Me ftesë të ambasadës së Turqisë në Kosovë, kryeministri Albin Kurti, ishte i ftuar sonte në iftarin e shtruar nga ambasada turke dhe Guvernatori i Edirnesë, Yunus Sezer.
Kurti tha se agjërimi në muajin e Ramazanit na mëson se sakrifica është virtyt, sfidat janë mundësi dhe të mirat janë bekim.
“Ramazani është kohë e reflektimit. E për besimtarët myslimanë është edhe muaj i përsosjes së vetive, zakoneve, synimeve e veprave. Është thirrje për përulësi, përmirësim dhe përvetësim: përulësi ndaj tjerëve, përmirësim të vetes, dhe përvetësim të mësimeve”.
“Për të gjithë është thirrje për harmoni, paqe, solidaritet e mirësi. Andaj, le t’i përgjigjemi kësaj thirrje çdo ditë të vitit, sikurse secilën ditë të këtij muaji”, tha Kurti.
Kurti falënderoi ambasadorin Angili dhe guvernatorin e Edirnesë për iftarin e shtruar, teksa u uroi agjërim të lehtë të gjithë besimtarëve mysliman në këtë muaj të shenjtë.