×
  • Lajme
  • Ekonomi
  • Ekonomi

    Kur do të rritet paga minimale? Qeveria zvarrit dërgimin e projektligjit për lexim të dytë

    FrontOnline
    08 Mars 2023

    Qeveria po e zvarrit dërgimin e Projektligjit për pagën minimale në Kuvend, për lexim të dytë.

    Ky Projektligj është miratuar në lexim të parë qysh në qershor të vitit të kaluar dhe parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht.

    Prej atëherë, ekzekutivi s’është se ka bërë më diçka në këtë drejtim.

    Për të hyrë në fuqi, projektligj duhet të kalojë edhe leximin e dytë dhe të tretë dhe të nënshkruhet nga Presidentja Vjosa Osmani.

    Gazeta Express ka pyetur Kryetarin e këtij komisioni, Armend Mujën, se kur do të procedohet projektligji për lexim të dytë në Kuvend, por i njëjti s’u është përgjigjur pyetjeve të gazetës.

    Përgjigje s’kanë kthyer as nga Zyra për Media e Kuvendit të Kosovës kur janë pyetur lidhur me arsyet, ani pse sipas Rregullores kjo do të duhej të ndodhte brenda 2-3 muajsh pasi Projektligji ishte miratuar në lexim të parë.

    Deputeti Pal Lekaj, i cili vjen nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se Projektligji për pagën minimale s’është sjellë për shqyrtim as në Komisionin për Buxhet dhe Financa, ku ai është anëtar.

    Sipas tij, kjo tregon se rritja e pagës minimale s’është prioritet i Qeverisë.

    “Projektligji për pagën minimale po tregon të vërteten që Qeveria dhe Shumica Parlamentare nuk ka pasur kurrë interesim që ta ngrisë pagën minimale e aq më pak ta ngrisë në vlerën e nevojshme. Fatkeqësisht projektligji nuk ka ardhur në Komision për shqyrtim të dytë, dhe i ka kaluar të gjitha afatet kohore të mundshme. Madje as nuk e kanë prioritet dhe as temë këtë çështje”, ka thënë Lekaj për Express.

    Mos veprimi i Qeverisë për rritjen e pagës minimale, Lekaj thotë se po e përshpejton ikjen e fuqisë punëtore nga vendi.

    Ai ka përsëritur kërkesën e partisë së tij që paga minimale të jetë 370 euro, e jo 250 siç ka propozuar Qeveria.

    “Është e papranueshme neglizhenca dhe diskrimini që po ju bëhet 100 mijë qytetarëve të Kosovës në lidhje me pagën minimale. Këtu më së shumti po e pësojnë qytetarët që punojnë në sektorin privat. Qeveria dhe shumica parlamentare po i frikësohen këtij ligji që rrit pagën minimale, ose mund të jetë ndonjë kalkulim politik i tyre për këtë zvarritje. Qeveria duhet ta dijë që ky mos veprim i tyre për rritjen e pagës minimale po e shpejton procesin e ikjes nga vendi, e sidomos punëtorët e krahut. Ne si AAK i bëjmë thirrje që ta procedojë sa më shpejt këtë projektligj, dhe që paga minimale të mos jetë 250euro neto, por 370 euro neto ashtu siç kemi propozuar që nga fillimi.”, ka deklaruar Lekaj.

    Kritika ndaj Qeverisë për këtë projektligj ka adresuar edhe Ferat Shala i Partisë Demokratike të Kosovës.

    Shala ka thënë se s’kanë marrë asnjë informacion lidhur me arsyet pse s’po procedohet ky ligj.

    Projektligji për pagën minimale është vonuar tej mase dhe nuk kemi asnjë informim zyrtar pse është duke u vonuar, por nga ajo që dijmë është Qeveria ka ba gabime që ka realizu në proces e sipër me pagën minimale edhe është në dilemë të madhe se si të veprojë më tutje”, thotë Shala.

    Ai ka renditur edhe arsyet pse, sipas tij, Qeveria po e zvarrit këtë projektligj.

    “1.Paga minimale ka qenë propozim i Qeverisë që ka ra në kundërshtim me të gjitha organizatat që janë përfituese. 2. Paga minimale nuk i ka trajtuar kategoritë e dalura nga lufta. 3 paga minomale nuk është në harmoni me shkallën e inflacionit, gjendjen ekonomike të vendit. 4. Të gjitha subjektet politike, po flas për opozitën, kanë pasur vërejtje. Nuk është ligj që i plotëson kriteret dhe nevojat e ekonomisë familjare, veçanarisht për kategoritë sociale”, ka thënë Shala.

    Sipas tij, Qeveria do të duhej ta tërhiqte këtë projektligj dhe ta plotësonte, sipas vërejtjeve që ka marrë nga organizatat, kategoritë sociale dhe opozita.

    “Do të ishte veprimi më i mençur, edhe pse shumë i vonuar dhe shumë i dëmshëm, nëse Qeveria e tërheq këtë ligj dhe e plotëson me vërejtjet që ka marrë nga organizatat dhe kategoritë sociale dhe partitë opozitare”, ka deklaruar Shala.

    Ku renditet Kosova për pagë minimale?

    Zyra e statistikave e Bashkimit Evropian, Eurostat, ka përditësuar më 31 janar 2023 të dhënat për pagën minimale në vendet e Evropës.

    Në kontinentin evropian, Kosova e ka pagën më të vogël minimale, ndërsa Luksemburgu i prin listës si shteti me pagën më të madhe minimale. Paga minimale, e një shteti përcaktohet me ligj dhe zbatohet për shumicën e punonjësve të atij shteti.

    Paga minimale në Luksemburg është 2 mijë e 387 euro. Pas Luksemburgut, renditet Gjermania me 1 mijë e 987 euro dhe Belgjika me 1 mijë e 955 euro.

    Kosova ndërkohë renditet në fund të kësaj liste, me 170 euro (130 euro deri në 170 euro, varësisht prej moshës).

    Para saj është Shqipëria me pagë minimale prej 298 euro.

    Nga Rubrika
    Lajme12 Janar 2025
    Partia Demokratike e Kosovës mbajti një tubim elektoral në Shtabin Zonal Topliqan-Jetë e Re dhe Grackë e Vogël, ku morën pjesë kryetari...
    Lajme12 Janar 2025
    Partia Demokratike e Kosovës – Dega në Lipjan mbajti sot një takim të rëndësishëm elektoral në Shtabin Zonal Zgjedhor Banullë-Qallapek, ku u...
    Lajme12 Janar 2025
    Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, ka zhvilluar një takim të përzemërt me familjen Hajdari dhe banorët...
    Të tjera
    Lajme12 Janar 2025
    Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, ka shprehur optimizmin dhe entuziazmin e tij pas një takimi me...
    Bota/Rajoni12 Janar 2025
    Një grup prej pesë skiatorësh u godit nga orteku mbi fshatin Trasquera në rajonin e Piemonte. Dy mbijetuan dhe u dërguan me...
    Lajme12 Janar 2025
    Rinor Qehaja, nga Instituti EdGuard, ka theksuar se licencimi i mësimdhënësve është një mundësi ideale për zhvillimin e vazhdueshëm të mësimdhënësve gjatë...
    Bota/Rajoni12 Janar 2025
    Dyshohet se një 56-vjeçar është vrarë me armë zjarri sonte pranë “Pallatit me Shigjeta” në Tiranë. Abcnews.al raporton se personi që dyshohet...
    Lajme12 Janar 2025
    Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka shprehur krenarinë dhe optimizmin e tij për tubimin e jashtëzakonshëm të mbajtur...
    Lajme12 Janar 2025
    Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) nga Ferizaj, Elmi Reçica, ka shpërndarë një mesazh për të rinjtë ferizajas, të...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.