Kryetarja e partisë ‘Alternativa’, Mimoza Kusari-Lila, tha se për dallim nga e kaluara, kësaj radhe nuk është e mjaftueshme mbështetja vetëm nga komunitetet jo-shumicë për formimin e Qeverisë së re.
Sipas saj, edhe në të kaluarën bashkëpunimi me komunitetet joshumicë ka qenë formal dhe i natyrshëm, por tani nuk i mjaftojnë numrat.
“Edhe në të kalumen, Qeverinë Kurti 2, përkundër që e kemi pasë një shumicë me 10 deputetë më shumë, kanë fillu, domethënë, koalicioni, gjegjësisht arsyeja e lidhjes së koalicionit ose një bashkëpunimi formal ka qenë me këto parti. Me këto është edhe njëfarë forme – janë edhe vendet e garantume edhe në Kuvend, edhe në Qeveri. Njëjtë edhe për pakicën tjetër apo komunitetin e një shumice tjetër, por gjithsesi që ka pasur trajtim në kuptimin e bashkëpunimit ose një vazhdimësie të komunikimit prej edhe mandatit të kalum”, tha Kusari-Lila.
Ajo shtoi se në këtë mandat nuk mund të arrihet numri i nevojshëm i votave vetëm me komunitetet joshumicë dhe prandaj do të nevojiten diskutime të mëtejshme për formimin e Qeverisë.
“Nuk është më e lehtë, është pak më e vështirë, qysh e kemi pa – numrat e tregojnë që vetëm me komunitetet joshumicë, si herën e kalume, nuk ka me qenë e mjaftueshme ose nuk është e mundshme të arrihet numri 61 i minimumit që duhet për një Qeveri të votohet. Prandaj kjo është tashmë një punë e cila ka me vazhdu procesin dhe e cila ka me shty përpara gjithsesi diskutim të matutjeshëm mbi formën e mënyrën e arritjes së këtij numri”, deklaroi Kusari-Lila.
Kusari-Lila ka folur edhe për refuzimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të qenë pjesë e bashkëqeverisjes, duke thënë se vendimet politike nuk duhet të udhëhiqen nga ndjenjat personale.
Sipas Kusari-Lilës, çdo subjekt politik mban përgjegjësi ndaj strukturave dhe elektoratit, por veprimet e sotme duhet të fokusohen në të ardhmen.
“Para se me hartu, shkurtimisht e lexova reagimin e kryetarit të Lidhjes Demokratike. Natyrisht, është e drejtë e tyre dhe referenca në retorikë është referencë në të kalumen. E kalumja ka pasë situata shumë më të rënda për këtë subjekt… gjithsesi është vendim ose veprim për të cilin ata normal i japin llogari edhe strukturave edhe elektoratit të vet. Po një pozicion që duhet me qenë për të gjithë, e përfshirë edhe neve si partinë e parë, është që veprimet tash e tutje, më shumë sesa për të kalumën, kanë bajmë për të ardhmen”, tha Kusari-Lila në ATV.