Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), ka theksuar se përkundër premtimeve të shumta, Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për të përmirësuar kushtet e punës. Ai ka kritikuar ashpër shuarjen e Këshillit Ekonomik Social, i cili ishte një organ i rëndësishëm për trajtimin e temave si kontratat e punës, orari dhe kushtet e punës, duke përfshirë marrëdhëniet ndërmjet punëdhënësve dhe punëmarrësve.
Për më tepër, ai ka shtuar se sektori privat ka bërë përpjekje për të siguruar një trajtim më të mirë dhe më dinjitoz për punonjësit, duke ndikuar kështu në ngritjen e kulturës së punës dhe duke krijuar një mjedis më të favorshëm për zhvillimin e biznesit dhe përmirësimin e kushteve për punonjësit.
‘’Kushtet e dinjitetshme të punës po i arriti vet sektori privat për shkak të kushteve që u duhen punëtoreve sepse ata duhen trajtuar mirë dhe kjo po e bën që kultura e punëdhënësve është ngritur për trajtim të dinjitetshëm të punëtoreve’’, u shpreh Shahini.
Shahini ka kritikuar Qeverinë për mungesën e partneritetit dhe dialogut të vërtetë, duke theksuar se sindikatat dhe organizatat ekonomike kanë mbetur jashtë procesit të dialogut social-ekonomik.
‘’Më shumë ka pasur në këtë mandat fotografi sesa partneritet, sindikatat mbeten po ashtu jashtë dialogut social-ekonomik siç mbesin edhe organizatat ekonomike’’, përfundoi Shahini./FrontOnline/