Kosova po përballet çdo ditë e më shumë me ikjen e punëtorëve nga vendi.
Shumë biznese e kompani kanë mbetur pa krahun e tyre të punës.
E paknaqësitë më të mëdha të punëtorëve janë pikërisht në sektorin privat.
Për pakënaqësitë e tyre, dhe kushtet që ata kanë në vendet e tyre të punës në një intervistë për Front Online ka folur, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi.
Azemi ka treguar njërin prej problemeve më të mëdha me të cilin po ballafaqohen punëtorët e sektorit privat.
“Problemi më madhor është mosrespektimi i ligjit të punës dhe ligjeve të tjera. Fatkeqësisht ne edhe sot pas pesë viteve nuk kemi marrëveshje kolektive e cila i definon më mirë raportet punëdhënës-punëmarrës. Përpos këtyre ne edhe sot kemi punëtor që paguhet me pagë 170 euro, 130 euro dhe realisht është ende më e rëndë kur këta punëtor në vendet e tyre të punës mund të lëndohen dhe në moment kur vijnë këto lëndime nuk mban përgjegjësi askush, kemi raste kur me vite të tëra nuk paguhet Trusti, kemi raste të shumta kur pushimet vjetore dhe pushimet mjekësore nuk aplikohen konform ligjit të punës”, ka thënë ai, për Front Online.
Sipas tij mbi 80% e tyre janë të pakënaqur me zbatimin e raportit mes punëdhënësit dhe punëmarrësit.
Për dy vjet nga Kosova ikën mbi 100 mijë punëtorë/Azemi: E dëmshme dhe e rrezikshme
Në Sindikatën e Pavarur të Sektorit Privat ende nuk kanë shifra të sakta se sa punëtor e kanë lëshuar Kosovën në gjashtë mujorin e parë të këtij viti.
Por, i kanë ato për dy vitet e kaluara.
Kryetari i kësaj sindikate, Jusuz Azemi për Front Online ka thënë se shifra ka arritur në mbi 100 mijë.
“Kemi të dhëna vetëm për vitin 2021 dhe vitin 2022 Kosovën e kanë lëshuar mbi 100 mijë punëtorë të cilët kanë qenë në marrëdhënie pune dhe ata kanë ik dhe kanë dalë jashtë. Të jemi të qartë që lëvizje të punëtorëve ka në të gjitha vendet e botës, por një lëvizje e tillë, një numër kaq i madh për një Kosovë siç jemi ne dhe për një numër ku ne mund të llogarisim se janë dikund rreth 350 mijë punëtorë në sektorin publik dhe privat dhe brenda dy vitesh të ikin 1/3 e punëtorëve kjo është e rrezikshme, është e dëmshme dhe normal që pasojat veç kanë filluar të ndihen edhe tek pronarët e kompanive edhe tek funksionimi i shteteve”, ka deklaruar kryesindikalisti Azemi.
Derisa, ka shtuar se në disa kompani kushtet e punës për punëtorët në disa kompani kanë filluar të përmirësohen.
Alarmon kryesindikalisti i sektorit privat: Pas një janarit do të kemi ikje masive të punëtorëve
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka deklaruar për Front Online se krahu i punës çdo ditë po e lëshon vendin.
Ndërsa, deklaron se ikje edhe më e madhe do të ndodhë pas një janarit kur edhe do të ndodhë liberalizimi i vizave.
“Nuk po dua të them sa janë të kënaqur me Qeverinë e vendit por dua të them që ndjeshmëria ose gjithçka çka pronarët e kompanive pjesa më e madhe e tyre edhe nëse u ofrojnë këtyre punëtorëve një pagë prej 1000 euro faktikisht këta njerëz e kanë humbë besimin, e kanë humbë vullnetin që të vazhdojnë tutje dhe fatkeqësisht këta për çdo ditë janë duke e lëshuar Kosovën, por normal që një ikje e madhe do të pason sidomos me një janar e tutje”, është shprehur ai.
E, derisa paralajmëron ikje masive, thotë se ata punëtor që marrin paga më të larta do të qëndrojnë.
“Por, megjithatë kompanitë që i kanë trajtuar mirë punëtorët dhe i trajtojnë ata nuk kanë nevojë që të ndihen të rrezikuar sepse edhe punëtorët e dinë që edhe jashtë nuk do të ketë ndonjë mrekulli, por nëse një punëtor merr 700 eventualisht 800 euro pagë në Kosovë, megjithatë unë e di që ia vlen dhe ata do të qëndrojnë në Kosovë dhe nuk do të dalin jashtë”, ka shtuar i pari i sektorit privat.
Azemi: Paga minimale tek sektori privat 170 euro, mesatarja sillet nga 320 deri në 340 euro
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë për Front Online se paga minimale në Kosovë tek sektorit privat është 170 euro.
Ndërsa, ka treguar edhe sa sillet paga mesatare.
“Paga minimale e punëtorëve të sektorit privat të Kosovës është 170 euro ndërsa nëse e marrim pagën mesatare mund të them që është dikund rreth 330 ose 340 euro dhe normal maksimalja është pagë po themi ka sikur paga që sot e kemi parë një punëtor i sektorit privat merrte edhe tre mijë euro, por megjithatë këto janë raste individuale dhe raste të pakta. Marrim në tërësi edhe sipas Entit Statistikor të Kosovës paga mesatare tek punëtorët e sektorit privat të Kosovës sillet eventualisht prej 320, 330 ose 340 euro”, ka thënë ai.
Kryesindikalisti i sektorit privat: Në vitin 2023 paga minimale të jetë 450 euro, në 2024 prej 500 euro
Qeveria e Kosovës ka propozuar që paga minimale në vend të jetë prej 264 euro bruto.
Ky propozim ka marrë kundërshtime nga sindikatat.
Sindikata e sektorit privat po kërkon që paga minimale për këtë vit të jetë 450 euro, ndërsa për vitin 2024 të arrijë në 500.
“Ne me presionin tonë edhe të sinqertë edhe sindikal edhe njerëzor kemi bërë që Komisioni për Buxhet dhe Financa e Parlamentit të Kosovës i ka propozuar Parlamentit të Kosovës që paga minimale të jetë për vitin 2023 prej 450 eurove dhe paga minimale për vitin 2024 të jetë 500 euro”, ka deklaruar kryesindikalisti i sektorit privat, Jusuf Azemi.
Por, çka nëse ky propozim nuk merret parasysh, pasi që Qeveria ka një tjetër.
“Ne mendojmë se Parlamenti i Kosovës është një institucion më i lartë se Qeveria e Kosovës dhe ata njerëz që e kanë propozuar nga Komisioni për Buxhet dhe Financa i marrim që janë njerëz profesionistë dhe ne shpresojmë që kjo shumë duhet të kalojë gjithmonë nëse nisemi nga përballja e asaj sepse me një pagë 264 euro nuk mund të mbijetohet”, ka shtuar ai.
14 punëtorë kanë vdekur në vendin e tyre të punës nga janari deri më tani
Ani pse puna e tyre është me rrezik të lartë, punëtorët e sektorit të ndërtimtarisë po vazhdojnë të ballafaqohen me probleme.
Edhepse kohëve të fundit për ta ka një lëvizje simbolike në paga.
E, si pasojë e rrezikshmërisë vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti kanë humbur jetën 14.
Kështu, ka bërë të ditur për Front Online, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi
“Në fakt ndërtimtaria ka një lëvizje simbolike tek pagat e tyre, por megjithatë rrezikshmëria po them mbi 90% të rasteve kur punëtorët lëndohen dhe humbin jetën ën sektorin e ndërtimtarisë. Vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti kemi të humbur 14 punëtor në vendet e tyre të punës”, ka treguar ai.
Ai ka thënë se me dekada janë duke kërkuar që për familjet e këtyre personave që humbin jetën ne vendin e tyre të punës të këtë mbështetje financiare, por se asnjë qeveri nuk po ndërmerr ndonjë hap rreth kësaj çështjeje.
Të dhënat e Agjencisë së statistikave kanë treguar se nga mbi 1.2 milionë qytetarë në moshë pune, mbi 380 mijë janë të punësuar, mbi 77 mijë janë të papunë dhe rreth 750 mijë janë ekonomikisht joaktivë.
Sipas ASK-së, shkalla e papunësisë në Kosovë është 16.6%. Trendi i emigrimit të qytetarëve kosovarë, sipas shifrave zyrtare, është në rritje. /Front Online