×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Mali i Zi voton nën tensione politike, 35.4% dalja deri në orën 11:00

    FrontOnline
    30 Gusht 2020

    Me hapjen e qendrave të votimit në orën 7 të mëngjesit, në Mal të Zi ka nisur gara zgjedhore për 81 ulëse në Parlamentin e shtetit.

    Qendra e Monitorimit (CEMI) njoftoi se gjithsej 35.4% e votuesve votuan deri në orën 11:00. Në rajonin e Podgoricës kanë votuar 35.8%, në rajonin verior të Malit të Zi 31.7%, dhe në jug 37.1%.

    Sipas tyre, pjesëmarrja ishte më e lartë se në zgjedhjet parlamentare më 2016, kur, siç thanë ata, deri në orën 11, dalja ishte 20.7 % dhe në zgjedhjet e vitit 2012 pjesëmarrja ishte 18.2%.

    Qendra për Monitorim u bëri thirrje qytetarëve që të mbajnë distancën e caktuar ndërsa presin në radhë për votim.

    CEMI gjithashtu deklaroi se regjistroi një numër të madh të shkeljeve që kanë të bëjnë me fshehtësi të fletëve të votimit.

    “Votuesit e thanë listën që ata votuan me zë të lartë, fletët e votimit u fotografuan, fletët e votimit nuk u palosën në kabinën e votimit, por përpara bordit të votimit,” tha koordinatorja Maja Bjeliq.

    Zgjedhjet parlamentare janë duke u mbajtur nën tensione të larta politike dhe nën rrezikun që paraqet pandemia e koronavirusit.

    Për 81 ulëset parlamentare garojnë gjashtë koalicione dhe pesë parti.

    Këto janë zgjedhjet e njëmbëdhjeta që nga futja e sistemit shumëpartiak në Mal të Zi, ndërsa të pestat prejse ky shtet ka shpallur pavarësinë, më 2006.

    Njëkohësisht janë duke u mbajtur edhe zgjedhjet lokale në tri komunat bregdetare: Budvë, Kotor dhe Tivat, dhe në dy komuna më të vogla në veri: Andrijevicë dhe Guci.

    Të drejtë vote kanë 540,026 qytetarë, të cilët mund të votojnë në 1,217 vendvotime.

    Zgjedhjet vëzhgohen nga 2,089 vëzhgues, nga të cilët 265 janë të huaj.

    Në Mal të Zi ndodhet Rrjeti Evropian i Organizatave për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (ENEMO) me gjithsej 23 ekipe që do të vëzhgojnë procesin zgjedhor.

    Shefi i misionit vëzhgues të ENEMO-s në Mal të Zi, Gianluca Passarelli, ka thënë se zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi mbahen në një kohë vendimtare për këtë vend dhe se trazirat politike dhe sociale, kriza ekonomike dhe pandemia paraqesin një sfidë të madhe për të gjithë sistemin.

    Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik në Mal të Zi, Boban Mugosha, ka thënë se procesi zgjedhor nuk do të paraqesë rrezik epidemiologjik nëse respektohen të gjitha masat.

    Sipas tij, situata epidemiologjike në Mal të Zi është përkeqësuar për shkak të tubimeve masive, porse nga vetë zgjedhjet nuk do të ketë rrezik.

    “Njerëzit mund të shkojnë lirshëm të votojnë dhe të mbajnë maska, distancë dhe higjienë. Kështu, hapësira e votimit mund të jetë plotësisht e sigurt”, ka thënë Mugosha.

    Garuesit

    Subjekti më i madh në Mal të Zi, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), që udhëhiqet nga presidenti i shtetit, Millo Gjukanoviq, garon në mënyrë të pavarur, ndërsa bartës i listës zgjedhore është kryeministri aktual, Dushko Markoviq.

    DPS është në pushtet që 30 vjet, në koalicion me parti më të vogla qytetare dhe parti të pakicave kombëtare.

    Nga partitë e pushtetit aktual, në garë janë edhe Social-Demokratët, Partia e Boshnjakëve, pastaj dy koalicione të partive shqiptare: “Lista shqiptare” dhe “Bashkë nji za”, si dhe dy parti të pakicës kroate.

    Opozita, ndërkaq, është duke garuar me tri koalicione dhe një parti.

    Fronti Demokratik, partia më e madhe opozitare, njëherësh pro-serbe dhe pro-ruse, garon brenda koalicionit “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, që udhëhiqet nga profesori Zdravko Krivokapiq – një figurë jopartiake.

    Lart në listë zgjedhore është edhe Marko Millaçiq, i cili vitet e kaluara ka udhëhequr një fushatë kundër NATO-s, duke djegur publikisht flamuj të aleancës ushtarake.

    Koalicionin “Paqja është kombi ynë”, me në krye Alleksa Beçiqin, e përbëjnë Mali i Zi Demokratik dhe Demos.

    Lista “E zeza në të bardhë” drejtohet nga lëvizja qytetare Ura e Dritan Abazoviqit – i cili është shqiptar – me mbështetjen e një numri të konsiderueshëm intelektualësh të profesioneve, kombeve dhe ideologjive të ndryshme.

    Partia Social-Demokratike e opozitës, e cila garon në mënyrë të pavarur, ka qenë në pushtet me DPS-në deri pesë vjet më parë.

    Ajo e ka lënë pushtetin për shkak të, siç ka thënë, korrupsionit të kudogjendur në strukturat shtetërore.

    Fushata

    Për shkak të pandemisë së koronavirusit, fushata parazgjedhore është zhvilluar kryesisht në mediat online dhe në rrjetet sociale.

    Në përputhje me urdhrat e Trupit Kombëtar të Koordinimit, në tubimet partiake kanë mundur të mblidhen deri në 100 persona jashtë dhe 50 brenda.

    Temë mbizotëruese e fushatës ka qenë Ligji për Lirinë e Fesë, për të cilin shteti dhe Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi kanë mosmarrëveshje të ashpra.

    Ligji, i cili është miratuar në Kuvendin e Malit të Zi më 27 dhjetor, 2019, dhe me incidente të deputetëve të Frontit Demokratik, për Kishën Ortodokse Serbe paraqet përpjekje për të rrëmbyer pronën e saj.

    Ligji përcakton që e gjithë prona e Kishës, e krijuar para vitit 1918 në Mal të Zi, për të cilën Kisha Ortodokse Serbe nuk ka prova të origjinës, t’i transferohet shtetit.

    Përveç organizimit të protestave për muaj të tërë në të gjithë Malin e Zi, Kisha Ortodokse Serbe u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në votime dhe të votojnë kundër Qeverisë aktuale, e cila ka miratuar ligjin.

    Në liturgjitë e kishave, të mbajtura gjatë fushatës zgjedhore – përkundër ndalesës së tubimeve për shkak të pandemisë – kanë dominuar simbolet kombëtare serbe dhe mesazhe politike kundër Gjukanoviqit dhe Qeverisë aktuale.

    Për një pjesë të opozitës, kryesisht Frontin Demokratik, mbështetja e Kishës Ortodokse Serbe ka qenë shtyllë e fushatës.

    Qeveria e ka përqendruar fushatën e saj te Kisha Ortodokse Serbe dhe opozita, që e mbështet atë, duke thënë se ato bëjnë përpjekje për ta përmbysur shtetësinë e Malit të Zi nga pozicioni serbomadh.

    Pjesa tjetër e opozitës është marrë kryesisht me temat e krimit, korrupsionit dhe sundimit të ligjit.

    Përfaqësuesit e popujve pakicë, ndërkaq, janë përqendruar në temat e mbrojtjes së identitetit kombëtar dhe tek e drejta për përfaqësim më të madh të pakicave në institucionet qeveritare dhe administratën publike.

    Pa i specifikuar kërcënimet, shefat e policisë kanë thënë se institucionet nuk do të lejojnë që shteti të destabilizohet gjatë zgjedhjeve dhe se ato do ta mbrojnë paqen dhe sigurinë e qytetarëve.

    Zgjedhjet paraprake

    Zgjedhjet e fundit parlamentare në Mal të Zi janë mbajtur më 16 tetor, 2016, me një pjesëmarrje të lartë – mbi 73 për qind – të votuesve të regjistruar. Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviqit i ka fituar shumicën e ulëseve.

    Këto zgjedhje i ka karakterizuar afera “Grushtshteti”, pasi në ditën e votimeve janë arrestuar disa shtetas të Serbisë, nën dyshimet se kanë përgatitur përmbysjen me dhunë të Qeverisë malazeze dhe, sipas Prokurorisë Speciale të Shtetit, edhe likuidimin e kryeministrit të atëhershëm malazez, Millo Gjukanoviq.

    Gjatë gjykimit dyvjeçar, në shkallën e parë janë dënuar dy shtetas rusë, të cilët janë gjykuar në mungesë, dy udhëheqës të Frontit Demokratik dhe një grup i shtetasve serbë.

    Askush prej tyre nuk e ka pranuar fajësinë.

    Rasti ndodhet në Gjykatën e Apelit, ku duhet të merret vendimi përfundimtar.

    Udhëheqësit e Frontit Demokratik, Andrija Mandiq dhe Millan Knezheviq, që kanë dënim të shkallës së parë me nga pesë vjet burgim, gjenden në listën zgjedhore “Për ardhmërinë e Malit të Zi”./rel

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni24 Nëntor 2024
    Raporti i oficerit të policisë gjyqësore për ngjarjen e rëndë të ndodhur të hënën e 18 nëntor pranë shkollës “Fan Noli” në...
    Bota/Rajoni24 Nëntor 2024
    Presidenti Volodymyr Zelensky thotë se sheh mundësi që lufta ruse kundër Ukrainës të përfundojë në vitin e ardhshëm. “Kur do të përfundojë...
    Bota/Rajoni24 Nëntor 2024
    Një prodhues varkash elektrike në Kaliforni po bën përpjekje të ndryshojë industrinë e prodhimit të këtyre mjeteve lundruese, duke filluar me një...
    Të tjera
    Bota/Rajoni24 Nëntor 2024
    Presidenti i zgjedhur, Donald Trump është “tepër i shqetësuar” nga përdorimi në rritje i llojeve të ndryshme të armatimeve në luftën gati trevjeçare të...
    Lajme24 Nëntor 2024
    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca nesër e pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Afrim Gashin. Sipas njoftimit, në...
    Lajme24 Nëntor 2024
    Deputeti nga Lista “Guxo”, Burim Meta ka qenë i ftuari i radhës në “Reel Talk” që realizohet nën moderimin e gazetarit Nebih...
    Kronika24 Nëntor 2024
    Për një vrasje që ndodhi në prill të këtij viti, tek këto ditë u ngrit aktakuzë. Klan Kosova ka siguruar aktin akuzues...
    Lajme24 Nëntor 2024
    Turneu i Ndryshimit”, siç e quan Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), sot mbajtur tubim në Malishevë. Kreu i këtij subjekti politik, Lumir...
    Lajme24 Nëntor 2024
    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se po instalojnë ashensorë nëpër banesa kolektive, pasi ka kërkesa të qytetarëve që nga viti...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.