
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vazhdoi vizitat e prodhuesve vendorë. Sot, ai bashkë me zv. ministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve, z. Iliri Aliu dhe kryetarin e Komunës së Prizrenit, z. Mytaher Haskuka vizitoi qumështoren “Sharri” dhe fabrikën e kabllove dhe përçuesve elektrikë “Proton Cable”, në Prizren.
Në qumështoren “Sharri”, Kryeministri në detyrë u prit nga pronari i saj, z. Veli Halimi, ku u njoftua për historikun e 20- vjeçar të kësaj qumështoreje, planet për investime në të ardhmen, por edhe për sfidat me të cilat është përballur gjatë këtyre viteve. Qumështorja “Sharri” paraqet tregim suksesi të prodhuesit vendor, i cili, në këtë rast, për tashmë dy dekada i ka ofruar konsumatorëve produkte cilësore dhe të shëndetshme. Ndonëse industria e qumështit është prekur nga pandemia COVID-19, kjo qumështore, më vullnet dhe vetëdije të plotë, nuk ka shfrytëzuar fare masat ndihmëse nga Pakoja Fiskale Emergjente duke e përballuar vetë barrën e shkaktuar nga pandemia.
Shteti i Kosovës duhet të jetë pranë këtyre prodhuesve të cilët paguajnë detyrimet e tyre ndaj shtetit dhe nuk marrin prej tij edhe atëherë kur e kanë atë të drejtë.
Pastaj, Kryeministri në detyrë bashkë me shoqëruesit e njëjtë vizituan fabrikën “Proton Cable”. Aty u pritën nga pronari i kësaj fabrike, z. Fatos Dida, i cili i shoqëroi dhe i njoftoi mbi produktet dhe zinxhirin prodhues. Kabllot dhe përçuesit elektrikë të tensionit të ulët të prodhuara në “Proton Cable” i nënshtrohen kontrolleve laserike dhe me testues shkëndije me tension të lartë, me qëllim që cilësia e tyre të jetë e lartë. Për më tepër, kjo fabrikë tashmë është në fazën testuese të prodhimit të telit të bakrit, që do t’i bënte prodhuesit e parë të telit të bakrit në trojet shqiptare.
Kryeministri në detyrë gjatë këtyre vizitave dhe takimeve me pronarët e këtyre dy fabrikave shprehu vullnetin dhe gatishmërinë për t’i ndihmuar prodhuesit vendorë. Ai foli për nevojën e menjëhershme të bashkëpunimit tregtar mes institucioneve dhe ndërmarrjeve publike dhe prodhuesve vendorë, dhe vëmendjen që pakoja për rimëkëmbjen ekonomike do ta ketë për ta.