Kreu i këtij Komisioni, Zharko Karaxhovski bëri të ditur se testi negativ jo më i vjetër se 72 orë do të jetë “vizë hyrëse” në vend për Kosovën, Malin e Zi, Bosnj-Hercegovinën dhe Serbinë.
“Nuk kemi ndërmend ta ndryshojmë masën, sepse situata aktuale në këto vende është e ngjashme me tonën dhe nëse hapen plotësisht kufijtë do të kemi numër më të madh të të infektuarve. Gjithashtu është e qartë se ka numër të madh të të sëmurëve pothuajse në të gjitha vendet e rajonit”, ka thënë Zharko Karaxhovski, kryetar i Komisionit per Semundje Infektive.
Greqia dhe Bullgaria i kanë mbyllur kufijtë për Maqedoninë e Veriut, sipas rekomandimeve të Zonës Shengen. Rrjedhimisht Shqipëria mbetet destinacioni i vetëm për qarkullim të lirë pa asnjë kushtëzim.
Sektori i turizmit nuk e mirëpriti vendimin. Shoqata e Agjencive Turistike ka deklaruar se 300 agjenci turistike me 5 mijë punëtorë do të mbyllen pasi humbjet llogariten 100 %.
Që nga fillimi i pandemisë, në Maqedoninë e Veriut kanë humbur jetën 476 pacientë, ndërsa aktualisht janë më shumë se 4 mijë raste aktive me Covid 19. / VizionPlus.