Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kanë marr pjesë sot në Komitetin për koordinimin dhe vlerësimin e situatës emergjente me Coronavirus.
Pas këtij takimi të dy janë deklaruar për media, e ku kanë folur për luftimin, monitorimin dhe reagimin ndaj pandemisë Covid-19, raporton Front Online.
Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se gjendja me Coronavirus në vend është shumë e rëndë.
“Nuk mund të lejojmë që gjendja të dal jashtë kontrollit. Jeta e qytetarit është mbi të gjitha. Kemi 49 raste të vdekjes dhe Klinika Infektive është e stërmbushur dhe nuk ka më vend njerëz. iKSHPK-ja dhe ministria janë duke shikuar për hapësira shtesë”, ka thënë Hoti për Front Online.
Hoti ka folur edhe për masat që duhet t’i respektojnë qytetarët.
“Masat janë të thjeshta, mbajtja e distancës, maskës dhe dorëzave. Mosrespektimi i masave paraqet vepër penale”, ka thënë ai.
Kryeministri ka njoftuar se edhe 8% e të infektuarve janë personel shëndetësorë.
“113 pacientë janë të shtrirë në Infektivë dhe 6, në gjendje të rëndë. 8% e të infektuarve janë personel shëndetësorë”, ka thënë ai.
Hoti ka paralajmëruar edhe për disa masa të reja që do të hyjnë në fuqi në mbledhjen e radhës së Qeverisë së Kosovës.
“Nëse nuk mbani maskë do të dënoheni në përputhje me ligjin. Jemi duke shqyrtuar mundësinë për karantinimin e disa vendeve ku ka shumë raste. Do të ndalojmë hapësirat ku mund të grumbullohen mbi 100 persona. Kemi shtuar numrin e inspektorëve për inspektorët sanitarë. Për shkak të ngarkesës së madhe të stafit mjekësorë dhe kemi kërkuar rritjen edhe për 100 të infermierëve që punojnë në klinikat që merren me këtë çështje. Staf mjekësorë do të shtojmë edhe në pikat kufitare”, ka thënë tutje Hoti për Front Online.
“Jemi në prag të valës së dytë së Coronavirusit”, ka paralajmëruar Hoti.
Përndryshe Kosova deri në këtë momente ka të regjistruara 2677 raste pozitive me Coronavirus. Prej tyre 1425 janë shëruar, teksa janë shënuar edhe 49 raste të vdekjes.
Prishtina është qyteti më i prekur nga Coronavirusi, me gjithsej 582 të infektuar, e pasuar nga Vushtrria me 322 raste pozitive, teksa komuna e tretë me më së shumti raste është Prizreni me gjithsej 282 sosh./Front Online/
https://www.facebook.com/FrontOnlineMedia/videos/289354732215070/