Fushatë e re, zgjedhje të reja, por premtime të vjetra dhe të përsëritura.
Kjo është e tëra që po shihet në katër ditët e para të fushatës zgjedhore konkretisht nga “Lëvizja Vetëvendosje”. Përveç saj, po ashtu po vërehet një gjuhë e ashpër dhe akuza të rënda e nënçmuese ndaj opozitës, nga kreu i VV-së dhe kandidati i saj për kryeministër, Albin Kurti.
Kjo qasje po kundërshtohet nga opozita, e cila thotë se për shkak të dështimit të Kryeministrit Kurti ai po e përdorë zemërimin, fyerjen dhe nënçmimin ndaj saj.
LVV-ja ende nuk e ka prezantuar para elektoratit programin e saj zgjedhor, ndonëse fushata ka disa ditë që ka filluar edhe zyrtarisht.
Beqa i PDK-së: Albin Kurti është në gjendje të rëndë shpirtërore, ka nevojë për psikiatër
Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Hajdar Beqa, ka kritikuar ashpër fushatën e kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar se po përpiqet të justifikojë dështimet e tij të kaluar me një program që nuk ka sjellë asnjë rezultat.
“Kurti nuk ka pas agjendë në qeverisje, nuk ka program për fushatë dhe po thirret në programin që ka dështuar dhe e ka mashtruar popullin me atë të vitit 2021”, ka thënë Beqa.
Beqa konsideron se Kurti duhet “të merret me shëndetin e tij mendor dhe jo me fushatën elektorale, duke thënë se kryeministri ka më shumë nevojë për psikiatri se vota”.
Tutje, ai ka thënë se Kurti e ka pranuar dështimin e tij.
“Është në presion të humbjes, është në gjendje të rëndë shpirtërore dhe emocionale na bazë të sjelljes të pakontrolluar. Duhet të merret me të shëndetësia e psikiatria se sa votuesit, çfarë sjellje e gjendje është të cilit nuk i përkon një njërit që është normal. Kurti në një formë e ka pranuar dështimin”, shprehet Beqa për “Front Online”.
Havolli i LDK-së: Qeveria aktuale po nxitë urrejtje dhe përçarje
Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Sokol Havolli, ka akuzuar Qeverinë aktuale për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes, dhe për prodhimin e “moçalit të pështymave” gjatë periudhës së saj në pushtet.
“LDK është e fokusuar në të ardhmen në projekte të realizueshme, nuk duam të merremi me moçalin e të pështymave që e prodhon Qeveria aktuale se veç këtë ka ditë ta prodhoj gjatë kësaj periudhe”, thotë ai për “Front Online”.
Ai shtoi se LDK ka për qëllim të zhvillojë vendin dhe të përmirësojë jetën e qytetarëve, duke e cilësuar pushtetin aktual të pashpresë.
“Jemi të interesuar ta zhvillojmë vendin e mos të merremi me nxitje të urrejtjes dhe përçarjes sePSE jemi vend i vogël e në 4 vitet e fundit po zvogëlohemi edhe më shumë sepse po ikin nga vendi qytetarët si rezultat i kësaj qeverisje jo të mirë. Kjo qeveri është e pashpresë dhe e mbushur me urrejtje”, theksoi ai.
Artan Nimani: Gjendja shëndetësore e Kurtit më shqetëson
Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Artan Nimani, ka shprehur shqetësim për “gjendjen shëndetësore dhe sjelljen e kryeministrit Albin Kurti në fushatën elektorale”.
Ai ka deklaruar se paraqitjet e Kurtit në tubime publike, me një mllef të tillë, janë të papranueshme dhe shqetësuese.
“Gjendja e tij shëndetësore më shqetëson. Paraqitja e tij në tubime publike me një mllef të tillë është e papranueshme dhe shqetësuese se si kryeministri i vendit bënë një veprim të tillë”, tha ai.
Nimani e ka kritikuar Kurtin për shmangien e përmbushjes së premtimeve, duke kujtuar se ai ka pasur 5 vite në pushtet dhe ende nuk ka realizuar asnjë projekt të rëndësishëm.
“Ky është pretekst për t’i ikur premtimeve që është duke i përsëritur që 10 vite me radhë dhe po harron që 5 vite ka qenë në pushtet. Në mungesë të argumenteve, fakteve, projekteve dhe punëve ai ka filluar të bëjë skena aktrimi të cilat më shumë po nxisin neveri në opinion se sa pasqyrë që tregon që kryeministër do t’i duhej Kosovës”, shprehet ai për “Front Online”.