Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë deri në orën 14:30, si mungesë e numri të vogël të deputetëve të pranishëm në sallë dhe përfaqësuesve të qeverisë.
Organi më i lartë legjislativ do të mbajë debat parlamentar për luftimin dhe parandalimin e dhunës në familje pas pauzës. Për këtë nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci ka ftuar deputetët që të kthehen në sallë.
“Pika e 14 e rendit të ditës është debati parlamentar për luftimin dhe parandalimin e dhunës në familje, me rastin e fushatës senzibilizuese në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore, sipas kërkesës së deputeteve Vlora Limani Hajnuni dhe Lirije Kajtazi, të mbështetura nga 8 deputetë tjerë. Duke qenë se numri nuk është shumë i madh i deputetëve, dhe askush nga qeveria, propozoj të shkojmë në pushim deri në orën 14:30 dhe vazhdojmë me këtë pikë në orën 14:30”, tha ajo./FrontOnline/