Mbi 200 programe studimore të institucioneve publike e private të arsimit të lartë janë duke pritur vendim nga Agjencia e Kosovës për Akreditim. Më 2 shtator pritet të mbahet mbledhja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, i cili do t’i shqyrtojë raportet e ekspertëve ndërkombëtarë dhe do të vendosë për akreditim dhe riakreditim të këtyre programeve.
Sipas drejtorit të AKA-së, Naim Gashi, për shkak të numrit të madh të programeve në pritje, KSHC ka kërkuar që fillimisht të vlerësohen programet e fushës së mjekësisë, ekonomisë e drejtësisë, e më pas të procedohet me të tjerat. Vetëm në këto 3 fusha janë më shumë se 35 programe që presin vendime nga Bordi i Agjencisë.
Faza e parë e vendimeve, sipas tij, do të përfundojë gjatë këtij muaji dhe më pas KSHC do të vendosë se si do të procedohet me programet tjera. Njëjtë sikurse për akreditimin institucional të realizuar dy muaj më parë, edhe për akreditimet e programeve pjesa më e madhe e vlerësimit është bërë në distancë meqë ekspertët ndërkombëtarë nuk kanë mundur të vijnë në Kosovë për shkak të pandemisë.
Gashi ka bërë të ditur se në agjenci kanë pranuar disa ankesa, por që lidhen me raportet dhe vlerësimet e ekspertëve ndërkombëtarë dhe jo me procesin e vlerësimit nga agjencia.
Dy muaj më parë ka përfunduar vlerësimi dhe akreditimi i institucional i kolegjeve e universiteteve publike. Nga 14 institucione sa ishin në proces, 8 kolegje private nuk kanë marrë akreditim nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë. Kjo pasi paraprakisht ekspertët ndërkombëtarë kishin dhënë rekomandime negative për to.