tetor 2024
    Këshilli i Sigurimit të OKB-së shprehu “shqetësim të fortë” të hënën pasi Izraeli ka qëlluar dhe plagosur paqeruajtësit e OKB-së në Libanin...
    Të tjera
    Lajme15 Tetor 2024
    Sot mbi vendin tonë do të mbajë me diell dhe vranësira të shpërndara. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se temperaturat minimale do...
    Lajme14 Tetor 2024
    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, u pyet nëse në Ushtrinë e Kosovës ka pjesëtarë të komunitetit serb. Maqedonci, theksoi se një pjesë...
    Bota/Rajoni14 Tetor 2024
    Policia ka identifikuar dhe shoqëruar në polici autorin e dyshuar të vrasjes së një 15-vjeçari pasditen e së hënës, në Shkodër, shkruan...
    Lajme14 Tetor 2024
    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ka kërkuar heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës dhe ka bërë thirrje që vendit t’i jepet...
    Lajme14 Tetor 2024
    Për të martën parashikohet të mbajë mot kryesisht me diell. Në orët e mëngjesit mund të ketë mjegull apo vranësira të ulëta...
    Lajme14 Tetor 2024
    Analisti Ilir Deda ka folur në Rubikon në lidhje me situatën e furnizimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës, duke hedhur kritika...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.