×
  • Opinione
  • Opinione

    Kurrë më!

    Blerim Shala
    17 Janar 2024

    Nga Blerim Shala:

    Një çerek shekulli i plotë na ndanë nga një ngjarje, nga një histori, nga një kohë që na bashkon të gjithëve.

    Si çdo herë në këto 25 vjetët e kaluara, më 15 janar të këtij viti, në Reçak u përkujtua masakra e forcave okupatore serbe (të tilla kanë qenë ato gjithmonë që nga tetori i vitit 1912), ndaj 45 civilëve shqiptarë të tre brezave.

    Kësaj here, kryeporosia nga manifestimi i Reçakut që si gjithmonë mblodhi kryepolitikanët e këtij vendi dhe neve, qytetarët e Kosovës, ishte: ‘Mos harro!’.

    Nuk ka si të harrohet çfarë ndodhi 25 vite më parë në kodrinën e këtij fshati. Nuk ka si të mos kujtohen të gjitha varret masive, që në atë hartën e Kosovës përbëjnë një Arkipelag të varreve, të cilat u hapën në dy vitet e luftës (1998, 1999).

    Është ky një kujtim kolektiv, i të gjithë neve që e përjetuam dhe e mbijetuam luftën.

    Ia kemi borxh atyre që shkuan për liri. Ia kemi borxh vetes që jetojmë në liri. Dhe ua kemi borxh atyre që do të vijnë më pas. Në liri.

    E tëra është pjesë e një identiteti politik të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

    Sidoqoftë, nëse dikush, përfshirë këtu edhe diplomatët dhe politikanët kryesorë të Perëndimit, tash e një çerek shekulli, kur mori fund lufta në Kosovë, me paqen e imponuar nga Aleanca Veri-Atlantike, intervenimi ushtarak i të së cilës ishte rrjedhojë e natyrshme e një Lëvizje për pavarësi, luftës së UÇK-së dhe martirizimit të gjithë një populli, do të thoshte që edhe 25 vjet më pas, nuk do të kishte drejtësi për Reçakun dhe nuk do të kishte Marrëveshje paqeje në mes të Kosovës dhe Serbisë, të gjithë do të thoshim, ne dhe ndërkombëtarët, që diçka e tillë nuk do të ndodhë.

    Apo që do të ketë drejtësi për Reçakun dhe për të gjitha rastet e tjera të krimeve të luftës dhe të krimeve kundër njerëzimit anëkënd Kosovës, dhe që do të bëhej edhe Marrëveshja për paqe dhe për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, që prej vitit 2008 si dy shtete të pavarura.

    Por ja që as sot e kësaj dite, as nuk ka drejtësi për Reçakun, as nuk ka pranim dhe kërkimfalje nga pushteti në Serbi për të gjithë tragjedinë e shkaktuar këndejpari, dhe as nuk ka Marrëveshje të mirëfilltë politike dhe historike.

    Në mes nesh dhe Serbisë, akoma qëndron kjo histori e paadresuar, e pazgjidhur, e papranuar prej Beogradit.

    Realisht, asnjë Marrëveshje e Kosovës dhe Serbisë, nuk do të ketë gjasa që të qëndrojë fuqishëm dhe t’i drejtojë andej kah duhet raportet në mes të dy popujve dhe të dy shteteve (kah Evropa dhe Perëndimi), pa njohur historinë e viteve 1998, 1999.

    Kjo njohje e historisë nga Serbia është në themelet e njohjes formale dhe faktike të Kosovës nga Serbia.

    Në anën tjetër, secili prej nesh, qoftë zyrtar i shtetit, politikan, apo vetëm një qytetar i Kosovës, thellë në vete, nuk ka si të mos ndihet keq, shumë keq kur e di që në ato rrethanat e vështira të luftës, nuk arritëm dot të bëjmë më shumë për të gjithë ata që u vranë, ashtuqë ne që mbetëm gjallë të jetojmë në liri.

    Nuk mundëm të bëjmë më shumë. Kështu i kemi thënë njeri-tjetrit në ato dy vitet e luftës.

    Nuk kemi mundur të bëjmë më shumë. Kështu i themi edhe tash vetes dhe të tjerëve, kur flasim për faktin që një forcë e huaj e një shteti të huaj, vrante shqiptarët e Kosovës, i dëbonte ata nga atdheu, me qëllim të vetëm për ta lënë Kosovën pa shqiptarët dhe shqiptarët pa Kosovë.

    Sidoqoftë, ndjenja e pafuqisë do të na përcjell gjithmonë në kujtim të asaj kohe.

    Porosia e cila tash e tutje do të duhej të shfaqej në Reçak, dhe kudo në Kosovë ku pushojnë martirët dhe dëshmorët e këtij vendi, është kjo: ‘Kurrë më!’.

    Ky shtet duhet të forcohet në të gjitha mënyrat e mundshme, gjithsesi edhe ushtarakisht, por edhe politikisht dhe ekonomikisht, që të mos përsëriten asnjëherë më në Kosovë, tek populli i saj, pamjet që na rrëqethin dhe na i mbushin sytë me lot.

    Mjaft kemi vuajtur si popull.

    Nga Rubrika
    Opinione22 Nëntor 2024
    GJNP ka nxjerrë urdhër-arreste kundër kryeministrit të Izraelit Netanjahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Gallant. Çfarë do të thotë kjo dhe çfarë pasojash...
    Opinione21 Nëntor 2024
    Nga Hisen Berisha: Kështu veprojnë tradhtarët e të shiturit tek armiqtë e vendit. Në një shtet të konsoliduar me sistem juridik të...
    Opinione20 Nëntor 2024
    Shkruan: Bekim Çollaku Fitorja e presidentit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka ndezur një debat...
    Të tjera
    Lajme23 Nëntor 2024
    Javën e ardhshme do të vijojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Katër seanca pritet të mbahen nga e...
    Lajme23 Nëntor 2024
    Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës në rrugën Viti-Gërlicë kanë ndaluar për kontroll një automjet, që po drejtohej nga një person...
    Vip23 Nëntor 2024
    Gjesti po mendon se Xheneta ka pëlqim për një tjetër burrë brenda shtëpisë më të madhe në vend. Kështu i tha ai...
    Sport23 Nëntor 2024
    KH Rahoveci ka pësuar humbje në ndeshjen e parë ndaj ekipit rumun CS Minaur Baia Mare në kuadër të EHF European Cup....
    Bota/Rajoni23 Nëntor 2024
    Opozita shqiptare ka njoftuar se do të zhvillojë sërish një protestë me bllokimin e disa akseve rrugore, më 26 nëntor, si një...
    Vip23 Nëntor 2024
    Një përplasje e ashpër ndodhi mes Xhenetës dhe Anisës. Madje kjo e fundit ia kapi fjalët, e me këtë veprim nuk u...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.